Intervista/Topalli: “Edi Rama ka dështuar, mazhoranca, besimplotë dhe me energji drejt zgjedhjeve”

“Kastriot Islami, Asllan Dogjani, Gjovalin Kadeli dhe të tjerë po zëvendësohen nga 99-shat, kjo është jashtëzakonisht e rëndë për PS-në”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi dje në emisionin “Top Story” se mazhoranca parlamentare është solide, besimplotë dhe me energji, për të shkuar drejt zgjedhjeve të 23 qershorit. Duke komentuar votimin e ministrave të rinj në Kuvend, Topalli tha se “ishte një votëbesim i shkëlqyer”.
Lidhur me votat pro të tre ish deputetëve socialistë ajo tha se “janë tre deputetë me kontribut të çmuar në 20 vitet e jetës së Partisë Socialiste, të cilët po zëvendësohen nga 99-shat”. “Emra të cilët Edi Rama i përjashtoi nga lista sepse kërkon t’i zëvendësojë me 99-shat e tij. Unë i kuptoj anëtarët e PS apo ata që kanë besuar realisht tek PS. Ti zëvendësosh me 99-shat kjo është jashtëzakonisht e rëndë”. Topalli u shpreh se, siç tha kryeministri, PS ishte në minorancë, doli në minorancë dhe do të mbetet në minorancë. “Para tre ditësh me deputetët socialistë u fol se do jetë një qeveri teknike ku nuk do të jetë Sali Berisha. Sot edhe njëherë në sallën e Kuvendit nuk shkuam në qeverisje me zëvendësministra, as në mocion, jo e jo në qeveri teknike. Një premtim tjetër i pa-mbajtur i zotit Rama”, u shpreh Topalli.
Duke ju referuar çështjes së mocionit, Topalli u shpreh se, “Rama tre ditë më para u tha deputetëve se do të ketë qeveri teknike. Ashtu siç u tha në 100 vjetorin e pavarësisë kur tha s’do jetë më kryeministër Sali Berisha”.
Duke komentuar Ilir Metën dhe 21 Janarin ajo insistoi se “në rrjetet sociale është një bombardim komentesh për atë çka bëri Edi Rama në 21 Janar. Karikoi 300 shqiptarë me pagesë apo ata që shpresonin vërtet se mund të dorëzohej blloku. Ajo që më bën përshtypje është se si ka mundësi që ndihen të tradhtuar. Nga Kush? Nga Edi Rama? Po vërtet mund të ekzistonin njerëz që të besonin tek ato që ai premton dhe si ka mbajtur asnjëherë?”, theksoi Topalli, ndërsa gjeti rastin që nisur nga kritikat që po i bën Ramës, i duhet thënë “bravo deputetit Erjon Braçe dhe guximit të tij sepse ai e ka ndërgjegjen e pastër”.