E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista/Selami: "PS, politikë populiste me taksat, taksa progresive vret biznesin dhe vendet e punës"

09-06-2013 / Gazeta 55

Intervista/Flet kandidati i PD në Qarkun e Elbasanit, Eduart Selami - “Në Librazhd dhe në të gjithë Qarkun e Elbasanit, për vizionin e Partisë Demokratike do votojnë edhe socialistët” - “Unë mendoj që, shkurtimi i taksave dhe ulja e taksës së sheshtë në 10%, është qartësisht një avantazh për qytetarët shqiptarë. Ngritja e taksave dhe ajo politika që i pasuri paguan më shumë, më duket një politikë populiste, një politikë e cila e vret biznesin, e vret investitorin e huaj, e prish klimën e mirë dhe pozitive në biznes” Z.Selami, do të doja ta nisja natyrisht me pyetjen e parë, pra si përfaqësues i listës së PD-së, për zgjedhjet e 23 qershorit në Qarkun e Elbasanit. Ju jeni i dyti në këtë listë dhe kandidoni në Librazhd. Pse pikërisht në Librazhd? Lista proporcionale përfshin 14 kandidatë të mundshëm për në parlamentin e ardhshëm shqiptarë. Po brenda kësaj, meqënëse sistemi është proporcional, duhet që çdo deputet të ketë dhe një lidhje të drejtpërdrejtë me një zonë të caktuar. Kjo nuk do të thotë që ne nuk ndihmojmë njëri-tjetrin, pasi ne jemi në grup, por kjo është arsyeja që unë jam në zonën e Librazhdit sepse kam kaluar një pjesë të mirë të rinisë time të hershme atje dhe jam shumë i gëzuar të përfaqësoj Qarkun e Elbasanit dhe zonën e Librazhdit në parlamentin e ardhshëm.   Dhe si e keni parë Librazhdin tashmë që jeni rikthyer, pas asaj periudhë shumë të gjatë, ka ndryshime të mëdha apo është po ai Librazhdi i parë? Jo, ka ndryshime. Ndryshimet e popullsisë, të përmasave, janë trefishuar gati siç ka dhe Elbasani, siç ka edhe Qarku, siç ka edhe e gjithë Shqipëria. Dhe në total ndryshimet janë pozitive, ndryshimet janë në drejtimin e duhur si në tërësi në Qarkun e Elbasanit, ashtu edhe në Librazhd. Ka ndryshuar mentaliteti, për mirë, ka ndryshuar në përgjithësi jetesa, infrastruktura është bërë shumë herë më e mirë. Kështu që, ndryshimet janë pozitive, por akoma ka shumë punë për të bërë. Z.Selami, në një farë mënyre ju tashmë e keni nisur fushatën elektorale. Ajo gjendet në kulmin e saj. Nëse do të shpreheshim kështu, janë thuajse dy javë deri në zgjedhje. Si po shkon kjo fushatë? Dhe nga ajo që keni vënë re ju, a është ajo e qetë dhe brenda disa standardeve normale të një fushatë? Ndaj të njëjtin mendim. Është një fushatë e qetë, mbase më e mira që është bërë në Shqipëri. Mendoj që ka një pjekuri të klasës politike, ka një pjekuri të shoqërisë shqiptare në këtë drejtim, për herë e më shumë flitet për programet. Është diçka e veçantë. Kështu është demokracia, njëra pasqyron një program, tjetra pasqyron një program tjetër. Por, parametrat e civilizimit dhe parametrat e një qetësie globale, për mua janë një shenjë shumë e mirë dhe janë një shenjë shumë pozitive. Nëse nuk do të ishte për mosmarrëveshjen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, unë do të thoja që kjo padiskutim, do të ishte fushata më e mirë. Por, me gjithë këtë unë sërish jam optimist, që do të vazhdojë kjo frymë qytetare sepse mendoj që ka një angazhim edhe nga qytetarët shqiptarë. Mendoj që