E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista Dade: “Ndërprerja e bojkotit, kompromisi i tretë”

Autori i Lajmit: Redaksia

Hyrja në Parlament është kompromisi i tretë që Partia Socialiste bën me mazhorancën qeverisëse. Kështu shprehet deputetja Arta Dade në një intervistë për BBC-në. Sipas saj, bojkoti i Parlamentit për muaj me radhë arriti frytet e veta, sepse mundi të ndërkombëtarizonte çështjen. Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS pohon se Grupi i Partisë Socialiste ka qenë vazhdimisht i gatshëm që pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve për të hyrë në Parlamentin e Shqipërisë. Sigurisht, duke kërkuar transparencën e plotë të procesit zgjedhor, përfshirë edhe hapjen e kutive. “Për këtë arsye ne kemi qëndruar jashtë Parlamentit, sepse kjo kërkesë nuk është përmbushur. Fakti që kjo kërkesë e opozitës ka marrë tashmë vëmendjen jashtëzakonisht të madhe, e tregon jo vetëm prezenca e Këshillit të Evropës, por edhe e një numri personalitetesh të tjera në Tiranë, tregon që bojkoti i opozitës ka dhënë frytet e veta në sensibilizimin e gjithë opinionit ndërkombëtar, por edhe vendas, që kërkesa e Partisë Socialiste është një kërkesë kushtetuese, është një kërkesë normale, e cila nuk mund të anashkalohet as të mos lejohet edhe për arsye se nuk ka vend demokratik, nuk ka vend anëtar të NATO-s, nuk ka vend që aspiron të jetë në Bashkimin Evropian që të mos bëjë transparencën e plotë të procesit zgjedhor”, - shprehet ajo.
Zonja Dade, PS vendos të hyjë tashmë në Kuvend për shkak të kërkesës së ndërkombëtarëve?
Sigurisht që ne do ti konsiderojmë sugjerimet e miqve dhe të partnerëve tanë dhe në radhë të parë miqve dhe partnerëve të Shqipërisë, duke dëgjuar edhe ato sugjerime që kanë dhënë lidhur dhe me integrimin në BE apo liberalizmin e vizave. Por ana tjetër e medaljes është se ne nuk mund të heqim dorë nga kërkesa jonë për transparencën e procesit zgjedhor përfshirë dhe kutitë. Faktet që kanë dalë nga ato qendra votimi që janë investiguar janë tronditëse dhe janë fakti dhe prova më e mirë që si këto kuti që janë investiguar, ka mjaft kuti të tjera. Si dhe për faktin që Berisha këmbëngul se nuk i hap kutitë, unë besoj se është një fitore e opozitës duke krijuar një pikëpyetje mjaft të madhe pse ky njeri insiston në mosbërjen transparente për atë që ka ndodhur më 28 qershor.
Si do ta kërkoni hapjen e kutive, sipas një ligji që do të miratohet në Kuvend apo sipas mendimit të Komisionit të Venecias?
Ato nuk janë në mospërputhje me njëra-tjetrën. Përkundrazi, janë komplementare me njëra-tjetrën. Sepse komisioni hetimor parlamentar nuk ka asnjë gjasë për kufizimin e hetimit për këtë arsye ne kemi avancuar dhe e kemi pasur gati, nëse ju kujtohet, kur e kemi bërë mitingun e madh në Tiranë. Ky ligj ka marrë miratimin edhe të mjaft qytetarëve jo domosdoshmërisht të anëtarëve të PS. Është për këtë arsye që ky ligj kërkon një hetim të pakufizuar dhe të pakushtëzuar. Nuk ka Parlament në botë që, pasi miraton një komision hetimor, ti kufizojë objektin e hetimit. Është vetëm në Shqipëri që neve na jepet shumica, por Kryeministri, në mënyrë absurde, këmbëngul që ky komision të diktohet nga mazhoranca përmes mekanizmit të votës në Kuvend.
Nëse ky absurd, siç shpreheni ju, vazhdon dhe ligji për hetimin e zgjedhjeve bëhet siç vendos shumica, do të hyni në Kuvend dhe do të dilni përsëri?
Ne po hedhim një hap dhe unë besoj se ky është kompromisi i tretë që bën PS lidhur me vullnetin pozitiv për të vazhduar dhe negociatat në tryezën e Presidentit. Kompromisi i parë është se ne e njohim rezultatin e shpallur nga gjykata zgjedhore, pavarësisht shkeljeve flagrante të Kodit Zgjedhor. Kompromisi i dytë është se ne nuk kërkojmë ndryshimin e rezultatit në tavolinë, pra sido që të dalë rezultati në tavolinë, ne nuk kërkojmë që rezultati të ndryshohet dhe, sigurisht, hapi tjetër që do të marrim duke i hequr dhe armën që ka pasur mazhoranca duke na sulmuar dhe duke dezinformuar edhe opinionin ndërkombëtar se ne jemi një parti e praktikave të bojkotit, sigurisht i bie dhe kjo armë. Duke bërë këtë hap, ne do të vazhdojmë të kemi një mbështetje më të madhe ndërkombëtare, të cilët kanë kërkuar që hetimi i plotë të bëhet përmes komisionit parlamentar dhe Parlamentit. Besoj se edhe një herë PS ka manifestuar pjekuri, pasi ka ndërkombëtarizuar krizën, pasi ka marrë mbështetje për hetim të plotë, që u spekulua dhe dje dhe për deklaratën e KE, gjë që u la e hapur dhe nga ky mision.
Në bisedimet ku unë kam qenë e pranishme, ata nuk e kanë përjashtuar në asnjë rast hapjen e kutive.

Ky lajm është publikuar: 25/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›