E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista Kurti: “Lëvizjet në qeveri shpëtuan Thaçin dhe Sejdiun”

Autori i Lajmit: Redaksia

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është shprehur se lëvizjet në qeveri nuk bënë gjë tjetër veçse shpëtuan largimin e Thaçit dhe Sejdiut. “Janë ndërruar disa ministra në mënyrë që të mos ndërrohen kryeministri dhe presidenti. Nuk pati kurrfarë arsyetimesh të veçanta pse këta ministra e jo të tjerë u shkarkuan”,- ka thënë Kurti në një intervistë për të përditshmen “Kosova sot”.
Sipas Kurtit, ata që shkuan “ishin më të kollajshëm për kryeministrin për ti sakrifikuar”. “Jeta e qytetarëve nuk ndryshon. Ndryshoi jeta e atyre që u bënë ministra dhe iu zgjat jeta në pushtet kryeministrit”,- ka thënë Kurti.

EULEX-i insiston të vazhdojë procesin ndaj jush. Përse nuk paraqiteni në gjykatë?
Nuk paraqitem në këtë gjykim për shkak se lëvizja “VETËVENDOSJE!” nuk e pranon EULEX-in. Po të shkoja unë vullnetarisht në gjykatë atëherë do ta shkelja qëndrimin e Lëvizjes sonë. EULEX-i është një mision policor, i cili nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe nuk i jep llogari as qytetarëve e as institucioneve të Kosovës, mbi të cilat ka edhe fuqi ekzekutive. Të gjithë pjesëtarët e EULEX-it, bashkë me familjet e tyre, kanë imunitet prej ligjit në Kosovë. Ata thirren në sundim të ligjit, por duke qenë se këtë e bëjnë nga pozita e të qenit mbi ligjin, kjo gjë i bën ata sundimtarë të ligjit. Siç e dimë, EULEX-i bazohet edhe në Rezolutën 1244 dhe 6-pikëshin e Ban ki-Munit dhe porsi UNMIK-u nuk ka afat të qëndrimit në Kosovë. Do të ishte e gabueshme dhe shumë e padrejtë ndaj “VETËVENDOSJE!-s që persekutohet prej EULEX-it dhe ndaj Kosovës që nuk e njeh EULEX-i që unë të shkoj në gjykatën e tyre.

A do të paraqiteshit nëse trupi gjykues do të ishte i përbërë vetëm nga vendorët?
Jo, sepse gjyqësia në Kosovë është tërësisht nën EULEX-in. Ajo që dikur ishte Shtylla e Parë e UNMIK-ut (Policia dhe Departamenti i Drejtësisë) tash është bërë EULEX. Deri sa të ketë EULEX në Kosovë, nuk do të ketë gjyqësi të paanshme dhe të pavarur. Pra, problemi që kam me gjyqësinë nuk është nacionaliteti i panelistëve.

Thirrjes tuaj për të mos u bërë pjesë e procesit gjyqësor nuk u janë përgjigjur prokurorët dhe gjykatësit kosovarë. Si e komentoni këtë qëndrim?
Nuk është qëndrim i mirë dhe as i drejtë. Do të ishte mirë dhe drejt që ta ndryshojnë këtë qëndrim. Nuk e di nga vjen ai: nga trysnitë dhe frikësimet që ua bën EULEX-i apo nga shkurtpamësia e vetë atyre.

A ka tentuar deri tani policia që tju çojë me forcë në gjykatë?
Jo.

A frikësoheni se trupi gjykues mund tju shpallë fajtor dhe tju dënojë?
Jo. Në kohën e UNMIK-ut ky proces kundër meje pat kolapsuar për dy arsye. E para, asnjë avokat nuk pranonte që të më mbronte meqë të gjithë e kishin kuptuar se në sallën e gjyqit nuk mund të më mbronin dhe se aty avokatët vetëm sa do të shfrytëzoheshin për ta legjitimuar një proces politik. Dhe, e dyta, dëshmitari kryesor i prokurorisë, polici Ismet Hajdini, pat dëshmuar tërësisht në favor timin. Sido që të jetë, preokupimi im nuk është nëse më shpallin fajtor ose jo, nëse më dënojnë ose jo. Fokusimi duhet të jetë te çështja që EULEX-i, i cili e organizoi dhe dirigjoi këtë persekutim timin është i padrejtë dhe ska të drejtë të më gjykojë mua.

