E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpoli merr “dhuratën” e Parlamentit turk

26/11/2009  Aldo Bare zbret me zinxhirë nga çarteri, dërgohet tek 313. Enigma e ekstradimit

Elton Qyno

TIRANE- I rrudhur në fytyrë, por edhe me një frymë dëshpërimi që e karakterizonte në ato momente, Aldo Bare është sjellë nga Turqia në Tiranë si një padron i vërtetë. Për transportimin e tij drejtësia shqiptare ka paguar një avion luksoz të tipit çarter. Vetë protagonisti i këtij udhëtimi nuk ka pasur asnjë informacion se në çfarë toke do të shkelte, pasi për “kokën” e tij kishte shfaqur simpati edhe drejtësia italiane, e cila e akuzon për trafik ndërkombëtar të drogës. Mësohet se katër ditë më parë, Parlamenti turk kishte vendosur ti japë “ok” kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e të shumëkërkuarit Aldo Bare. Mirëpo duke parë nivelin e lartë të rrezikshmëri së 45-vjeçarit lushnjar si dhe mbështetjen e madhe që ai ka nga eksponentët kriminale në Shqipëri, atij nuk i është komunikuar vendimi i ekstradimit. Mësohet se me të Bare është njohur vetëm në momentin, kur policia turke ka shkuar në qelinë e tij, nga ku e ka marrë për ta transportuar drejt vendit tonë. Fillimisht ai është befasuar duke pohuar se nuk ka qenë dëshira e tij të rikthehej në Shqipëri, por më pas i është nënshtruar vendimit, ku i lidhur këmbë e duar me zinxhirë ka pranuar të shkelë tokë shqiptare, prej së cilës ishte larguar gati 5 vjet me radhë. Ka qenë pikërisht ora 10:05 kur çarteri turk është ulur në pistën e Rinasit, në të cilën ishin dislokuar forca të shumta policie të mbështetura edhe me automjete të blinduara. Ndërkohë që dera e avionit hapej, dy efektivë të repartit RENEA, janë afruar afër tij, për të marrë në dorëzim “dhuratën” turke. Në ato momente u duk pamja e një njeriu, që po zbriste dalëngadalë shkallët e avionit. Ai ishte Alfred Shkurti, personi që për vite me radhë qe kthyer në tmerrin e qytetit të Lushnjës dhe rrethinave të tij. Sapo ka hedhur hapin e parë në tokë, “i madhi” siç preferohej të thirrej nga ushtarët e bandës, është “rrëmbyer” nga dy efektivat e RENEA-s, të cilët e kanë drejtuar në një autoblindë të policisë, e cila ishte vënë në dispozicion posaçërisht vetëm për të. Me një pamje të lodhur në fytyrë, por tepër strikt në qëndrim dhe shikim, Aldo Bare ka përshëndetur edhe mediat e shumta që ishin dislokuar në ato momente në aeroportin e Rinasit. Në pamundësi për të hipur në autoblindën e policisë, pasi këmbët dhe duart i kishte të lidhura me zinxhirë, dy efektivët e RENEA-s e kanë ngritur duke e futur brenda të shumëkërkuarin Aldo Bare. Ky i fundit për 25 minuta është transportuar në ambientet e burgut 313, ku mësohet se është rehabilituar në dhomat VIP ku qëndrojnë emra të njohur të botës së krimit. Pikërisht pas disa orësh, dy hetues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë “vizituar” kapo bandën Alfred Shkurti, të cilit i kanë komunikuar të gjitha akuzat që Prokuroria nga ngritur ndaj tij. Pasi dëgjoi me vëmendje hetuesit, Shkurti është shprehur se dëshiron një avokat, për të mbrojtur të drejtat e tij në gjykatë. Të ndodhur në këto kushte ekspertët e Krimeve të Rënda janë larguar, duke pritur që ditën e sotshme 45-vjeçari Aldo Bare, të dalë papara gjykatës dhe të njihet me masën e sigurisë “arrest në burg” të vendosur 3 vjet më parë.

