E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista/Uithers: “Marrëdhëniet SHBA-Shqipëri do njohin përparime, mbështesim qeverinë për reformat integruese

Ambasadori amerikan në Tiranë Xhon Uidhers flet për “Zëri i Amerikës”

TIRANE - Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers ka vlerësuar dje bashkëpunimin mes dy vendeve dhe sfidat e Shqipërisë. Sipas një interviste të tij për “Zërin e Amerikës”,  rezultati i zgjedhjeve në Amerikë vetëm do të çojë përpara marrëdhëniet shumë pozitive mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
“Mendoj që rezultati i zgjedhjeve ishte i tillë që marrëdhënia shumë pozitive mes Amerikës dhe Shqipërisë vetëm do të rritet dhe çohet më tej nga zgjedhja e Presidentit Obama”, u shpreh Ambasadori i SHBA-ve Xhon Uidhers.
Duke vlerësuar si ngjarjet më të rëndësishme ët vitit 2008, të ndjera e përjetuara edhe në Shqipëri, pavarësinë e Kosovës dhe zgjedhjet në SHBA, Ambasadori Uidhers, vlerësoi edhe Samitin  e NATO-s në prill, që ftoi Shqipërinë dhe Kroacinë për anëtarësim të plotë.
“Kjo ishte një arritje historike dhe njihte vendosmërinë dhe bashkimin e popullit shqiptar në synimin për të arritur diçka me përmasa të mëdha”, u shpreh Uidhers.
I pyetur për pritshmëritë e SHBA-ve ndaj Shqipërisë, pas fitores së Presidentit Obama, Uidhers sqaron se, “Në lidhje me Shqipërinë, lajmet do të jenë mjaft të mira. Kemi një bazë të fortë historike mbi të cilën të ndërtojmë. Amerikanët dhe shqiptarët kanë pasur një lidhje të veçantë që shtrihet në disa dhjetëvjeçarë dhe që mbijetoi edhe përpjekjen e regjimit komunist për ta thyer atë. Kemi arritjen e rëndësishme në rajon që përmenda – pavarësia e Kosovës, si dhe NATO. Një prej përfitimeve të mëdha të samitit të NATO-s në prill është që do t’i japë mundësi Presidentit të fokusohet në mënyrë specifike tek vendet e reja kandidate, Kroacia dhe Shqipëria; do t'u japë udhëheqësve mundësinë për t'u takuar, për të diskutuar mbi çështjet që kanë në plan; dhe kjo është një mundësi e jashtëzakonshme. Vjen në një kohë shumë të mirë për ne amerikanët dhe për ju shqiptarët sepse në ato takime, ne mund të fokusohemi tek çështjet specifike”.
Në përgjigje të interesimit për një vlerësim të mundshëm të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO, Ambasadori Uidhers konfirmoi vazhdimin e ndihmës së SHBA-ve për Shqipërinë
“Mendoj që dinamika e vërtetë këtu ka nevojë të jetë e tillë që drejtimi të jetë përpara. Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë përparimi nga viti 1991, kur vuante nën një regjim shtypjeje dhe tiranie thuajse të pabesueshme. Mendoj që të gjithë miqtë e Shqipërisë, mes të cilëve shpresoj që SHBA-të të konsiderohet një prej kryesorëve, po përpiqen t'i japin ritëm këtij përparimi dhe, në këtë mënyrë, shpresojmë që të mund të ofrojmë mbështetje dhe ndihmë të madhe për synimet që kanë shprehur qeveria dhe populli shqiptar – dhe kjo është integrimi në bashkësinë euro-atlantike dhe në bashkësinë e demokracive”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›