E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano: "Berisha besohet më pak se Nadiri, që hodhi të tjerët nga Hotel Tirana"

16/01/2005  Kryefjala e kryetarit të Partisë Socialiste në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të kësaj partie ka qenë struktura më e re e Partisë Demokratike. Duke sulmuar Sali Berishën, si ideatorin e krijimit të Komitetit të Orientimit të Politikave në PD, Kryeministri Nano tha se, "e ashtuquajtura hapje e PD-së ndaj shoqërisë civile, ky teatër i keq i radhës dhe i kurdisur nga mendja e këtij doktori të pashërueshem, nuk ka pse të na fusë ne në ndonjë grackë apo në ankth". Sipas Nanos, PS-ja gjithmonë ka qenë në një proces të pandërprerë të emancipimit dhe bashkëpunimit me gjithë shoqërinë. Në fjalën e tij, Nano nuk ka harruar të kujtojë dhe vitin 1997, duke akuzuar Sali Berishën për ngjarjet e atij viti.

Niti ´97

Sipas Nanos, "djegia e Shqipërisë në vitin '97 nuk ishte rastësi, por produkt i berishizmit të PD-së, i cili nuk është shëruar dhe sot e kësaj dite nga kjo sëmundje, pavarësisht makiazheve që ai bën para çdo fushate. Në këto truke, Berisha besohet më pak se Nadiri që hodhi të tjerët nga Hotel Tirana. Shqiptarët e njohin mirë dhe nuk besoj se do të pranojnë t’i hedhë sërish Berisha në humnerë". Ndërkohë që thirrjet e liderit demokrat për ndryshime, Nano i ka cilësuar si "të pabaza, sepse çdo ndryshim mbështetet mbi analizën e ecurisë, e cila preket çdo ditë nga qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë". Kryetari i socialistëve ka kërkuar gjithashtu një angazhim të strukturave të partisë së tij "për t'i thënë ndal sërish, klikës revanshiste të Sali Berishës, që kërkon pushtetin për të shkatërruar shtetin dhe për t'u hakmarrë ndaj transformimit progresist dhe evropian, që ka izoluar këtë grup njerëzish nga skutat e së kaluarës". Sipas Nanos, për socialistët "pushteti nuk është pasuri private dhe nuk është qëllim në vetvete. Ne kemi detyrë të shenjtë njerëzore dhe prindërore të mbrojmë brezin e ri nga ethet për pushtet dhe marrëzia e aventurierëve politikë të tipit Berisha".

Detyrat

Duke shprehur besimin në fitoren e një mandati të tretë qeverisës, Nano ka bërë një rezyme të 8 viteve në pushtet. Ai tha: "Kur erdhëm në pushtet në vitin '97 gjetëm një Shqipëri të vrarë, të zhvatur, të dembelosur, të papunë, të djerrë, të pashpresë, të coptuar, të izoluar. Transformimi i madh ndodhi kur PS-ja garantoi ligjërisht pasuritë dhe pronat, i bënë ato të përdorshme ekonomikisht, të kreditueshme dhe të tregtueshme. Qeveria diti të menaxhoj me nikoqirllek uljen e borxheve të trashëguara nga regjimi i Berishës". Nano i ka cilësuar opozitën shqiptare si një lukuni që "nuk e ha meraku për të luftuar korrupsionin, por që të vijë në pushtet për të realizuar korrupsionin e vet, i cili është rishfaqur kudo në vendimmarrjen e niveleve lokale". Strategjive të PD-së në këtë prag zgjedhjesh Kryemisnitri shqiptar do t'i përgjigjet me ritmet e reformave, të cilat, sipas tij, "nuk duhet të ndërpriten as në zgjedhjet e verës 2005, për t’i thelluar ato me një ritëm të ri deri të paktën në vitin 2009". Duke iu referuar asaj që do të sjellë procesi zgjedhor, Nano thekson se "problemi kryesor në zgjedhje është indiferenca, abstenimi, sepse pavarësisht vlerësimeve të analistëve të kafeneve apo zyrave të sondazheve, vlerësimet serioze tregojnë se partia e Sali Berishës nuk ka asnjë pikë rritjeje. Sondazhet tregojnë gjithashtu, se elektorati nuk e ka humbur besimin te PS-ja".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›