Italianët të gatshëm

Sapo kanë dëgjuar lajmin se në Shqipëri ka zbritur i shumëkërkuari Aldo Bare, hetues italianë mësohet të kenë shfaqur interes për të ardhur në Shqipëri me qëllim marrjen në pyetje të tij. Një gjë e tillë bëhet me dije nga burime pranë Ministrisë së Drejtësisë, të cilat thanë se prokurorë të antimafies, kërkojnë që të zhvillojnë një seancë pyetësore me të tmerrshmin e Lushnjës, i cili akuzohet në Itali për një sërë veprash penale duke filluar nga trafik ndërkombëtar droge e deri në vjedhje. Aktualisht nuk dihet me saktësi nëse kërkesa e tyre do të merret parasysh, por burimet thanë se tani për tani është shumë shpejt për të shqyrtuar kërkesën e autoriteteve italiane. Mësohet se Prokuroria e Antimafies në Milano, prej vitesh kishte vënë në përgjim të gjithë anëtarët e bandës. Nëpërmjet bisedave telefonike italianët, arritën të zbardhnin linjat e trafikut të drogës, si dhe njëkohësisht të ndihmonin palën shqiptare për zbardhjen e disa vrasjeve të mistershme siç ishte ajo e biznesmenit Baki Taullai. Ndërkohë që mbi bazën e përgjimeve antimafia italiane prangosi numrin dy të bandës së Lushnjës Enver Dondollaku, i cili nga mediat italiane është quajtur me nofkën “Gjakatari”.

Banda e Lushnjës

Banda famëkeqe e Lushnjës fillesat e saj, i ka rreth vitit 1995 ku një sherr midis Tur Dajës dhe Alfred Shkurtit që kishte si motiv influencën e disa zonave të drogës, bëri që dy personat të krijonin grupet e tyre kriminale me qëllim eliminimin e njëri-tjetrit. Mirëpo përkundër këtyre zërave, ajo që ka dokumentuar Prokuroria është se si moment i krijimit të organizatës, e ashtuquajtura “Bandë e Lushnjës” apo “Grupi i Alfred Shkurtit” është vrasja dhe dhunimi i kufomës së shtetasit Ramadan Shkurti, vëllai i Aldo Bares, në muajin korrik të vitit 1997 në qytetin e Lushnjës. Kjo vrasje erdhi si pasojë e përballjes me bandën e shtetasit Artur Daja, banor i qytetit të Lushnjës. Sipas Prokurorisë, pas vrasjes shtetasi Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Dajës dhe pjesëtarëve të bandës, krijoi bandën e tij. Aldo Bare ka një rol dhe autoritet absolut në organizatë. Të gjithë anëtarët kanë pasur një disiplinë të fortë të drejtuar dhe të kontrolluar nga Bare. Prej tyre ky thirrej me nofkat të tilla si: “i madhi”, “profesori” ; “kryetari” e të tjera. Të gjitha urdhrat për vrasje zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e organizatës, në rast të kundërt ata zhvisheshin lakuriq dhe nxirreshin në qendër të qytetit.

