E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburgu i jep pafajësinë, Xheraj në kërkim për vrasje

Autori i Lajmit: Redaksia

Mungesa e legjislacionit ka krijuar një rast të paprecedent në Shqipëri. Një burrë, i shpallur i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg vazhdon të jetë ende në kërkim nga Interpoli, për shkak se në Shqipëri nuk ekzekutohen vendimet e Strasburgut.
Emri i Arben Xheraj, ndodhet ende në listën e të shumëkërkuarve nga Interpoli për akuzën e vrasjes.
Shkeljet në gjykim
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut thekson se shkelja e Konventës ka ardhur si rezultat i anulimit të pafajësisë së Xherajt, të cilit pasi i është pushuar çështja dhe është shpallur i pafajshëm, prokurori është ankuar jashtë afateve në Gjykatën e Lartë, duke siguruar lënien në fuqi të dënimit të parë. Pas një odiseje në Gjyqësorin shqiptar Arben Xheraj iu drejtua Strasburgut nëpërmjet avokatit të tij, Dilaver Bengasi, duke fituar kështu këtë vendim të formës së prerë që sugjeron se forma më e përshtatshme për korrigjimin e situatës që vijon do të ishte pafajësia e formës së prerë për kërkuesin. Por, që prej 2008, kohë në të cilën Strasburgu është shprehur për çështjen Xheraj kundër Shqipërisë”, ky vendim nuk është ekzekutuar ende, ndonëse avokati mbrojtës i 40-vjeçarit Dilaver Bengasi, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe kjo e fundit ia ka përcjellë për ekzekutim Gjykatës së Lartë për shkak të vakuumit ligjor që ndodhet në Kodin e Procedurës Penale për ekzekutimin e vendimeve penale të Gjykatës së Strasburgut. Për këtë çështje Kushtetuesja shpreh domosdoshmërinë e plotësimit nga kuvendi të boshllëkut ligjor për ekzekutimin e vendimeve penale të dhëna nga Strasburgu sikurse i janë bërë ndryshimet e nevojshme legjislacionit procedural civil.
Vendimi i Kushtetueses
Sipas vendimit të Kushtetueses, Gjykata e Lartë është organi tek i cili Gjykata e Strasburgut ka konstatuar shkeljet ndaj Arben Xherajt e për këtë, kjo gjykatë duhet të gjejë zgjidhjen. Pas kësaj, avokati Dilaver Bengasi ju drejtua pak ditë më parë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë duke i kërkuar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. 40-vjeçari durrsak akuzohej për një vrasje të ndodhur në këtë qytet. Fillimisht ai u dënua në vitin 1996 me 20 vjet burg, por më pas gjykata shpalli një pafajësi dhe një pushim çështje, pasi sipas Apelit Arben Xheraj nuk e kishte kryer këtë vepër penale. Nëntë muaj jashtë afatit ligjor prokurori ankohet në Gjykatën e Lartë, e cila shfuqizoi vendimet e pafajësisë dhe të pushimit dhe la në fuqi vendimin e dënimit me argumentimin se në kohën që ishte paraqitur avokati i të pandehurit Dilaver Bengasi, ai nuk përfaqësohej me prokurë të lëshuar nga i pandehuri. Arben Xheraj aktualisht po vuan dënimin në Itali për çështje droge dhe çështja e tij po ndiqet në mungesë nga avokati Dilaver Bengasi.

Strasburgu 2 mijë
euro gjobë Shqipërisë

Qeveria e Shqipërisë ndëshkohet me 2 mijë euro gjobë nga Gjykata e Strasburgut në procesin gjyqësor “Xheraj kundër Shqipërisë”. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e mori çështjen në shqyrtim pas ankesës së shtetasit shqiptar Arben Xheraj, i cili pretendoi shkelje të nenit 34 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Shqiptari i akuzuar për vrasje, dhe i burgosur në Itali prej vitit 2002, ka pretenduar në Strasburg se rishikimi i vendimit që e kishte shpallur të pafajshëm në gjykatat shqiptare ishte i padrejtë dhe në dëm të tij. Veç të tjerave, Gjykata Evropiane ka gjetur vonesa dhe shkelje të tjera në mënyrën si është trajtuar kjo çështje nga Prokuroria e Durrësit. Më qershor 2001 në Gjykatën e Lartë u anulua vendimi i pafajësisë për Xherajn. Ai u arrestua në vitin 1999 në Itali për trafik droge dhe u dënua me 16 vjet burg, duke vazhduar kryerjen e dënimit.

Ky lajm është publikuar: 25/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›