kjo është një çështje që do të merret në dorë dhe nga më shumë qytetarë që të bëhet një fushatë sa më normale, sa më paqësore, ku të përfitojmë që të gjithë. Unë prapë kam besim që këto do të jenë zgjedhjet më të mira, më të lira, më demokratike dhe shqiptarët me votën e lirë do të vendosin se kë do të zgjedhin më 23 qershor. Dhe ju e shihni këtë në kontaktet me qytetarët e Librazhdit? Po, shumë! Konflikti është më shumë në media, është më shumë në qarqet politike. Njerëzit janë të qetë. Ka në një familje; disa janë demokratë, disa janë socialistë, disa janë të pavarur. Janë gjëra normale në Shqipëri. Dhe në kontaktet e përditshme, unë shpesh shikoj njerëz që i kam shokë fëmijërie, njerëz që i kam takuar më përpara, më vijnë më afrohen, bisedojmë, shkëmbejmë mendime, gati harrojmë t’i pyesim se me kë parti janë. Kjo është diçka shumë pozitive, për mua, është një e drejtë e tyre për të votuar. Kuptohet, shumica e tyre më thontë se, pavarësisht nga dallimet partiake, do të më mbështesin dhe unë i jam mirënjohës, por duhet theksuar se, kjo është një diçka shumë pozitive. Z.Selami, cilat mendoni ju se janë disa nga pikat më të forta mbi të cilat mbështetet fushata e Partisë Demokratike, për të marrë një mandat tjetër qeverisës më 23 qershor?  Mendoj se pikat më të forta janë ndryshimi që ka bërë Partia Demokratike në këto 8 vjet qeverisje të vendit. Nuk është e lehtë të qeverisësh 8 vjet, sidomos dhe në Shqipëri, por unë mendoj që bilanci në tërësi i Partisë Demokratike, është një bilanc pozitiv. Jo se nuk ka probleme, jo se nuk ka të meta, por prap është një bilanc i punësimit masiv, i punësimit të 200 mijë personave. Është një bilanc i ngritjes së një infrastrukture moderne. Kudo që shkon, dhe rrugës nga Tirana në Elbasan, shikon rrugën e re që po ndërtohet. Është një kantier ndërtimi. Ka lëvizje, ka zhvillim. Po kështu, ka progres në arsim. Ka progres në shëndetësi. Ka progres në politikën integruese të Shqipërisë. Në përgjithësi Shqipëria po lëviz. Në përgjithësi Shqipëria po ndryshon në drejtimin e duhur. Njëkohësisht, ka dhe probleme. Nuk mund të anashkalohen problemet, por unë mendoj që kjo është ana tjetër e fortë, sepse Partia Demokratike megjithëse ka qeverisur për 8 vjet, përsëri është forca e shpresës për të zgjidhur këto probleme që janë në një program i cili jep më shumë shpresë, krijon më shumë optimizëm, është më afër qytetarit, flet më shumë për problemet që ka, flet më shumë për punësimin, flet më shumë për të rinjtë, flet më shumë për biznesin, flet më shumë për fermerët, flet më shumë për ekonominë, për integrimin, që mendoj se, Partia Demokratike është e pozicionuar qartë për një fitore të mandatit të tretë, për mendimin tim. Përmendët që anët pozitive janë më të mëdha se ato negative. Krejt të kundërtën thonë kreu i PS-së dhe opozita. Pra, një situatë krejtësisht e errët. Ju përmendët rrugët, mund t’ju jap vetëm shifrën që nuk janë ndërtuar, qeveria thotë që janë ndërtuar 10 mijë km rrugë, opozita thotë se janë ndërtuar vetëm diku tek 1 mijë e ca km rrugë, apo pak më shumë. Ndërkohë që, varfëria ka arritur ekstremet e saj, çmimet janë rritur, pra, në këtë situatë qytetarët shqiptarë si mund të orientohen? Unë mendoj që qytetarët