Në pritje të superprocesit gjyqësor

Misteret e gjykimit dhedilemat për avokatët

TIRANE- Në orët e paradites së sotshme, pritet që i forti i qytetit të Lushnjës, të dalë përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda, me qëllim njohjen e tij me masën e sigurisë “arrest në burg”. Burime pranë organit të akuzës thanë se do i qëndrojnë besnik pretendimit të tyre, që 45-vjeçari Bare të qëndrojë në burg, pasi shfaq nivel të lartë në shoqëri. Nuk dihet me saktësi se cili do të jetë mbrojtësi i Aldo Bares, por burimet thonë se do jetë avokati Vladimir Meçe. Sakaq, në Turqi ai ka pasur avokatin turk Cemil Can (Xhemil Xhan). Në qoftë se Vladimir Meçe nuk do të pranojë të jetë prezent në sallë atëherë, gjykata do të vendosë një avokat kryesisht. Ndërkohë që për sa i përket procesit gjyqësor ndaj Aldo Bares më datën 27 tetor të këtij viti gjyqtarja Fatmira Hajdari vendosi të shtyjë atë me 3 muaj, pasi Ministria e Drejtësisë nuk kishte ekzekutuar letërporosinë në Turqi. Për këtë shkak, gjykata u shpreh se seanca gjyqësore do të shtyhet për tre muaj, për të vazhduar më datë 10 janar 2010, kohë kjo, sipas tyre, e mjaftueshme për të shkuar dhe kthyer përgjigja e letër-porosisë. Sipas kësaj letër-porosie, gjykata kërkonte të vinte në dijeni të pandehurin Bare për gjyqin që do vazhdojë në Tiranë, dhe çfarë të drejta i jep mbrojtësit të tij ligjor avokat Meçes. Tashmë kjo gjë pritet të kryhet shumë shpejt, pasi njeriu më i kërkuar i drejtësisë shqiptare, është ekstraduar. Gjatë zhvillimit të gjyqit pritet të ketë dëshmi interesante nga i pandehuri Aldo Bare, i cili do të sqarojë pozicionin e tij me krimin dhe politikën shqiptare. Gjithashtu i tmerrshmi i qytetit të Lushnjës, do të përballët me një numër të madh dëshmitarësh, të cilëve u ka vrarë njerëzit e afërm. Përfaqësues nga organi i akuzës shprehen skeptikë mbi praninë dhe dëshmitë që do të japin dëshmitarët përballë Aldo Bares, pasi ata mund të gjunjëzohen përballë mitit të frikshëm, që super i kërkuari kishte ndërtuar në qytetin e tyre. Aldo Bare ka marrë një vendim me 7 vjet burg në Elbasan për pengmarrje dhe falsifikim dokumentesh.

Aldo Bare akuzohet për veprat penale të:

“Vrasjes me paramendim” të shtetasve Genci Kashari, Artur Daja, Xhevat Demiri, Nimet Zeneli, Gramoz Selmani dhe Masar Aliu. Sakaq ai akuzohet zyrtarisht edhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, “Shkatërrimit të pronës me zjarr” të banesës së Shkëlqim Haxhiut, “Krijimit të organizatës kriminale”, “Kryerjes të veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Shkatërrim varesh”

Krimet e Bandës së Lushnjës janë:

Vrasjen e Artur Dajës

Prerja e kokës së Dajës dhe shëtitja e saj në Lushnjë

Vrasjen e shqiptaro-maqedonasit Xhevat Demiri

Vrasjen e mbetur në tentativë të shefit të policisë Lushnjë Sinan Meta

Vendosjen e lëndës eksplozive me telekomandë në stadiumin e futbollit Lushnjë.

Vrasjen në vitin 2000 të inspektorit të Policisë Kriminale Klejdi Bano

Vendosjen në vitin 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit Idriz Shuli

Vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut

Vendosjen në 2005-n të eksplozivit në banesën e një punonjësi policie në rrugën “Don Bosko” në Tiranë

Vendosjen e minës me telekomandë në makinën e ish-drejtorit të Policisë Kriminale Xhavit Shala

Vrasjen në vitin 2005 të biznesmenit Baki Taullaut

Dyshohet për vrasjen e kryetarit të SHIK-ut, Lushnjë Bashkim Shkurti

Dyshohet për vrasjen e ish-nënkryetarit të Bashkisë Lushnjë Drago Voshtima

Anëtarët e bandës së Lushnjës:

