E Diel, 1 Nëntor 2026

Interneti, supermendja e botës

Njerëz më shumë si kompjuterë

"Në botë ka një numër procesorësh dhe tranzitorësh të barasvlershëm me ato të neuroneve të trurit tonë dhe njëlloj si ato, janë të lidhur njëri me tjetrin. Kështu është e mundur të imagjinosh internetin, si një tru global, i përbërë nga miliona agjentë llogaritës, që po t‘i marrësh veç e veç janë ‘pa vlerë‘, por së bashku i japin jetë një inteligjence të paimagjinueshme". Sipas Kellit, kjo mendje e përbashkët e kompjuterëve bashkohet me mendjen kolektive të njerëzve për t‘i dhënë jetë një forme mendore të ndryshme, që askush prej të dyjave nuk është në gjendje ta krijojë e vetme".

Kompjuter - re

Për çfarë është i aftë ky superkompjuter botëror?

"Për momentin mendja globale mbledh dhe rillogarit miliarda e miliarda informacione dhe riorganizon, sipas një skeme të thjeshtë, mënyra e preferenca, krijon famë e përcakton se çfarë është, apo nuk është popullore", thotë Daniel Hillis, fizikan dhe shkencëtar informatike. Një nga funksionet e aktivitetit bazë të mendjes globale është kujtesa, shembull i së cilës është "Wikipedia", enciklopedia e realizuar me kontributin e miliona përdoruesve. "Tek ‘Wikipedia‘ takohen me njëra-tjetrën njohuri dhe informacione nga e gjithë bota; megjithatë ajo nuk është fryt i mendimit të trurit-internet, por shuma e bashkimit të njohurive që vijnë përmes rrjetit", shpjegon Jeff Stibel, ekspert në shkencën e informatikës. Një tjetër funksion bazë është llogaritja, që falë internetit ka arritur fuqi dhe shpejtësi të jashtëzakonshme, sidomos përmes "Cloud computing" që shfrytëzon fuqinë e shumë kompjuterëve të lidhur në rrjet për të arritur performanca të jashtëzakonshme. "Large Hardon Collider" i CERN-it në Gjenevë, bazohet në një rrjet prej 40 000 kompjuterësh për të nxjerrë llogaritjet e nevojshme për bërjen e eksperimentit. "Ajo që pak dinë është se 2/3 e përdoruesve të internetit shërbejnë në një farë mënyre si ‘cloud computing‘ kur përdorin e-mail-et, ose ruajnë fotot e tyre në rrjet".

Inteligjenca e "Google"

"Deri këtu jemi në fushën e funksioneve bazë të mendjes globale. Por ka nevojë për diçka më shumë për ta transformuar rrjetin në një tru të vërtetë, i aftë të perceptojë, të vendosë, të veprojë dhe reagojë ndaj pasojave", nënvizon Hillis. Por, diçka ekziston dhe është futur në arkitekturën e rrjetit. Kjo është teza e zhvilluar nga James Surowiecki, gazetar i "NewYorker" dhe ekspert i financës, në librin e tij "The wisdom of crowds". "Është e njëjta metodë me të cilën ‘Google‘ kontrollon në pak sekonda miliarda faqe interneti dhe gjen pikërisht atë informacion që ju kërkonit", shkruan ai. "Google" bazohet në një algoritëm të quajtur "Page rank", që ashtu si shpjegon Surowiecki, "urdhëron përmbajtjet që korrespondojnë me fjalën, duke dhënë një ‘votë‘ për çdo link. Për më tepër, u jep faqeve më të kërkuara që përmbajnë fjalën kyçe një shkallë më të madhe rëndësie. Por jo vetëm kaq: arrin të dallojë edhe cilësinë e faqeve. ‘Votat‘ e dorëzuara nga faqet e konsideruara të ‘rëndësishme‘ kanë më shumë peshë dhe ndihmojnë t‘i bëjnë më të rëndësishme disa faqe të tjera. Në të qindin e sekondës interneti e bën këtë veprim mbi miliarda faqe dhe jep një përgjigje që thuajse gjithmonë përshtatet me kërkesën". Vetëm duke futur një software në rrjet kemi arritur të marrim një mendje, në gjendje të arsyetojë dhe të bëjë një zgjedhje: interneti i interpreton nevojat tona dhe na jep një përgjigje. Për më tepër, me kalimin e kohës mëson dhe përmirësohet. "Le të mendojmë për aftësinë e jashtëzakonshme të ‘Google‘ për të njohur shkrimin e fjalëve, (për shembull kur shkruajmë gabim ‘Itaglia‘ na përgjigjet: ndoshta kërkoje Italia), që lind nga fakti që kompjuterët kanë mësuar nga ndërveprimi matematik me përdoruesit për të përjashtuar të gjitha mënyrat e gabuara për të shkruar një fjalë të dhënë".

Përse "Google" funksionon

Në të gjithë këtë mekanizëm, i rëndësishëm është "tagging", d.m.th. mënyra në të cilën etiketojmë fjalët që fusim në internet: tekste, video, filmime, pothuajse çdo lloj gjëje. Rrjeti nuk është aq i zoti për ta bërë këtë detyrë dhe për këtë arsye na kërkon ne ta bëjmë, pa e kuptuar. "Është arsyeja e shtimit të faqeve të famshme të internetit, që studiojnë mekanizmat me të cilat etiketohen fajlat në rrjet. Këto sajte, si për shembull Flickr, De.licio.us dhe të tjerë, u kërkojnë përdoruesve të jenë ata vetë që të bëjnë ‘tag‘. Ne i përgjigjemi për ta pasur më të lehtë në vazhdim të kërkesës sonë, por rezultati negativ është se krijohet një strukturë e ndarë për tag. Arsyeja se përse në vitet e fundit sistemi i kërkimit të imazheve është përmirësuar ndjeshëm, qëndron në shfrytëzimin e algoritmit të një loje online, ‘Esp Game‘, që i fton përdoruesit të argëtohen duke bërë etiketimin e fotove të zgjedhura rastësisht. Mekanizmi i lojës në pak muaj ka bërë të mundur etiketimin e të gjitha fotove që gjenden në internet". Me pak fjalë, interneti është bërë aq dinak sa na shfrytëzon ne për të arritur objektivat e veta. "Çdo herë që navigojmë në internet, lëmë gjurmë, si vendet që vizitojmë, ose muzika që shkarkojmë, të cilat janë edhe tregues të shijeve tona. Një nga objektivat më të mëdha tregtare sot është mbledhja e këtyre gjurmëve, të përmirësojmë nevojat tona dhe të gjejmë mënyrën që rrjeti t‘u përgjigjet kërkesave tona në mënyrë të personalizuar". Është e ashtuquajtura "personomy" e vendosur në internet, që në të ardhmen secilit prej nesh mund t‘i krijojë mundësinë të bisedojë ballë përballë me trurin global dhe të marrë përgjigje të destinuara vetëm për ne dhe askënd tjetër".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›