Le të zbavitemi me proselitizmin e Edvinit
Shpjegimi i titullit ka të bëjë me “ç’them sot, them të kundërtën nesër”. Më saktësisht: “ç’mendoj sot, mendoj së prapthi nesër“ Akoma më saktësisht: „Si veproja e si veproj!“.
Për një gjë ka të drejtë ER-ja: që të gremisë çmenduritë e tij në „Refleksionet“. T’i zhdukë nga qarkullimi! Pabesueshmëritë e tij janë të regjistruara aty! Ashtu siç nuk njohu të birin, pjellën e tij, po ashtu e bëri def edhe atë libër, që ka autorësinë e vet. Më keq akoma: I pushkatoi ato „Refleksione“. Në kuptimin konvencional. Sepse ajo që del me shkrim, nuk zhbëhet dot. Hitleri, Stalini, Enveri, së paku dogjën librat e të tjerëve, jo librat e tyre. Lexoni atë fragment të Lasgushit kur përshkruan njërën nga fatkeqësitë e tij të mëdha. Me dyer të mbyllura me dryna të sigurt të shtëpisë, zhduku me lotët që i kullonin, librat e veta më të mira, të blera me aq sakrifica. I dogji fletë-fletë, me ndihmën e bashkëshortes Nafije, që pastronte vatrën duke mbushur thasët me hirin e thesareve të librave të urtësisë njerëzore. Por, ama, Lasgushi nuk po digjte librat e vet, siç bëri Rama!
Nga Ultimatumi i komunistëve të ndërliqur të Smokthinës, po riprodhoj vetëm këtë copëz, të atij dënimi me vdekje kundër „antikomunistit“ Edvin: „Ne përdorim metoda bashkëkohore, si aksident automobilistik, verbim me acid, helmim me kafe, rrëmbim fëmije, rrëmbim gruaje…“.
Është pak t’i quash terroristë këta vrastarë, njerëz pa din e pa iman.
Tani këta huliganë janë miqtë më të dashur të E. Ramës. Janë nën vartësinë e tij, për më tepër. Me këta bëhen për bukuri rrëmujat „demokratike“ rrugaçërore paqësore (para 21 janarit) dhe jopaqësore më 21. Kjo e fundit është pak të quhet jo e dhunshme. Është e karakterit të një gueriljeje urbane të planifikuar, të parapërgatitur. Me këtë çmenduri të radhës, ER-ja deshi të plotësojë dy synime. Së pari, të tërheqë këmbëzën e armës dhe harxhet e këtij veprimi kriminal t’i paguajnë të tjerët. Të nxjerrë edhe përfundime të përçartura: „Fajin e ka Berisha“! – në 100 stampa të njëllojta, në një ekran makroskopik. Si gjithmonë ai ndërron profesion: i jep vetes atributet e kryegjyqtarit të lashtësisë, Solonit! Marrëzia e gjithë atij ekrani që përmban dy fjalë e dy gjysma fjalësh që përsëriten 100 herë përfton, pa e ditur përdoruesi, funksionin eksponencial f(x) = bx , (ku x= 100 dhe b duhet lexuar: budallalëk!). Synimi i dytë është krijimi i një gjendjeje të jashtëzakonshme, që të sabotojë zgjedhjet e 8 majit. (Një byrek që s’është për mua, le të digjet në furrë, si “Refleksionet”). Tani faktori ndërkombëtar ia ka lidhur të dy këmbët në një këpucë dhe të llastuarit të vetvetes nuk i mbetet veçse të kërkojë garanci, që bien ndesh me ligjin: pasi i shpalli armiq të 20.000 komisionerët e tij (!), tani kujton se ka kompetenca që të shkarkojë nga detyra edhe të zgjedhurit me konsensus si anëtarë të KQZ-së, edhe ata që nuk janë të propozuarit e tij (siç janë Subashi e të tjerët), por ata që janë të propozuarit konsensualë të palës tjetër. Është si të dal unë e të kërkoj shkarkimin e tij si kryetar bashkie (!) dhe... merr fund ky muhabet zgjedhor i 8 majit...