Aldo Bare

Enver Dondollaku

Dritan Vila

Petrit Liçi

Maksim Çela

Erjon (Niko) Çiçi

Erjon Kashari

Elton Mermali

Arben Boriçi

Enver Boriçi

Enver Rabija

Bardhyl Rabija

Ilir Stërgu

Rexhep Gina

Hysni Ymeri

Eduard Demiri

Luan Avdyli

Arjan Aliço

Agur Musaku

Afrim Hoxha

Leonard Prifti

Ende sdihet vazhdimi

Pronat e bosite përpjekjetpër sekuestro

Pronat e Aldo Bares ishin bërë objekt i autoriteteve të drejtësisë e Prokurorisë, për sa i përket sekuestrimeve. Ndër këto pasuri përmenden ndërtesë dykatëshe në afërsi të komisariatit Lushnjë, pasuria e lagunës së Karavastasë, ndërtesa në lagunën e Karavastasë, bingo në qendër të qytetit Lushnjë, aksionet që ka pasur për pastrimin e qytetit dhe taksat e mbledhura nga stadiumi “Roza Haxhiu”. Aldo Bare, i quajtur Mikel Kodra, ia ka shitur gati gjithë lagunën, një personi tjetër. Por, akt-shitblerja është bërë në mënyrë të tillë, sikur Aldo Bare ta kishte pronë të tijën lagunën dhe jo të marrë me qira. Toka, pyje e ndërtesa, prona të shtetit, ai i ka shitur duke pronësuar një tjetër person me to. “Vetëm pjesa e detit nuk është shitur prej Aldo Bares”, thonë burimet e Prokurorisë. Tashmë, me mbërritjen e tij do të vendoset se si do të procedohet me këto prona.

Baza e bandes

Komisariati paralel

200 m larg

nga i vërteti

Policia dhe Prokuroria kanë siguruar prova, të cilat do të bëjnë të mundur sekuestrimin e aktivitetit të lagunës së Karavastasë dhe objektit të ashtuquajtur Komisariati nr. 2 i Lushnjës, që janë zotëruar nga Aldo Bare dhe anëtarët e Bandës së Lushnjës. Është një godinë njëkatëshe, e ndodhur jo shumë larg komisariatit të policisë së qytetit të Lushnjës, me sipërfaqe rreth 470 metra katrorë, e cila zotërohet nga Alfred Shkurti (Aldo Bare), ku sipas Prokurorisë dyshohet se, aty kryheshin mbledhjet e Bandës së Lushnjës. Ndërkaq, janë verifikuar edhe pasuri të tjera si lokale e bingo, që mendohet se janë në zotërim të bandës së Aldo Bares. Pikërisht në godinën njëkatëshe me disa dhoma, të ashtuquajtur nga qytetarët e Lushnjës si Komisariati nr.2, që ndodhet rreth 200 metra larg komisariatit të policisë së qytetit të Lushnjës, dyshohet të jenë diskutuar e të jenë marrë vendime nga drejtuesit e Bandës së Lushnjës.

Prokuroria për Krime të Rënda ka paraqitur në gjykatë listën me provat kundër Aldo Bares, Enver Dondollakut, etj. Në mes të kësaj liste gjenden edhe emrat e 123 dëshmitarëve, të cilët do të pyeten rreth ngjarjeve kryesore të ndodhura në qytetin e dominuar prej disa vitesh nga Alfred Shkurti, ose i quajtur ndryshe Aldo Bare.

Përshtypjet e banorëve të qytetit myzeqar, përjetimi i ekstradimit të “Kapobandës”

“Mbreti i ri lushnjar”

