E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë e kryeministrit Berisha dhënë për TVSH-në gjatë vizitës në Turqi

Pyetje: Zoti kryeministrër ç'të re solli Samiti jubilar i Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi?

Kryeministri: Samiti jubilar, 15 vjetori i kësaj nisme të rëndësishme, bëri një bilanc të këtyre 15 viteve dhe konstatoi se vendet e ketij rajoni kanë bërë përpjekje të mëdha për një integrim rajonal dhe bashkëpunim midis tyre, sikundër një seri projektesh të mëdha janë hartuar dhe priten të fillojnë së shpejti, projekte këto të cilat lidhin këto vende, projekte që bëjnë nxjerrjen drejt tregjeve të mëdha, të pasurive të mëdha të tyre, projekte që lidhin Azinë Qëndrore me Europën. Duhet thënë se rajoni do të njohë një zhvillim të madh të tij në vitet që vijnë. Në samit u trajtuan probleme të transportit,të tregtisë, të financave, por u trajtuan edhe çështje politike. Natyrisht, një nga problemet që ka rajoni është dhe problemi i Kosovës.

Gazetari: Ju patët dhe një debat me zotin Tadiç

Kryeministri: Unë paraqita të gjithë opinionet e mia mbi Kosovën si rast i veçantë, rast "sui generis", që e cilësonte dhe deklarata e ministrave të jashtëm të BE. Besoj se është shumë e qartë se përdorimi i të ashtëquajturit "precedent", për të bashkuar të tjerë, nga frika e prececedentit, kundër çështjes së Kosovës, është i paqëndrueshëm ,sepse në të vërtetë Kosova është një rast tërësisht unik në skenën ndërkombëtare, ndaj dhe paraqita ato argumenta të cilat janë të qëndrueshme plotësisht.

Pyetje: Ju patët edhe një takim me kryeministrin e Turqisë dhe një sërë takimesh të tjera. Cilat janë komentet tuaja?

Kryeministri: Unë e shfrytëzova këtë samit për një seri takimesh. Takova kryeministrin Erdogan dhe diskutuam së bashku për bashkëpunimin bilateral në të gjitha fushat dhe në veçanti për çështjen e gazit, ku unë paraqita kërkesat që Turqia të angazhohet për të favorizuar gazsjellës, të cilët kalojnë nëpër territorin e Shqipërisë.
Në këtë kontekst, një takim shumë të rëndësishëm pata edhe me presidentin e Azerbaixhanit, i cili më premtoi qartësisht se vendi i tij është i gatshëm të sigurojë gaz për gazësjellësit që do të kalojnë nëpër Shqipëri.
Gjatë darkës bisedova gjerësisht me Kryeministrin Karamanalis për marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve, si dhe me presidentin Jushcenko dhe me kryetarë të tjerë shtetesh dhe qeverive që ishin të pranishëm.

Pyetje: Zoti kryeministër ju po mbështesni një projekt të UNICEF-it në ndihmë të fëmijëve romë. Zonja Veneman e konfirmoi këtë për opinionin publik.Çmund të na thoni lidhur me këtë?

Kryeministri: Jam jashtëzakonisht i interesuar për këtë çështje dhe përpiqem me të gjithë organizmat ndërkombëtare, por edhe nga buxheti i qeverisë që ne të ndryshojmë jetën e këtyre fëmijëve, të cilët janë fëmijët me problemet më madhore në Shqipëri. Në këtë kontekst duhen masa të forta, duhen ndërhyrje të fuqishme për sa i përket punësimit, shkollimit, strehimit dhe masa të tjera të gjithëanshme që këta fëmijë të gëzojnë një jetë si të gjithë fëmijët e tjerë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›