E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Keqtrajtimet e të paraburgosurve morën fund me ligjin e ri të policisë"

Ka pasur raste të keqtrajtimit të
të paraburgosurve, por persona
përgjegjës janë dërguar në ndjekje
penale. Kështu ka deklaruar
ministri i Brendshëm, Bujar Nishani,
në një konferencë, pasi
Avokati i Popullit e ka ngritur si
shqetësim. Ministria e
Brendshme dhe institucioni i
Avokatit të Popullit diskutuan për
këtë çështje gjatë organizimit të
një tryeze të rrumbullakët me
temë "Bashkëpunimi i Avokatit të
Popullit dhe Policisë së Shtetit-
Garanci për funksionimin e shtetit
ligjor dhe respektimin e të drejtave
të njeriut". Ministri Nishani u
shpreh në takim se Policia e Shtetit,
gjatë tre viteve të fundit, krahas
përmirësimit të standardeve
të sigurisë, ka shënuar një progres
të dukshëm edhe në respektimin
e të drejtave të njeriut. "Ligji i ri për
Policinë e Shtetit mbart frymën e
shndërrimit të saj nga një forcë
policore në shërbim policor dhe
është e rëndësishme që parashikimet
e ligjit të implementohen
dhe zbatohen në praktikë. Krijimi
i një legjislacioni, i cili përcakton
në mënyrë të qartë e strikte fushën
e veprimtarisë ligjore të instrumenteve
të zbatimit të ligjit për
Policinë e Shtetit, i jep mundësi
kësaj të fundit që, nëpërmjet instrumenteve
të saj, të sigurojë rendin
publik, të luftojë krimin e korrupsionin
dhe nga ana tjetër në
tërë këtë veprimtari të sigurojë
mbrojtjen dhe respektimin e të
drejtave të njeriut", tha ministri
Nishani. Gjithashtu, ai theksoi se,
në bazë të parashikimeve të legjislacionit,
është riorganizuar struktura
e Policisë së Shtetit, jo vetëm
në departamentet përkatëse, por
edhe në zyrat e shërbimeve
konkrete në terren për ofrimin e
ndihmës nga punonjësi i policisë
në çdo moment kur rendi e siguria
e qytetarit kërcënohet. "Ndërkohë,
nëpërmjet instrumenteve përkatës
si Shërbimi i Kontrollit të
Brendshëm kontrollohet se si zbatohet
ky legjislacion", shtoi Nishani.
Ai përmendi edhe faktin se SHKBja,
gjatë tre viteve të fundit, ka evidentuar
dhe dërguar për ndjekje
penale 128 punonjës të policisë për
veprime arbitrare dhe tejkalim kompetencash
në përdorimin e
forcës. Në këtë tryezë të rrumbullakët
u diskutua mbi rolin e njësive
të institucionit të Avokatit të Popullit
për parandalimin e torturës dhe
njohjen e këtij roli nga policia, sfidat
dhe bashkëpunimin për
zgjidhjen e tyre, përdorimin e forcës
si veprim ligjor dhe tejkalimin e saj
në formën e dhunës që është e
dënueshme, procedurat e shoqërimit
të shtetasve sipas ligjit të ri
për Policinë e Shtetit dhe shkeljet e
konstatuara. Në tryezë morën
pjesë Avokati i Popullit, Ermir Dobjani,
drejtues të tjerë të këtij institucioni,
si dhe drejtues të lartë të Policisë
së Shtetit. Dobjani vuri theksin
mbi torturat, ku kërkoi që pas miratimit
të ligjit të ri të policisë, të ketë
një sjellje ligjore nga ana e uniformave
blu, duke iu përgjigjur me
korrektësi të gjitha detyrimeve
ndaj qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›