kapitull i lënë pas…

Aurora Damini

LUSHNJË- Qyteti myzeqar duket fare indiferent për ekstradimin nga Turqia të një prej emrave që 10 apo 12 vjet më parë ishte bërë tmerri i banorëve lushnjarë ose siç njihej nga turma dhe anëtarët e bandës së tij famëkeqe “mbreti i ri lushnjar”. Në orën 11 të paradites, kohë kur Bare shkeli në Rinas, qyteti ku Alfred Shkurti u rrit, kalonte një ditë më se të zakonshme. Tregtarët industrialë tregtojnë ku të mundin, ca nëpër tregje private, ca në rrugë, ca enden andej-këtej në pritje të tregut të ri tek spitali. Shumë qytetarë enden zyrave të Bashkisë për problemet e tyre familjare e në institucione puna vijon normalisht. Thuajse të gjithë që u pyetën për ekstradimin e Aldo Bares, u përgjigjën me indiferentizëm si një emër i harruar tashmë, i rikujtuar vetëm nga media, por duket se ndokush ende i ka të fiksuar në mendje ato vite kur terrori përhapej në qytet nga kjo bandë. “Tani i është harruar pak emri, por deri para ca vitesh dridhej edhe foshnja në bark kur dëgjonte emrin Aldo Bare. Mos ardhtë kurrë ajo kohë. Nuk guxonte të dilte kush nga shtëpia”,-thotë një qytetar që spranoi të identifikohej. Një tjetër, quajtur D. K. thotë se “Janë punët e policisë shqiptare, sna përket ne. Shumë mirë kanë bërë që e kapën dhe madje edhe e ekstraduan. Mësova nga televizori se e kanë sjellë me një çarter të lidhur duar e këmbë me zinxhir. Interpoli ka bërë një punë të mirë, pavarësisht se ekstradimi ka zgjatur 3 vjet pothuajse”. Nëse pyet më të vjetrit e qytetit për Aldo Baren ata të përgjigjen me ngritje supesh madje edhe me habi si një histori e mbetur pas, si një kapitull tejet i mbyllur, apo një “mit” famëkeq që i tillë u quajt vite më parë. Banorët lushnjarë shpejtojnë për në punët e përditshme. Shumë të tjerë nuk dëshirojnë fare të flasin. Gazetarja e një gazete lokale, A. S. pohon se në qytetin e saj nuk ka se kush të interesohet më për të. “Duket një kapitull i mbyllur”,-pohon ajo.

Shtëpia bosh

Sakaq, nëna, vëllai, motrat, madje deri tek farefisi dhe kushërinjtë e largët kanë ikur prej kohësh nga Lushnja. Nuk ka se kujt ti interesojë më Aldo Bare. Ai që dikur ka qenë “kapobanda” e Lushnjës dhe sidomos Lagunës së Karavastasë, zonës së Divjakës, etj tashmë duket në qytet si një histori e largët killerash që përfunduan të shpartalluar të gjithë. Ndodhën shumë vrasje, rrëmbime personash, dhunime, gjoba të majme tregtarësh, djegie e vrasje makabre deri tek “shëtitje kufomash” siç është bërë me Tur Dajën apo edhe vrasje mafiozësh më 3 korrik 2005. Ndërsa simpatizantë të politikës festonin fitoren ku në qendër të Lushnjës janë vrarë Baki Taullaj dhe Leonard Prifti, ky i fundit anëtar i bandës së njohur së Aldo Bares.

Vizitë në Karavasta

Ka ardhur disa herë ish-drejtori i përgjegjshëm i policisë së shtetit Barjam Ibraj tek peshkatarët e zonës së Karavastasë dhe Divjakës për të marrë mendimin e tyre për situatën policore në vend dhe përshtypjet e tyre pas arrestimit të Aldo Bares në Turqi.” Lidhur me takimet e shpeshta të Ibraj me peshkatarët e zonës së Divjakës dhe lagunës së Karavastasë flet edhe një prej peshkatarëve të asaj zone ardhur rishtazi në qytetin e Lushnjës, Jani Pjetri. “Mbaj mend që Ibraj ka pritur një përfaqësi të peshkatarëve të zonës”, thotë Pjetri. Ai kujton se Ibraj u kishte thënë peshkatarëve: “Kam ardhur të bisedoj me ju dhe të marrë opinionin tuaj lidhur me punën e policisë së shtetit për goditjen e bandës famëkeqe të Aldo Bares, ku më shumë se kudo, veprimet e tyre kriminale janë bërë në këtë zonë, ndaj dua të njoh shqetësimet tuaja”. Përfaqësia e peshkatarëve i kishte shprehur ish-kreut të policisë së shtetit mirënjohjen e tyre për kapjen e Aldo Bares dhe sidomos luftës që ka bërë kohët e fundit policia vendase për kapjen e mbeturinave të bandës famëkeqe. Ndërkaq peshkatari Pjetri pohon se “Kjo ka ndodhur para 2 vitesh, ndërsa tani unë kam ardhur me banim në qytetin e Lushnjës, por di që situata mes peshkatarëve ka kohë që është e qetë, veç pylli i Divjakës ka mbetur si mos më keq, pa vënë dorë nga askush si për të na kujtuar të gjithëve atë kohë të tmerrshme”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›