Intervista/ Flet kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, Ferdinant Xhaferri

“Fitorja e PD-së, më e thella në 20 vitet e fundit, sepse ne e dimë ku do të shkojmë 4 vitet e ardhshme”
Kandidati i Partisë Demokratike për Qarkun e Durrësit, Ferdinant Xhaferri, i cili ka përfaqësuar për 4 vjet qytetarët durrsakë në Parlamentin shqiptar, në një intervistë për “Gazetën 55”, shprehet i sigurt për fitoren e PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit. Qëndrimin e tij Xhaferri e mbështet në bilancin pozitiv që qeveria e Kryeministrit Berisha po e mbyll legjislaturën e saj qeverisëse.
Duke sjellë në vëmendje të gjitha reformat e suksesshme të qeverisjes së djathtë në të gjithë sektorët, si rritjen e pagave dhe pensioneve, përgjysmimin e taksave, Xhaferri veçon arritjen historike, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ndërtimin e kryeveprës së shekullit, rrugën Durrës-Kukës. Kandidati Xhaferri, i cili garon për qarkun e Durrësit ndjehet i sigurt për fitoren e Partisë demokratike në këtë qark, edhe për faktin, siç argumenton ai, se e majta nuk ka fituar asnjëherë në këtë qark.
Këtë siguri Xhaferri e mbështet edhe në vëmendjen e madhe që qeveria ka pasur ndaj qytetit të Durrësit, dhe të asaj çfarë është investuar dhe do të investohet edhe gjatë mandatit të ardhshëm në qytetin bregdetar.
Kandidati Xhaferri shpreh bindjen më të plotë se fitorja e Partisë demokratike do jetë më e thella e historisë 20-vjeçare të pluralizmit. Ferdinanat Xhaferri, i cili ka qenë dhe Kryetar i Komisionit Hetimor “Rama 2”, risjellë dhe njëherë në vëmendje çështjen e hapur ndaj kreut socialist, Edi Rama, i cili po hetohet për shkelje të proceduarave të dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë abuzive. Lidhur me këtë çështje Xhaferri shprehet se mënyra se si ka abuzuar me lejet e ndërtimit Edi Rama dhe rrugaçëria për të ndarë ndyrësisht miliardat me dy punonjës të tij nuk mund të rri pa u ndëshkuar, për faktin e thjeshtë se gjerat janë kaq të qarta sa nuk ka prokuror që mund ta mbrojë apo mbulojë.
Në këndvështrimin tuaj, si po shkon deri tani fushata zgjedhore në sensin e prezantimit të ofertës politike të së djathtës në raporti me kampin opozitar?
Shqiptarët nga dita në ditë po konstatojnë se ofertë konkrete për të gjitha shtresat shoqërore në Shqipëri ka vetëm Partia Demokratike dhe Sali Berisha. Pra, PD dhe Berisha i thonë konkretisht shqiptareve se çfarë ishim në gjendje të bënim këto katër vite duke filluar me anëtarësimin në NATO e vazhduar me Rrugën Durrës-Kukës dhe 5900 km rrugë. Me dyfishimin e pagave të arsimtarëve dhe 1012 shkolla të ndërtuara dhe rindërtuara. Me dyfishimin e pensioneve dhe nxjerrjen e 400 mijë shqiptarëve nga varfëria. Me zgjidhjen përfundimtare të problemit të energjisë elektrike dhe me nisjen e punëve konkrete në 104 hidrocentrale që Shqipëria të kthehet në fuqi rajonale energjetike. Me përgjysmimin e taksave të biznesit të vogël dhe vendosjen e taksës së sheshtë 10 për qind si edhe me lehtësimin e procedurave të të bërit biznes. Me 8-fishimin e numrit te turisteve dhe nisjen e gjashtë parqeve industriale dhe kështu me radhë. Pra kudo shqiptarët kanë parë që vendi është në një proces të mbarë transformimi. Po kështu, Berisha dhe PD e dinë shumë mirë se ku duhet të shkoje vendi në katër vitet që vijnë. Pra, nga anëtarësimi në NATO ne do shkojmë tek liberalizimi i plotë i vizave që në vitin e parë. Nga zgjidhja përfundimtare e problemit të energjisë elektrike në mandatin e parë tek zgjidhja përfundimtare e problemit të furnizimit me ujë në mandatin e dytë. Nga një Shqipëri që u vizitua nga 2 milion e 700 mijë turistë në 2008-ën, në një Shqipëri krejtësisht turistike në katër vitet që vijnë. Nga 5900 km rrugë në mandatin e parë ne do shkojmë tek dalja brenda 15 minutave e çdo komune te vendit dhe kudo qoftë ajo në aksin rrugor nacional. Nga 1012 shkolla të ndërtuara në mandatin e parë ne do shkojmë në ndërtimin dhe rindërtimin e të gjitha shkollave të mbetura në mandatin e dytë. Nga dyfishim pensionesh në mandatin e parë, ne do barazojmë pensionet në fshat me ato në qytet në mandatin e dytë dhe pensionet e pensionisteve shqiptare do të kalojnë gjashtë vende të Bashkimit Evropian. Me parqet industriale që tashmë kanë filluar ne do të punësojmë 160 mijë shqiptare në katër vitet që vijnë.
Ju garoni në një qark që 4 vite më parë ka pasur një fitore të plotë ndaj rivalëve socialistë, ndërsa në lokalet e vitit 2007 shifrat flasin për një fitore jo të plotë. Cilat mendoni se do të jenë raportet mes PD dhe PS në këto zgjedhje ?
Në qarkun e Durrësit asnjëherë nuk ka fituar e majta. Në vitin 2007 ne patëm një fitore të thellë të së djathtës me 29 mijë vota më shumë se e majta në nivel qarku. Sfida jonë është që të shkojmë më tej dhe me shërbimin që PD ka ofruar në qark në mandatin e parë dhe me ofertën që kemi për mandatin e dytë kam bindjen më të plotë se fitorja jonë do jetë më e thella e historisë 20-vjeçare të pluralizmit.
Disa ditë më parë kërkuat nga Prokuroria e Përgjithshme fillimin e hetimeve për shkeljet ligjore të kryebashkiakut Edi Rama në dhënien e lejeve të ndërtimit, duke u bazuar edhe tek konkluzionet e komisionit të posaçëm parlamentar hetimor. A keni ndonjë reagim dhe cili do të jetë fati i dosjes hetimore “Rama 2”në rast se organi u akuzës serish do të jetë apatik si 3 vite të shkuara?
Rama aktualisht është person nën hetim. Prokuroria as nuk mund të fshehë këtë fakt dhe as nuk mund ta mbroje dot Edi Ramën. Ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë ka shkëmbyer informacion me Prokurorinë e Tiranës duke konfirmuar kështu se Edi Rama është nën hetim për aferën më të rëndë të korrupsionit që nuk ka ndodhur më parë në planet. Mënyra se si ka abuzuar me lejet e ndërtimit Edi Rama dhe rrugaçëria për të ndarë ndyrësisht miliardat me dy punonjës të tij nuk mund të rri pa u ndëshkuar për faktin e thjeshtë se gjerat janë kaq të qarta sa nuk ka prokuror që mund ta mbrojë apo mbulojë.
...