E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë me drejtorin e projektit BAS të BERZH në Shqipëri, z. Neritan Mullaj

Po kalojmë një kohë të vështirë për ekonominë dhe sipërmarrjen, ku duhet aftësi për t‘u përshtatur me sfidat e reja. Sa mund ta ndihmojë BERZH përmes projektit BAS biznesin shqiptar në këtë kohë?

Kohët që kalojmë kërkojnë një vizion shumë më dinamik nga ana e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për të diversifikuar në mënyrë më fleksibël dhe efikase në drejtime që mbështesin tregun e brendshëm. Njëkohshëm kjo kërkon edhe një impenjim më të mirë nga konsulenca e specializuar vendase, e cila në këtë moment mund të luajë rol shumë të rëndësishëm për të garantuar shfrytëzimin sa më të madh dhe eficient të burimeve të brendshme. Më shumë se kurrë, sot, konsulenca profesionale mund të asistojë në ngritjen e strukturave efikase të menaxhimit, uljen e kostove, shmangien e humbjeve, rritjen e përgjegjësisë ndaj cilësisë dhe shërbimit ndaj klientit, planifikimin real dhe afatgjatë të investimeve, por edhe mundësimin e thithjes së kapitalit të huaj. E thënë thjesht, përballë një krize globale që mund të njohë përshkallëzime të rëndësishme, por tashmë brenda sistemesh kombëtare. Shqipëria duhet të adresojë më mirë nevojën e saj për zëvendësimin e importeve dhe forcimin e prirjes për eksporte, duke pranuar se këto të fundit mund të zbehen falë tregut të plasaritur ndërkombëtar.

Nevoja për diversifikim, nga e cila vuan prej disa vitesh kapitali tregtar shqiptar, është edhe rruga më e shkurtër dhe më e besueshme për aktivizimin më mirë dhe në mënyrë më efikase të burimeve të brendshme të sipërmarrjes shqiptare.

A mendoni se mund ta ndihmojë edhe qeveria biznesin shqiptar në këtë sfidë të tij?

Mendoj se këtu qeveria mund të marrë një rol të rëndësishëm, nëse vendos të mbështesë jo aq operatorët e veçuar "pionierë" të këtij diversifikimi, por konsorciumet e krijuara nga bashkimi i operatorëve me theks rajonal, të cilët gëzojnë potenciale të verifikueshme asetesh dhe që premtojnë një kthim të shpejtë të investimit. Kjo mund të jetë sidomos e vlefshme për fusha si bujqësia, apo për konsorciume që ndërtojnë një sistem zinxhir prodhimi, duke mbështetur njëri-tjetrin në strukturimin e investimeve. Në këtë drejtim edhe donatorët do të ishin ndoshta më të gatshëm të angazhoheshin, duke zbutur qoftë efektet e pasigurisë që përjetojnë psikologjikisht

bankat e veçanta të nivelit të dytë, të cilat nuk kanë asnjë arsye të besueshme që të rrisin nivelin e riskut, ashtu edhe operatorët e sektorit tregtar. Në këtë qasje, një rol parësor merr formalizimi i ekonomisë dhe regjistrimi pasuror i aseteve të të gjitha firmave që duan të ruajnë peshën që kanë në treg. Kthimi drejt prodhimit për tregun vendas, zgjerimi i gamës së nënprodukteve të përpunuara, forcimi i tregut vendas dhe/////////// mbështetje të avantazheve konkurruese vendase, do të ishin një hap i mirë për fillimin e një procesi pilot të diversifikimit, si një përgjigje e parë kombëtare ndaj krizës së përgjithshme botërore.

Po vetë biznesi, kompanitë? Si duhet të sillen ato?

Në kushtet aktuale, kompanitë private kanë detyrimin të forcojnë tiparet e marketingut, të synojnë më mirë se deri më tani besnikërinë e klientëve dhe të fillojnë procese të mirëfillta të menaxhimit të kujdesit ndaj klientit. Njëkohshëm ato duhet të rrisin cilësinë e produkteve të tyre dhe të pranojnë një ulje të studiuar të marzhit të fitimit, pasi të kenë ngritur sisteme të brendshme të analizës se kostove dhe parametrave kryesore të menaxhimit. Paralelisht do të duhet të punojnë për të zgjeruar klientelën, e cila në kthim do të dijë të shpërblejë operatorët inteligjentë, në momentin e kapërcimit të ngërçit financiar global. Jo çdo e keqe vjen për të dëmtuar dhe ky është çasti që të "mësojmë" se çfarë duhet të përmirësojmë tek vetja. Viti 2008 ishte pozitiv për Shqipërinë. 2009 duhet të mbetet po ashtu një vit pozitiv, ////////////////megjithatë luhatjet e pritshme.

Z. Mullaj, BAS është i njohur në komunitetin e biznesit shqiptar, por për qytetarin e thjeshtë çfarë nënkupton ai?

Programi i Shërbimeve të Këshillimit të Biznesit (BAS) i BERZH në Shqipëri ka filluar në qershor të vitit 2006 me financimin e qeverisë holandeze dhe tani vazhdon nga mbështetja e vetë BERZH-it, si dhe nga qeveria portugeze. Programi ka identifikuar mbi 70 konsulentë, ndërsa mbi 55 prej tyre janë angazhuar direkt në projekte, që variojnë nga studimet e marketingut dhe investimeve deri te zbatimi i standardeve të cilësisë. //////////Mese 300 klientë potencialë, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, janë vizituar dhe kontaktuar nga programi BAS, ndërkohë që mbi 200 prej tyre kanë aplikuar pranë zyrës së BAS. Deri tani janë ndërmarrë 117 projekte me kompani specifike (86 nga të cilat kanë përfunduar).

Cila është vlera e shtuar që BAS u ofron kompanive shqiptare?

Misioni i BAS është të ndihmojë kompanitë në identifikimin dhe përzgjedhjen e konsulentëve më të përshtatshëm shqiptarë (ose të huaj) për të zgjidhur probleme konkrete të biznesit. Ne mbulojmë nga 25-75% të shpenzimeve të shërbimeve të konsulencës, ndërsa çdo grant e ka kufirin maksimal deri në 10000 euro. Synimi i programit BAS është që të mbështesë sa më tepër bizneset jashtë qendrës së zhvilluar Tiranë-Durrës. BAS mbështet projekte afatshkurtra, të orientuara nga objektiva specifike dhe me rezultate konkrete të shpejta. Kompanitë mund të sigurojnë një mbështetje të gjerë në shumë fusha nga programi BAS, si studime tregu, planifikime strategjike, teknologji informacioni, menaxhim cilësie dhe mbrojtjen e mjedisit, zbatimin e standardeve ndërkombëtare dhe marrjen e certifikimit përkatës, vendosjen dhe zbatimin e teknologjisë së re, ashtu si dhe fusha të tjera të këshillimit për biznesin, të cilat konsiderohen si të pranueshme për mbështetje. Mund t‘ju sjell raste të suksesshme të kompanive, që të mbështetura nga BAS kanë përfituar edhe pjesëmarrjen financiare me investime të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›