E Hënë, 2 Nëntor 2026

Interpol Tirana ekstradon nga Athina dy të kërkuar

30/04/2005  TIRANË- Interpol Tirana ekstradon nga Greqia për në Shqipëri dy shtetas të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Në një njoftim të burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, bëhet e ditur se është ekstraduar Aristidh (Maltin) Musaj, 34 vjeç, lindur në Përmet. Ai është dënuar më datë 22.02.2001 nga Gjykata e Shkallës së Parë të Gjirokastrës, me 17 vjet heqje lirie për veprën penale të “vrasjes me dashje”. Burimet e policisë thanë se, Musaj, më datë 30.06.1997, në bashkëpunim me Gentian Hysenajn dhe Spartak Likën, nën efektin e pijeve alkoolike, me qëllim përfitimi të një shume të hollash, duke e qëlluar me mjete rrethanore, kanë sjellë vdekjen e shtetasit Duro Kapo. Menjëherë pasi ka kryer këtë krim, 34-vjeçari është larguar në drejtim të shtetit helen për t’i shpëtuar ndëshkimit. Ndërkaq është ekstraduar edhe Aurel Prifti, 30 vjeç, lindur në Korçë. Prifti, sipas policisë, është dënuar më datë 21.12.2003 me 5 vjet burg për veprën penale të “vrasjes me dashje, mbetur në tentativë”. Më datë 24.04.2003, Prifti së bashku me disa shokë, në grindje e sipër kanë qëlluar me armë zjarri automatik ndaj shtetasit B.M., por pa rrezik për jetën. Arrestimi i shtetasve të mësipërm është kryer në Greqi me qëllim ekstradimi. Bashkëpunimi i Interpol Tiranës me homologët e tyre në Athinë ka nisur që prej të paktën një viti dhe procedurat për ekstradimin e tyre kanë mbaruar vetëm disa ditë më parë. Të dy të ekstraduarit nuk kanë konsumuar asnjë vepër penale në shtetin grek dhe për këtë nuk janë gjykuar atje. Ata, tashmë do të vuajnë dënimin në burgjet shqiptare për krimet që kanë kryer, ndërsa që dje filloi shpërndarja e tyre në burgjet përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›