E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë me Genc Llukaci, kryetar i Shoqatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Shqipërisë

Z. Llukaci, cili është qëllimi i
shoqatës suaj?
Qëllimi kryesor i ALATCA-s, apo "Albanian
Air Traffic Controllers Association",
është të punojë për të mbajtur në nivelin
optimal standardet e sigurisë në trafikun
ajror, duke dhënë kontributin e saj në
zhvillimin e sistemeve të përshtatshme të
trafikut ajror dhe të mbrojë interesat e
kontrollorëve të trafikut ajror në Shqipëri.
A mund të na flisni konkretisht
për punën e përditshme të kontrollorëve
të trafikut ajror?
Profesioni ynë është një nga profesionet
e reja jo vetëm në Shqipëri, por edhe
në botë. Si rrjedhojë, opinioni i gjerë nuk
është plotësisht i sensibilizuar për punën
që ne kryejmë. Ne jemi punonjës të Agjencisë
Nacionale të Trafikut Ajror.
Çdokush që fluturon, duhet ta dijë se
për rregullin dhe sigurinë në ajër punojnë
24 në 24 orë në 7 ditët e javës kontrollorët e
trafikut ajror, se avionët mbahen gjithmonë
në një largësi dhe lartësi të caktuar
nga njëri-tjetri dhe se kjo ndodh nga momenti
që avioni niset e deri sa ai arrin në
destinacion. Kjo gjë nuk është e lehtë në
një qiell shpesh të mbushur plot. I gjithë
komunikimi me pilotët bëhet në gjuhën
angleze. Një nga aftësitë e domosdoshme
për të qenë kontrollor është t‘i kuptosh situatat
shpejt dhe po aq shpejt të marrësh
një vendim. Ne duhet të fokusojmë vëmendjen
në një detyrë, duke mbajtur në
memorie në të njëjtën kohë detyrat e tjera.
Ne nuk duhet të na zërë paniku kur situatat
bëhen kritike dhe duhet të veprojmë
shumë saktë edhe nën stres. Duhet të
planifikojmë gjithmonë tri hapa para dhe
të verifikojmë gjithnjë atë që kemi bërë.
Ne akomodojmë si kërkesat e trafikut
me bazë aeroportin e Rinasit, ashtu edhe
fluturimet transit në korridoret ajrore në
hapësirën shqiptare. Këto të fundit përbëjnë
rreth 90% të trafikut ajror në tërësi
për ne.
Kontrollorët shqiptarë janë trajnuar
dhe specializuar në Akademi dhe Institucione
të Aviacionit Civil jashtë vendit, si
në Angli, Republikën Çeke, Luksemburg
etj., sipas të gjitha kërkesave të aviacionit
civil ndërkombëtar.
Pra, kontrollorët në Shqipëri kryejnë
një punë me të njëjtat standarde si në të
gjitha vendet e zhvilluara evropiane.
Çfarë teknologjie përdoret aktualisht
në Shqipëri për këtë profesion
kaq delikat dhe të rëndësishëm?
Duhet thënë se në këtë aspekt ka një
përmirësim të ndjeshëm krahasuar me
vite më parë. Nëse më parë ne punonim
në një ambient pa radar dhe vetëm me
radio-kontakt, sot jemi përdorues të një
prej sistemeve më të përparuara, sistemit
Sky-Line. Që nga viti 2004 ne ofrojmë
shërbimin e trafikut ajror me radar për të
rritur ndjeshëm cilësinë e shërbimit dhe
ulur vonesat. Një shërbim i tillë është bërë
i mundur duke filluar nga muaji shtator
edhe për të gjithë trafikun ajror me bazë
aeroportin e Rinasit.
Tashmë të gjithë kontrollorët janë
kualifikuar dhe ndihen kompetentë në
përdorimin e tij. Si rrjedhojë e një kontrate
afatgjate, për modernizimin e hapësirës
ajrore shqiptare me partner strategjik
kompaninë e mirënjohur amerikane,
"Lockheed Martin", ka zhvillime pozitive
në vazhdimësi, të cilat priten të finalizohen
me ndërtimin e një qendre të re të
kontrollit të trafikut, që tashmë është
bërë e domosdoshme për të akomoduar
kërkesat në rritje të kompanive ajrore për
të operuar në hapësirën shqiptare.
Çfarë rritje ka trafiku ajror në
Shqipëri?
Trafiku ajror ka ardhur në rritje çdo vit
dhe kjo si për sa u përket kompanive
ajrore që operojnë në Shqipëri, po ashtu
edhe kompanive ajrore që mbikalojnë
hapësirën tonë ajrore. Këtë vit numri i
ulje-ngritjeve dhe mbikalimeve në hapësirën shqiptare është rritur mbi 10%. Numrin
më të madh të fluturimeve e ka shënuar
muaji gusht, ku u shërbyem 17374 avionëve,
nga të cilët 14852 mbikalime dhe
2065 ulje-ngritje nga aeroporti i Rinasit me
një mesatare prej rreth 560 avionësh në
ditë. Këto shifra flasin qartë për punën
tonë voluminoze, për të cilën ne pretendojmë
një pagesë që t‘i përgjigjet cilësisë
dhe përgjegjësisë së lartë që ajo përmban.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›