E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: 6 vjet burg për financuesin e terrorizmit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 6 vjet burg për personin që dyshohet se ka financuar terrorizmin në Shqipëri, Hamze Abu Rayan. Përfaqësuesi i organit të akuzës, Advin Kondili, ka lexuar konkluzionet përfundimtare, duke radhitur të gjithë veprën penale të shtetasve të huaj që kishin biznese në Shqipëri dhe fitimet e tyre i transferoi për qëllime të dyshimta. Sipas prokurorit, shoqëria "Hoxhall" me pronar të vetëm Jasin Kadi, ka pasur 19 objekte në Shqipëri, të cilat i kishte dhënë me qira. Si administrator të përgjithshëm të këtyre bizneseve, Kadi kishte vendosur shtetasin Hamze Abu Rayan dhe fitimet transferoheshin në një llogari bankare. Sipas prokurorit, akuzat e ngritura fillimisht nga Ministria e Financave janë vërtetuar në hetimin gjyqësor dhe për këtë arsye ai kërkonte dënimin e Rayan me gjashtë vjet burg dhe pesë milionë lekë gjobë. Pas konkluzioneve të prokurorit, ka reaguar i akuzuari. Ai ka deklaruar se akuzat janë të pabaza dhe do të vërtetojë në gjykatë se është i pafajshëm. Një seancë më parë, avokati i të pandehurit Hamze Abu Rayan, administrator i bizneseve të Jasin Kadit në Shqipëri, i ka kërkuar prokurorisë të tërheqë akuzën e financimit të terrorizmit. Sipas avokatit Sajmir Visha, Kadi nuk ka bërë asnjëherë financim për terrorizimin dhe për këto arsye ai ka fituar betejën me drejtësinë. Ndërkohë, akuza këmbëngul se Abu Rayan, në funksionin e administratorit të bizneseve të sheikut Jasin Kadi, ka vjelë qira të objekteve, edhe pse ato ishin të bllokuara. Po sipas akuzës, në vijim paratë e fituara nga bizneset transferoheshin në llogari bankare të paidentifikuara.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›