Pashkët, policia masa në kufi për kthimin e emigrantëve
30/04/2005 TIRANË- Pashkët mobilizojë Policinë e Shtetit për t’u shërbyer emigrantëve shqiptarë që kthehen nga vendet ku ata punojnë e jetojnë, kryesisht nga Greqia. Në një letër-porosi, drejtori i Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj dhe ministri i Rendit Publik, Igli Toska, kanë parapërgatitur disa masa për sezonin turistik dhe përballimin e fluksit të emigrantëve. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Edlira Teferiçi, tha dje se për krijimin e kushteve maksimale për të gjithë shtetasit, të cilët hyjnë apo dalin nga vendi ynë për festën e Pashkës, janë porositur të gjitha shërbimet e Policisë së Shtetit, të marrin masat për lëvizjen e lirë të shtetasve, veçanërisht të atyre shtetasve shqiptarë emigrantë në Greqi, të cilët kanë paraqitur kërkesë për t’u pajisur apo rinovuar lejen e qëndrimit, por që ende nuk e disponojnë atë. Për të parandaluar ngjarje të pakëndshme si vjedhje, grabitje, prishje të rendit, qetësisë publike, etj., është urdhëruar forcimi i regjimit të hyrje–daljeve në të gjitha pikat e kalimit kufitar, si dhe për të përballuar periudhën e fluksit është urdhëruar organizimi i shërbimeve të përforcuara dhe të pandërprera. Sipas Teferiçit, është urdhëruar parandalimi dhe goditja në kohë e të gjitha rasteve të mundshme të abuzimit në detyrë nga ana e punonjësve të policisë, që kryejnë veçanërisht shërbimin në Pikat e Kalimit Kufitar. Në këtë letër–porosi janë detajuar më së miri të gjitha masat që duhet të marrin sektorët përkatës, veçanërisht në zonat turistike, në të cilat mendohet se do të ketë një numër të konsiderueshëm pushuesish. Së fundmi, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nisur nga rastet e konstatuara vitin e shkuar, por dhe këto ditët e fundit, u kërkon të gjithë drejtuesve të mjeteve, të cilët vijnë nga jashtë vendit për të kaluar festën e Pashkës, të tregohen të kujdesshëm në drejtimin e mjeteve, duke mos tejkaluar shpejtësinë e lejuar dhe të mos abuzojnë me konsumin e pijeve alkoolike, duke evituar në këtë mënyre aksidente të rënda automobilistike.