Interpoli ekstradon vrasësin 35-vjeçar
18/05/2005 TIRANË- Ekstradohet nga Genti i Belgjikës, Petrit Marku, 35 vjeç nga Mirdita, i cili për vite të tëra mbajti pseudonimin Haki Mulaj. Ai është dënuar me 25 vjet burg për veprën penale të vrasjes dhe të armëmbajtjes pa leje. Krimin ai e ka kryer në 16 shkurt të vitit 1999, në rrugën "Mine Peza", pranë bar “Florial”, kur i dënuari ka ekzekutuar Manil Likën. Burimet policore të Interpol Tiranës, struktura që e ekstradoi, thanë se konflikti mes tyre ka filluar kur Manil Lika ka pasur një përplasje me vëllezërit Franc e Gjin Doda nga Mirdita. Edhe pse ky konflikt ishte mbyllur, pasi palët ishin pajtuar, Marku ka insistuar që Manili të vriste vëllezërit Doda. Mëngjesin e 16 shkurtit të 6 viteve me parë, viktima, pasi ka çuar fëmijët në shkollë, shkoi te lokali ku ndodhi krimi. Sipas burimeve policore, mësohet se aty u krijua një gjendje e vështirë dhe e gjitha ndodhi për një pyetje të vetme "Pse më shikon me inat". Fillimisht të dy protagonistët janë ndarë qetësisht, pasi viktima u largua për në shtëpi. Nuk vonoi tepër dhe mbërriti sërish te lokali. Marku e pa teksa doli nga lokali dhe la dhe pijen përgjysmë, ndërsa kundërshtari i tij po vazhdonte i qetë kafen. Por teksa ai po kapërcente pragun e lokalit, është tërhequr nga Petrit Marku, i cili e ka qëlluar pesë herë në kokë dhe trup, duke e lënë të vdekur në vend. Autori i krimit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u shpëtuar prangave të policisë, por jo përgjithmonë. Ai është arrestuar në nëntor të vitit 2003 në Gent të Belgjikës, edhe pse përdorte pseudonimin Haki Mulaj nga Kosova. Fillimisht, ai është arrestuar si shtetas kosovar. Marku ishte banor i rrugës "Don Bosko" në Tiranë dhe u shpall në kërkim nga Komisariati numër 3, i cili dërgoi dosjen tek Interpol Tirana.