T’u rikthehemi listave të zeza me kërcënime, siç janë zanatçinj terroristët e kuq. Tani ai vetë, ER-ja, ka bashkëpunëtorë autorët e listave të zeza, siç dua ta argumentoj me një episod tragjik. Nuk besoj që ta ketë lexuar librin e babait fatkeq të Saimir Lartit, kushtuar të birit. Pas rrëzimit të statujës së E. Hoxhës në Korçë, njerëzit e skutave me detyrë, filluan (si ata të Smokthinës) përgatitjen e listave të zeza kundër atyre që ishin regjistruar si më të spikatur në heqjen nga piedestali të Enverit në bronz, në qytetin e Korçës. Saimiri ishte regjistruar në radhët e para të listës. E marrin vesh familjarët e Saimirit dhe djaloshi çau kufirin dhe u bë kamerier në Greqi. Pronari grek e donte me shpirt, se e vuri ré që kishte të bënte me një djalë të ndershëm, të rregullt, punëtor pa hile. Dikur vajtën për kafe dy shqiptarë, të shtirë si emigrantë. Saimiri u shërbeu me shpejtësi e me përzemërsi, meqë flisnin shqip. Të ardhurit e ftuan në tavolinë. Saimiri u tha se mund të porositnin ç’të donin se ishin mysafirët e tij. Pinë raki, kafe e diçka tjetër. Gjatë kohës që djaloshi u shërbente edhe të tjerëve, “mysafirët” seç derdhën një si pluhur në gotën e Saimirit. Nuk vonoi që këtij t’i dhembte koka dhe t’i përzihej. Ndërkaq të ardhurit ishin larguar. Pronari, që s’kishte fëmijë dhe e donte sikur ta kishte birin e vet, u shqetësua tepër për gjendjen shëndetësore të Saimirit. Kërkoi menjëherë shërbimin e urgjencës ambulatore. Mjeku i ambulancës e gjeti të vdekur.
Tani Edvini është sup më sup me ata që helmuan Saimiri Lartin, siç u orvatën ta zhduknin nga kjo botë edhe Edvinin. Tani ata (ose ata të këtij kallëpi), do të jenë krah për krah me ish-antikomunistin me nam, Edvinin, në Asamblenë e PS-së, të cilën do ta kryesojë Edvini nesër, më 27 mars, nëse nuk ndërron mendje. E themi këtë se ai është i paparashikueshëm, domethënë mendje-mendje!
Në “Refleksionet” lexojmë për një polic (të R. Alisë, kuptohet) që ishte futur në sallën e ILA-s, ku Edvini e bënte fërtele komunizmin dhe diktaturën. Më tej, të vazhdojmë të lexojmë së bashku: “Një polic, i zhgënjyer nga diktatura e proletariatit (si puna e zhgënjimeve të ER-së), për pak desh bëri striptiz në sallë (do të thotë: u zhvesh nga rrobat e policit). Kolegët e tij e prisnin te porta për ta ekskomunikuar (për ta shkishëruar, për ta bërë zap, për t’i punuar qindin, siç bënte katolicizmi me të patenzonët!)”. Këto shprehje të letrarizuara, i keni në f. 8. Vini re stilin pseudoletrar antikomunist të ER-së. Po Edvini vetë, a nuk na del besëshkalë tani, që ndërroi kostumin antikomunist dhe bëri vetë striptizë (u zhvesh çipllak, në kuptimin konkret të fjalës, sipas huqit të tij?!). Se edhe ky u bë si ai i zhgënjyeri i “ Refleksioneve”, librit të tij që duhej rishtypur, jo varrosur!
Këtu nuk kemi të bëjmë me një apostazí, domethënë me një ndërrim të menjëhershëm të qëndrimit të tij politik. Kemi të bëjmë, në të vërtetë me një qëndrim aventurierësh politikë, aq më tepër kur deklarojnë se nuk janë politikanë!
Në f. 18 “Zëri i Popullit” përmendej si “Zuska plakë”. Tani kjo lavire plakë (e cilëson ai kështu, jo unë) e bën propagandën më bajate në dobi të atij, që ia mballosi nofkën më përbuzëse të mundshme. Se një zuskë plakë mund të gënjejë e të mashtrojë pa pikë galeje, të gënjejë e të mashtrojë pa iu skuqur faqja, ta quajë provokatorin të provokuar në manifestime huliganësh, (si të datës 21), ta bëjë të zezën të bardhë (si veprimtarinë e bashkisë, të cilën kryebashkiaku me korrespondencë e sheh me dylbi së prapthi) dhe anasjellas, të bardhën të zezë (me nihilizmin tërësor, sa nuk i sheh dot sukseset e Lulzim Bashës).
Tani populli u dashka t’i besojë edhe zuskës plakë, sipas fjalëve të denja për fjalorin e përçartur të Edvin Ramës! Dukuri shqiptare, me zgjeben përbrenda, që e zvarrit, por pa sukses, ecjen përpara të qeverisjes së qendrës së djathtë!