mund të ndajnë atë politikë negative, që opozita është kritike, është normale – kjo është puna e opozitës, por mendoj që, dozat e kriticizmit shkojnë deri në ekstrem të një mohimi. Morët rastin e rrugëve, këto janë lehtësisht të matshme. Diferenca nga 10 mijë në 1 mijë që thuhet, është një diferencë shumë e madhe. Një mijë km rrugë thotë opozita, por vetëm në rrethin e Elbasanit janë ndërtuar dhe rikonstruktuar mbi 350 km rrugë dhe mbi 750 kilometra në të gjithë Qarkun e Elbasanit. Njerëzit shikojnë..., po bëhet një rrugë tjetër që vjen nga Tirana këtu, autostrada Elbasan-Tiranë një nga veprat më madhështore që është ndërtuar ndonjëherë. Rruga tjetër që lidh Librazhdin me Dibrën. Pra, janë ndërtuar mjaft rrugë, po kështu edhe nga ana tjetër ka varfëri, është e drejtë, por ka edhe rritje të çmimeve, edhe ky është konstatim i drejtë, por nga ana tjetër ka dyfishim të rrogave, ka edhe fyfishim të pensioneve, ka edhe rritje të prodhimit të fermerëve, ka edhe rritje të punësimit. Pra, shkojnë paralel, të mos harrojmë që jemi në një shoqëri të hapur, që tani gjërat ecin, një pjesë, kuptohet, ecin me të njëjtin ritëm, nuk është kjo një shoqëri ku të gjithë ndajnë në mënyrë të barabartë varfërinë. Kapitalizmi ndan në mënyrë të pabarabartë pasurinë, oportunitetet i kemi të barabarta, por rezultatet jo gjithmonë i kemi të barabarta. Por, unë mendoj që edhe varfëria, të cilës i adresohet me të drejtë Partia Demokratike, ka politika sociale të cilat bëjnë që kjo pjesë të preket sa më pak. Ka vend për probleme, ka vend për përmirësim dhe kjo është një pikë që, Partia Demokratike po e shikon me vëmendje. Papunësia akoma është e lartë dhe për këtë arsye politikat ekonomike që bën Partia Demokratike, shkojnë me theks drejt integrimit të shoqërisë. Fatkeqësisht humbja e statusit të kandidatit në BE, janë të përkthyera drejtpërdrejt në punësim për të rinjtë, për të gjithë shtresat e popullsisë. Po kështu dhe infrastruktura, po kështu dhe rrugët. Rrugët janë punësim dy herë. Një herë janë punësim për vendet e punës që japin direkt dhe për bizneset që i shoqërojnë këto. Ana tjetër është ngritja e oportunitetit për bizneset, ulja e kohës, lëvizja e mallrave, lëvizja e njerëzve, shkurtimi i distancave, hapja e hapësirave dhe ndërtimi i korridoreve jashtë Shqipërisë; të gjitha këto unë mendoj se krijojnë një frymë shumë pozitive për punësim. Këtyre i referohet ndoshta dhe kryeministri Berisha në daljet e tij publike, besoj, kur thotë që ka ende gjëra që ne nuk i kemi bërë mirë dhe do t’i bëjmë mandatin e ardhshëm? Po, patjetër i referohet dhe është realist si dhe jep një rrugë konkrete sesi do të kalohet dhe si do të ecet me politikat e biznesit, me politikën e taksave, me punësimet, me të rinjtë, me arsimimin, me shëndetësinë, me integrimin e Shqipërisë, të gjitha linjat. Dhe unë mendoj që ky është kontrast i qartë. Nga njëra anë është një forcë politike, një kryeministër i cili ka bërë mjaft, por ka energji akoma, ide për të vazhduar dhe shqiptarët mendoj që do t’i besojnë Partisë Demokratike. Një forcë politike që ka një rekord të qartë, e cila mendoj që do të jetë pozitive. Dhe opozita, po ta vësh re, shkon dhe me atë që, “Rama është i paprovuar”. Vetëm i