E Diel, 1 Nëntor 2026

"Nuk është aq i rrezikshëm sa ta lidhin me zinxhirë"

Familja e Aldo Bares jeton në një pallat katërkatësh, ngjitur me Komisariatin e Policisë së Lushnjës. Kati i dytë dhe i tretë i pallatit janë në pronësi të familjarëve të Aldo Bares, ose Alfred Shkurtit.
Në sheshin përpara pallatit dallon garazhet që administroheshin nga banda dhe që përdoreshin prej krerëve të saj si vendi ku merreshin vendimet e rëndësishme. Sot ato garazhe e kanë humbur funksionin e dikurshëm. Pallati dhe garazhet kanë mur të përbashkët me Komisariatin e Policisë. Apartamentin ku jeton nëna e Aldos, Ikbalja, na e tregon pronarja e një bari në rrugën kryesore.
Shkallët, që nga kati i parë deri në katin e tretë ku jeton nëna e Aldos, Ikbalja, janë të gjysmuara. Duket qartë se pallati është një nga më të vjetrit në qytet. Në katin e dytë ndodhet banesa ku ka jetuar vëllai i Aldos, Ramadani, vrasja e të cilit shënoi fillimin e metamorfozës së ish-policit Alfred Shkurti. Dera qëndron e mbyllur dhe nga banorët e lagjes mësojmë se atje jeton kunata e ve e Shkurtit dhe një fëmijë që ai la pas. Në katin e tretë jeton nëna e Aldos dhe përballë saj vëllai tjetër i tij, Zyberi. Në shkallë na pret gruaja e këtij të fundit.
Ajo hap derën e banesës së të vjehrrës dhe na fut në apartament. Që nga korridori i thotë të vjehrrës: "Nëne ka ardhur një gazetare të bisedojë me ty". Shtëpia është e ngrohtë dhe komode. Në murin përballë derës së dhomës së ndenjes është një pikturë e madhe e Ramadanit të vrarë.
Nëna e Aldos, Ikbalja, ngrihet nga kolltuku i kuq dhe përshëndet. Nuk e fsheh aspak që vizita në këtë moment nuk i pëlqen. Thotë se nuk ka ndodhur ndonjëherë që njerëzit të hyjnë kaq lehtësisht në banesën e saj. Gruaja e veshur në të zeza e ul tonin më pas dhe tregon se ekstradimi i të birit i kishte ardhur i papritur. "Më erdhi i papritur lajmi për ekstradimin. Nuk dinim gjë. U njoftova vetëm nga televizori. Më dhembi zemra kur e pashë të lidhur me zinxhirë kokë e këmbë. Nuk është aq i rrezikshëm sa ta lidhin ashtu", thotë Ikbalja.
Telefonin e mban pranë kolltukut, ku tregon se qëndron pothuajse gjatë 24 orëve. Për herë të fundit me Alfredin ka folur në fund të javës së shkuar. "Javën e kaluar fola dy herë. Nuk më njoftoi se do të ekstradohej. Bëmë bisedat e zakonshme për shëndetin dhe si ia kishim kaluar. Nuk ishte i shqetësuar. As ai as unë nuk e dinim ekstradimin", thotë.
Pas bisedës së shkurtër, Balja, siç i thërrasin shkurt, thotë se nuk ka qejf të dalë nëpër gazeta. Thotë se djalin, Alfredin, e ka të pafajshëm dhe zemrën e ka të vrarë për djalin që ia vranë barbarisht. "Jeta pas vrasjes së Ramadanit u bë e vështirë. Ajo ngjarje përmbysi ekuilibrin e familjes. Që prej asaj kohe gjithçka është ‘flu‘ në jetën time", thotë Ikbalja, ndërsa hap duart në formë lutjeje. Për t‘u shpëtuar pyetjeve të tjera merr drejtimin e derës së shtëpisë. Ndërsa përshëndet, thotë se tashmë do ta ketë më të lehtë takimin me djalin, edhe pse familjarëve të tjerë nuk u ka munguar kjo mundësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›