E Diel, 1 Nëntor 2026

Interneti, fëmijët qëndrojnë deri 2 orë në ditë

Ekrani, para të cilit fëmijët ngulin vështrimin e tyre për një kohë të gjatë, nuk është vetëm ai i televizorit, por zhvillimet e reja teknologjike, kanë bërë që, një pjesë e familjeve shqiptare të jenë të pajisura edhe me kompjuter të lidhur me rrjetin e internetit. Madje, edhe ata fëmijë që nuk e kanë këtë lehtësi në shtëpi, kanë mundësi që kundrejt një pagese të arsyeshme, ta shfrytëzojnë atë në qendrat e internetit, që janë me shumicë tashmë në qytetet e Shqipërisë. Jetojmë në kohën e internetit. Kjo është një risi, që si e tillë, gjen përdoruesit më të shumtë në radhët e fëmijëve. Është përhapur si “epidemi” mania e përdorimit të internetit dhe fëmijët i gjen me orë të tëra para kompjuterit, duke lexuar në internet apo duke bashkëbiseduar me shokët/shoqet përmes facebook-ut, chat-it etj. Kur nxënësit janë pyetur se sa orë shpenzonin para kompjuterit, ka një shumicë fëmijësh që e shfrytëzojnë internetin gjysmë ore, 1 orë apo edhe 2 orë në ditë, që respektivisht janë: 12%, 24% dhe 19%. Këta fëmijë punojnë në internet, në qendrat e internetit dhe jo në shtëpi. Kjo tregon se ende shumica e familjeve shqiptare nuk e kanë mundësinë të sigurojnë në shtëpi shërbimin e internetit, që sado i leverdisshëm dhe i nevojshëm që mund të jetë, kërkon një minimum investimi fillestar (kostoja e blerjes së kompjuterit dhe kostoja e instalimit të internetit), si edhe një investim të vazhduar që është tarifa mujore e lidhjes së internetit që vazhdon të jetë relativisht e lartë për familjet me të ardhura mesatare në Shqipëri. Megjithatë, harxhimi i kohës në televizor/video dhe në internet ka

një “kosto” në raport me kohën që fëmijët duhet të harxhojnë për të bërë mësimet e shkollës çdo ditë. Sa më shumë kohë në televizor dhe internet, aq më pak kohë për mësimet e shkollës dhe leximin e librave jashtë klase, që shkolla kërkon për nxënësit. Ndërsa, lidhur me fëmijët që nuk kanë akses në internet, vetëm rreth 18% e nxënësve i janë përgjigjur që nuk e shfrytëzojnë internetin, as ditët e javës, dhe as në fundjavë, gjë që tregon se ata nuk kanë akses për të. Kjo do të thotë se ata jo vetëm nuk kanë në shtëpi kompjuterin dhe rrjetin e internetit, por edhe në vendin ku ata banojnë nuk ka qendër shërbimi interneti. Kjo kategori përgjithësisht banon në fshat dhe ndjek shkollat e fshatit, ku ende nuk kemi rrjet interneti të kompletuar. Por, këto shifra së shpejti tentojnë të ndryshojnë, pasi në programin e qeverisë për këtë 4-vjeçar kemi si prioritet për arsimin objektivin e shtrirjes së internetit në të gjitha shkollat e vendit, pa bërë dallim midis atyre të qytetit dhe të fshatit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›