Si e konsideroni qëndrimin që ka mbajtur deri tash politika kosovare ndaj këtij procesi?
Gjatë këtyre dy muajve e gjysmë, ata kryesisht kanë heshtur. Duket që krerëve partiakë dhe institucionalë iu ka konvenuar ky persekutim ndaj meje. Reagimet kryesore ishin në seancën e Kuvendit që u mbajt me 8 prill. Shumica dërrmuese e deputetëve pajtoheshin me kërkesat e peticionit të 150.000 qytetarëve për mbylljen e gjykimit ndaj meje dhe për hapjen e hetimeve për vrasjet e 10 shkurtit 2007, mirëpo Kryesia e Kuvendit nuk lejoi që ky qëndrim pothuajse kolektiv i deputetëve të mishërohej me një deklaratë të përbashkët. Kësisoj, në fund doli që në Kuvend u lejua debati që të mos lejohej qëndrimi.

“Vetëvendosja” është në një proces diskutimi të angazhimit në garën politike për pushtetin. A pritet që të merrni pjesë në zgjedhje vitin e ardhshëm?
Ende jemi larg vendimeve të këtij diskutimi të brendshëm që po e zhvillojmë aktualisht. Do të marrë kohë identifikimi i dobive e dëmeve, i mangësive e përparësive, si dhe ballafaqimi i argumenteve në të gjitha qendrat dhe instancat e Lëvizjes sonë lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje në të ardhmen. Po ashtu, vendimi ynë sigurisht se do të varet edhe nga zhvillimet politike në vijim.

Por, zgjedhjet mbahen sipas Kushtetutës së Kosovës, që bazohet në Pakon e Ahtisarit, të cilën ju nuk e njihni. Si e komentoni këtë kontradiktë?
Për të gjitha këto çështje po diskutojmë. Ajo që dihet është se ne nuk do ta ndryshojmë konceptin dhe qëllimin tonë. Diskutimet tona kanë të bëjnë vetëm me strategjinë, me mundësinë e ndryshimit të saj në kuptimin e pasurimit të mënyrave të veprimit drejt realizimit të synimit tonë. Kundërshtimi dhe luftimi i Planit të Ahtisarit gjithmonë do të jetë objektiv yni. Kosova nuk do të bëhet sovrane dhe as me integritet territorial nëse politikisht dhe juridikisht mbetet e kufizuar sipas Planit të Ahtisarit.

A do të jeni ju një lëvizje e majtë, e djathtë apo e qendrës. Çfarë profili pritet të ketë “Vetëvendosja”?
Jemi në një fazë ristrukturimi, me çrast, përveç sekretariateve që e përbëjnë Lëvizjen tonë si organizatë, kemi edhe komitetet që formësojnë politikat e Lëvizjes. Në këto komitete ka nisur puna për përpilimin e programeve për ekonomi, çështje politike dhe juridike, mbrojtje e siguri, arsim, shëndetësi etj. Aty do të paraqesim qëndrimet tona kritike, por edhe pikëpamjet dhe modelet e zgjidhjes së problemeve të shumta në të cilat e ka zhytur Kosovën elita politike e saj. Pra, le ti kemi njëherë programet para se të na i vënë etiketat.

Kush e financon tërë këtë angazhim të Lëvizjes?
Lëvizja jonë financohet nga pagesa e anëtarësisë së aktivistëve të saj dhe nga ndërmarrës shqiptarë që janë simpatizantë të “VETËVENDOSJES”. Financat tona janë modeste. Shpenzimet për aksionet tona simbolike janë po ashtu simbolike: shpenzime për ngjyrë, spreja, litar etj. Askush në Lëvizjen tonë nuk paguhet për punën që bën. Në anën tjetër, kemi parti politike që kanë miliona, por nuk është se kanë aq angazhim. Aktivitetet dhe angazhimin e ndihmojnë financat, por para së gjithash ato i bën vullneti.

A ka personalitete kosovare të interesuara ti bashkohen kauzës tuaj?
Po, është shtuar numri i përkrahësve, por edhe i atyre që po na bashkohen. Gjithnjë e më shumë njerëzit nga të gjitha shtresat dhe profilet po e kuptojnë që përderisa nuk ka vetëvendosje për popullin e Kosovës nuk ka demokraci, drejtësi, zhvillim e mirëqenie.

Ky lajm është publikuar: 25/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›