“Sinjalet janë shumë pozitiv, Sllovenia do të ratifikojë protokollin e anëtarësimit në NATO”

Flet Këshilltari i Kryeministrit për Integrimin Euro-Atlantik dhe Koordinatori Kombëtar për në NATO, Glori Husi
TIRANE - Sllovenia do të ratifikojë brenda një kohe shumë të shkurtër protokollin e anëtarësimit në NATO. Ndërsa vonesat deri tani në këtë drejtim kanë ardhur vetëm për shkaqe të brendshme të saj që nuk kanë të bëjnë me procesin në fjalë.
Këshilltar i Kryeministrit, për Integrimin Euro-Atlantik, njëherazi edhe Koordinatori Kombëtar për në NATO, Glori Husi, sqaroi dje se përplasja më e fundit mes Sllovenisë dhe Kroacisë për çështjet e kufijve nuk do të ketë asnjë impakt në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në NATO, pasi për më tepër Lubjana zyrtare është një nga mbështetëset kryesore të anëtarësimit të vendit tonë në strukturat euroatlantike.
“Në rastin e Sllovenisë është diskutuar protokolli i anëtarësimit dhe meqenëse për arsye të brendshme se seanca në parlament nuk përfundoi në seancën më të afërt do të votohet protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe ne nuk presim që të kemi asnjë lloj surprize. Sinjalet janë shumë pozitiv dhe nuk ekziston asnjë problem për Shqipërinë për tu shqetësuar", bëri të ditur Glori Husi.
Duke folur për procesin e ratifikimit të Protokollit nga vendet anëtare, koordinatori Husi tha se tashmë pritet vetëm firma e gjashtë shteteve të tjera për të përmbyllur atë.
“Ratifikimi i protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në organizatën e traktatit të Atlantikut të Veriut ka ecur shumë mirë. Deri në këtë moment janë 19 vende që e kanë ratifikuar, pjesa më e madhe e tyre, rreth 12, kanë depozituar dokumentin e ratifikimit në Departamentin e Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe pjesa tjetër pritet ti depozitojë së shpejti. Ndërkohë vende që kanë mbetur, janë në proces dhe presim, për shembull nesër një vend anëtar i NATO-s do ta votoje në senatin e tij protokollin e anëtarësimit”, vijoi Husi.
Një ditë më parë edhe kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli deklaroi se kishte pasur një bisedë telefonike me homologun e saj slloven, Pavel Ganda i cili kishte garantuar nga ana e tij se Parlamenti i këtij vendi do ta ratifikojë të hënën e ardhshme, Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Topalli u shpreh se Ganda e kish siguruar se nuk kishte asnjë arsye për të pasur shqetësim. Kryetarja e Kuvendit siguroi se nuk ekziston asnjë problem, pasi sipas saj të gjithë Kryetaret e Grupeve Parlamentare të Parlamentit të Sllovenisë, e kanë mbështetur votimin e Protokollit të NATO-s mes Shqipërisë dhe kësaj Aleance.