Këshilli i Ministrave të Turqisë vendosi ekstradimin
Këshilli i Ministrave në Turqi ka vendosur ekstradimin e Aldo Bares, kreut të Bandës së Lushnjës, i akuzuar në Shqipëri për dhjetëra krime. Katër ditë më parë, kabineti "Erdogan" ka votuar pro ekstradimit të Bares në atdhe, ku po gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasje, pengmarrje, dhunim varresh etj., të gjitha në kuadër të organizatës kriminale. Pas tre vitesh përballje me drejtësinë për ekstradimin, Gjykata e Lartë Turke vendosi që të pranojë kërkesën e palës shqiptare për të deportuar kreun e Bandës së Lushnjës. Sipas legjislacionit turk, vendimet e gjykatës duhet të kalojnë në qeveri dhe me një vendim rutinë ministrat e kabinetit "Erdogan" votuan që Bare të ekstradohej në atdhe. Pasi vendimi është njoftuar në rrugë diplomatike, Ministria e Jashtme në Shqipëri filloi menjëherë procedurat për ekstradimin. Në konspiracion të plotë, pala shqiptare pagoi një avion çarter dhe dje, rreth orës 10:00, kreu i Bandës së Lushnjës ka mbërritur në aeroport. Një orë më vonë, duke kaluar edhe procedurat në polici, ai është dërguar në paraburgimin 313 në Tiranë, i konsideruar burg i sigurisë së lartë. Drejtori i Burgut, Shkëlqim Kalemi, në një prononcim për gazetën "Shqip" tha se Bare po trajtohet si të gjithë personat e tjerë që ndodhen në këtë paraburgim. Ai ka kaluar në dhomën e observimit në katin e dytë të burgut, ku u është nënshtruar kontrolleve mjekësore si dhe u përgatit i gjithë dokumentacioni për akuzat ndaj tij. Dy oficerë të policisë gjyqësore pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, dje, rreth orës 11:15, kanë komunikuar me personin e ekstraduar, duke i bërë të ditur një masë sigurimi "arrest me burg" të vendosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2006. Më tej, oficerët e policisë gjyqësore i lexuan të pandehurit edhe akuzat që rëndojnë ndaj tij, ndërsa i bënë me dije se ka të drejtë të marrë një avokat. Sipas burimeve nga burgu 313, kreu i Bandës së Lushnjës nuk ka pranuar të flasë para përfaqësuesve të prokurorisë, duke deklaruar vetëm se "kërkoj një avokat". Pas procedurave të zakonshme personeli i burgut e ka njohur me të drejtat që ka në burg dhe për nevoja urgjente mund të flasë në çdo kohë me personelin e burgut. Drejtori Kalemi tha se procedura në dhomën e observacionit do të zgjasë rreth tri ditë dhe më pas do të kalojë në seksione të veçanta që ndodhen në këtë institucion për personat që ndodhen në gjykim.
S.Çobo
S.Çobo