Sa duhan dhe alkool konsumojnë fëmijët e moshës 11-15 vjeç
Përdorimi i duhanit dhe alkoolit në fëmijët e moshës shkollore është një tjetër shqetësim që po haset sot në shkollat tona. Kështu, edhe në vendin tonë ka një raport të caktuar të duhanpirjes për fëmijët e moshës shkollore, raport që nga njëra anë krijon shqetësim për atë çka paraqet, ndërsa nga ana tjetër, i detyron strukturat përkatëse të mendojnë dhe të shtojnë përpjekjet për ndryshimin e tij në sensin pozitiv. Edhe për këtë çështje, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) kanë realizuar një anektim në shkollat e Tiranës. Pyetjes “A keni pirë ndonjëherë duhan në jetën tuaj (qoftë edhe një cigare)” 24% e nxënësve (678 nxënës) i janë përgjigjur që kanë tymosur të paktën një herë në jetë, një shifër kjo që, sipas specialistëve të shëndetit publik, nuk është për t’u nënvleftësuar. “E themi këtë, pasi është një precedent që shumë nga ata që tymosin, sikur edhe një herë janë potencialisht kontingjent për t’iu bashkangjitur radhëve të duhanpirësve. Nga këta, 678 nxënës që kanë pirë të paktën një cigare në jetë, ka një pjesë që e pinë çdo ditë, ashtu siç ka të tjerë që pinë disa herë në javë, apo të tjerë që tymosin më pak se një herë në javë”, - thuhet në studimin e ISHP-së. Ndonëse shifrat vërtetë nuk janë alarmante, pavarësisht një trendi në rritje të tyre, specialistët e shëndetit publik shprehen se ajo që duhet të na shqetësojë është një e vërtetë e madhe, e pranuar nga vetë fëmijët gjatë anketimit: “Kemi fëmijë të moshës 11-15 vjeç që pinë duhan, dhe kjo është problem sa shëndetësor, po aq edhe edukativ, sa familjar, aq edhe shoqëror, sa aktual po aq edhe perspektiv. Për këtë arsye edhe përgjigja ndaj këtij problemi duhet të vijë nga strukturat shëndetësore dhe ato edukative, nga familja dhe nga e gjithë shoqëria, përgjigje që duhet dhënë sot, por edhe në vazhdimësi për nesër dhe përgjithmonë. Vetëm kështu, rezultati që do të marrim, do të jetë pozitiv dhe afatgjatë”, - shprehen specialistët..
Një fenomen tjetër që shoqëron duhanpirjen në fëmijët e moshës shkollore është edhe përdorimi i alkoolit ose i pijeve alkolike, duke përfshirë këtu birrën, verën, pijet e forta me ngjyrë, etj. Specialistët e ISHP-së shpjegojnë se kjo sjellje ka një karakteristikë në vendin tonë, në raport me vendet e tjera të Europës. Kështu, në qoftë se në vendet e ndryshme të botës, tregu i pijeve alkoolike ka qenë i liberalizuar dhe ato mund të siguroheshin lehtësisht nga të gjithë (përfshirë edhe fëmijët) në markete e supermarkete, në vendin tonë nuk ishte e lehtë sigurimi i këtyre pijeve para ndryshimeve demokratike në vend, pra para viteve ’90. Vetëm pas liberalizimit të tregut të brendshëm, sipas tyre, tek ne u krijuan kushtet që lehtësonin sigurimin e pijeve alkoolike në të gjitha moshat dhe në të gjitha mjediset. Në këtë kuptim, fenomeni i përdorimit të pijeve alkoolike nga të rinjtë tek ne është pa një histori të mirëfilltë dhe si i tillë ka filluar relativisht vonë. Por, pavarësisht kësaj, tek ne të gjitha fenomenet, qofshin këto edhe të reja, paraqiten me format e tyre më ekstreme, ndryshe nga vendet e tjera ku njohin forma shumë më të moderuara. Kështu, prevalenca e alkoolpirjes javore në Europë për 11-vjeçarët luhatet: nga 1% në Norvegji, në 22% në Ukrainë; për 13-vjeçarët, nga 2% në Norvegji, në 32% në Ukrainë; dhe për 15-vjeçarët, nga 10% në Finlandë, në 53% në Ukrainë. Nga ky këndvështrim nuk bën përjashtim as vendi ynë. Sipas anketimit të ISHP-së, niveli i alkoolpirjes te fëmijët e moshës shkollore në vendin tonë është relativisht i ulët, pothuaj sa shumica e vendeve të tjera europiane që marrin pjesë në studim. Kështu, të dhënat për alkoolpirjen javore luhaten në 6% për birrën, 5% për verën dhe 5% për pijet e forta me ngjyrë. Por, pavarësisht kësaj, specialistët theksojnë se është gjithmonë e rëndësishme të parandalojmë fenomenin, pa u bërë ende shqetësim shoqëror, kur ai është në fillimet e veta, dhe jo të presim e të kujtohemi për të, kur ai të jetë shtrirë në gjerësi e në thellësi.