E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, ministri i Brendshëm Lulzim Basha nis sot një vizitë zyrtare në Bruksel

Liberalizimi i vizave do të jetë në fokus të vizitës që ministri i Brendshëm Lulzim Basha do të zhvillojë në Bruksel. Basha pritet të takohet me Komisioneren për çështjet e brendshme, Cecilia Malmstrom dhe zyrtarë të tjerë të Komisionit Evropian, për të marrë prej tyre një qëndrim korrekt, lidhur me procesin e heqjes së vizave.
Ministri Basha është ftuar në një seancë dëgjimore që do të zhvillohet nesër nga Komisioni për Liritë Civile, Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian.
Në këtë seancë, Ministri Basha do të paraqesë arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave si dhe proceset integruese të vendit.
Basha do të njohë drejtuesit dhe anëtarët e Komisionit për Liritë Civile, Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian me arritjet e Ministrisë së Brendshme në kuadër të liberalizimit të vizave në fushën e sigurisë së dokumenteve, kontrollit kufitar, rendit publik dhe sigurisë dhe rezultatet në luftën kundër kriminalitetit.
Në fund të marsit Shqipërinë e vizitoi raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, eurodeputeti Nikolaos Chountis, i cili vlerësoi përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit nga qeveria shqiptare dhe rezultatet e arritura në të gjitha aspektet e këtij procesi. Qeveria shqiptare është shprehur e zotuar për firmosur me Komisionin Evropian, hyrjen e Shqipërisë në “Schengen”, para pushimeve të verës, për të nisur më pas përgatitjet zyrtare për integrimin e vendit në BE, duke filluar nga vjeshta e ardhshme me marrjen e statusit të vendit kandidat.
Ndërsa nesër mbërrin në Bruksel edhe kryeministri Sali Berisha. Shefi i qeverisë pritet të takohet fillimisht me Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule, për të vijuar më pas me Presidentin e Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, me Presidentin e Komisionit Jose Manuel Barroso dhe me Presidentin e Parlamentit Europian Jerzy Buzek. Gjithashtu, kryeministri Berisha pritet të marrë pjesë edhe në konferencën e organizuar nga Fondacioni Robert Schumann.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›