paprovuar s’është z.Rama, se ka qenë në pushtet 14 vjet, modeli i tij në Tiranë, është një model që u kapërcye me votën e lirë të qytetarëve. Është ajo që thash më përpara: Çfarë idesh jep? Çfarë programi ke? A je në gjendje që të ngjallësh shpresë? Shumë njerëz me të drejtë mendojnë që, janë filluar punët dhe duhen vazhduar në këtë drejtim. Kështu mendojnë fermerët, kështu mendojnë qytetarët, kështu mendon rinia dhe kategori të gjëra të Shqipërisë, që e shohin veten më mirë me Partinë Demokratike. Në fakt ju përmendët që forcat politike kanë filluar të shpalosin edhe programet përpoes asja fushate negativiste, që gjithnjë bëhet në Shqipëri, pra duke sulmuar kundështarët, duke paraqitur programet e tyre. Nëse do të thoshim kështu, ka një ndarje të qartë për të parë përsa i përket ofertës fiskale, ose asaj ndarjes së madhe në politikën e taksave. Përballë taksës së sheshtë, që tashmë Partia Demokratike aplikon në pushtet, opozita ka vendosur taksën progresive. A mendoni se do të bëjnë diferencën këto 2 oferta tek zgjedhësit shqiptarë?   Patjetër që do të jenë përcaktuese. Dhe këtë e shoh si hap pozitiv. Mbase nuk i kam ndjekur me aq kujdes, por i kam ndjekur edhe fushatat e mëparshme dhe ju ndani të njëjtin mendim që, për herë të parë ecet me kaq detaje dhe siç është problemi i taksave, kur dy forcat, një e majtë dhe një e djathtë kanë vizione të ndryshme. E majta, historikisht lidhet kudo me ngritjen e taksave dhe djathta është për shkurtimin e taksave. Unë mendoj që, shkurtimi i taksave dhe ulja e taksës së sheshtë në 10%, është qartësisht një avantazh për qytetarët shqiptarë. Ngritja e taksave dhe ajo politika që i pasuri paguan më shumë, më duket një politikë populiste, një politikë e cila e vret biznesin, e vret investitorin e huaj, e prish klimën e mirë dhe pozitive në biznes. Një taksë 10%-sh dhe një taksë e sheshtë, nuk do të thotë që i pasuri, siç bëhet propaganda, paguan më pak, është e kundërta. Paguan më shumë. Por të gjithë paguajnë 10%. Nëse dikush p.sh merr, le të flasim me shifra të rrumbullakosura, për të dhënë mendimin, 500 mijë lek, atëherë do të paguajë 50 mijë, por nëse merr 10-fishin, do të paguajë më shumë. Nëse merr më pak se kjo, do të paguajë më pak. Pra, prap të pasurit paguajnë më shumë. Ndërsa, duke ia rritur taksën biznesit deri në atë pikë, ti i merr frymën binzesit, duke i marrë frymën biznesit ai nuk investon. Duke mos investuar nuk ka vende pune, duke mos pasur vende pune humbet edhe ai që është në anën tjetër të taksës, sepse nuk ka një vend pune. Kështu që, prandaj mendoj që taksa e sheshtë është qartësisht në favor të rritjes, të zhvillimit. Por, marrim dhe anën tjetër shumë të rëndësishme, thithjen e investimeve të huaja. Taksat e larta e dekurajojnë. Ne nuk kemi shumë avantazhe për të tërhequr bizneset e huaja. Taksat e ulëta, një klimë pozitive, qetësia politike, integrimi europian, të qenurit vend anëtar i NATO-s, të gjitha këto janë gjëra pozitive që tërheqin investitorët e huaj dhe tërheqja e investitorëve të huaj përkthehet në më shumë vende pune, përkthehet në më shumë pasuri, në më shumë taksa të ulëta të shtetit dhe në pasuri për të gjithë ne.    

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›