E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi Berisha: “Tu merret toka atyre që nuk e punojnë”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje marrjen e tokës të gjithë pronarëve që e lënë atë djerrë. Sipas kryeministrit Sali Berisha, projektligji është një hap shumë pozitiv në drejtim të mbrojtjes së tokës dhe shtimit të prodhimit bujqësor, në kushtet kur Shqipëria, me terrenin e saj malor, është vend me pak tokë. Ky projektligj, tha Kryeministri, bëhet i domosdoshëm edhe me realizimin e projekteve të mëdha të ullirit dhe projekte të tjera të investimeve në fushën e bujqësisë. Berisha tha se qeveria synon dyfishimin e prodhimit bujqësor dhe po përgatitet në mënyrë të gjithanshme që të ecë drejt këtij objektivi. Kryeministri, duke shprehur besimin se projektligji do të gjejë mirëkuptimin e pronarëve të tokave, të cilët për arsye të ndryshme nuk mund ta kultivojnë atë, theksoi se do të jenë autoritetet vendore, ato që do të hartojnë skemën dhe vendosin marrëdhëniet me pronarin e tokës. “Sipas të gjitha rregullave, komunat do të autorizohen të përcaktojnë skema dhe të vendosin marrëdhënie të ndershme me pronarin, të cilit nuk i cenohet asnjë metër katror. Por toka punohet, si kushti i vetëm që ajo të mos degradojë. Të gjitha tokat argjilore të vendit, në qoftë se nuk punohen, shndërrohen në toka pa fryt, sipas termit që përdorin specialistët e bujqësisë. Ne nuk e kemi këtë luks, përkundrazi, kemi nevojë urgjente të fusin në prodhim sipërfaqe toke sa më të mëdha të mundshme”, - tha ai.
Verifikimi
Qeveria miratoi dje projektligjin “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokës bujqësore të pakultivuar”. Në bazë të këtij drafti, fillimisht, do të ngrihet një komision i posaçëm, i cili do të evidentojë tokave bujqësore të pakultivuara, pranë çdo komune dhe/ose bashkie, të cilat në kadastër janë regjistruar si prona private në zërat arë, vreshtë, pemëtore apo ullishte. Verifikimi bëhet çdo vit, brenda 15 shtatorit. Verifikimi bëhet duke u bazuar në këqyrjen fizike të sipërfaqes së tokës, në të dhënat kadastrale dhe në informacionin e siguruar nga vetë pronari i saj. Në mungesë të pronarit, komisioni mund të sigurojë informacion nga pronarët kufitarë, të afërm të tij apo banorë të tjerë të fshatit.
Rezultatet e verifikimit, për çdo pronar ose posedues të ligjshëm, pasqyrohen në një dokument, forma dhe përmbajtja e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Dokumenti i verifikimit i paraqitet kryetarit të komunës dhe/ose bashkisë brenda datës 30 shtator të çdo viti. Ndërkohë, brenda 15 tetorit shpallet zyrtarisht lista e pronarëve të këtyre tokave. Brenda kësaj periudhe, pronarët, emrat e të cilëve përfshihen në listë, kanë të drejtë të paraqesin ankesë, me shkrim, pranë kryetarit të komunës dhe/ose bashkisë, për saktësinë e evidentimit të kryer nga komisioni si dhe angazhimin për kultivimin e tokës. Kur pronari ose poseduesi i ligjshëm i tokës nuk realizon planin e përdorimit të tokës brenda afateve të përcaktuara, toka konsiderohet e klasifikuar si e pakultivuar. Në këtë rast vendoset dhënia me qira e saj për një afat të caktuar jo më shumë se 5 vjet.
Ndarja e të ardhurave
Çmimi minimal, për dhënien me qira të tokës bujqësore të pakultivuar, të jetë 30% më i ulët se vlera e qirasë vjetore të tokave bujqësore, të përcaktuar në pikën 2, të vendimit nr.830, datë 28.12.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e llogaritjes së vlerës vjetore të qirasë së tokave bujqësore, pyjore, me bimë pyjore, livadheve dhe kullotave, pasuri shtetërore”. Të ardhurat, që krijohen nga qiradhënia e tokave të pakultivuara, ndahen përkatësisht 80 për qind, në dobi të pronarit apo poseduesit të ligjshëm të tokës, nga shuma e së cilës komuna dhe/ose bashkia mban vlerën e taksës vjetore mbi tokën dhe 20 për qind, në dobi të komunës dhe/ose bashkisë për mbulimin e shpenzimeve administrative që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
Rregullat për administrimin dhe shpërndarjen e këtyre të ardhurave përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave. Projektligji parashikon gjoba për punonjësit vendorë që nuk marrin pjesë në proces. Po dje, qeveria miratoi dhe kalimin në fondin për kompensimin financiar të ish-pronarëve të të ardhurave që do të sigurohen nga privatizimi i tokës ku është ndërtuar qendra “City Park”.

Ky lajm është publikuar: 18/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›