Intervistë me kryetarin e Komunës Katundi i Ri, Hil Priska:Investimet e qeverisë në 3 vjet, sa ato në 8 vitet e shkuara të marra së bashku
Në një intervistë për “standard”, kryetari i Komunës së Katundit të Ri në Durrës, z. Hil Priska, ka renditur vetëm disa prej projekteve të rëndësishme të investimeve të bëra nga qeveria, të cilat sipas tij, “në 3 vjet janë investuar në infrastrukturë rrugore, kanalizime, ujësjellës, shkolla, energji elektrike dhe punësim, aq sa nuk janë investuar në komunën tonë gjatë 8 viteve të qeverisjes së shkuar nga socialistët”
Z. Hil, si paraqitet situata e investimeve në Komunën e Katundit të Ri, kur po mbyllet një vit tjetër nga qeverisja demokratike?
Zona ku shtrihet Komuna e Katundit të Ri ka një sipërfaqe prej 4000 hektarësh tokë, me një popullsi prej 16 mijë banorësh, ka gjithsej 9 fshatra, tre prej të cilave me shtrirje në zonën bregdetare, ka një përkatësi fetare e cila varion, 90 për qind myslimanë dhe 10 për qind katolikë. Në zgjedhjet e fundit për kryetar komune, kam përfaqësuar PD-në dhe kam marrë shumicën e votave afro 80 për qind të tyre. Duke përfunduar rezymenë, dua të theksoj se, megjithëse kemi mbi 90 për qind myslimanë dhe 10 për qind katolikë, tek ne nuk imagjinohet fare ndasia fetare. Duke nisur nga pyetja juaj, që është me rëndësi të madhe për zonën, të tashmen dhe të ardhmen, dua të deklaroi se, asnjëherë, por veçanërisht në 8 vitet e shkuara të qeverisjes nga socialistët, nuk ka pasur rritje të gamës së investimeve, siç ka pasur këto 3 vjet nga qeverisja e z. Berisha. Asnjëherë, banorët e Katundit të Ri nuk kanë qenë kaq të ngazëllyer dhe të ndërgjegjshëm se sot, për investimet e bëra në 3 vjet, që kapin vlerën e mbi 1.5 miliard lekëve të marra së bashku. Kështu u ndërtua rruga Shën-Vlash Rinia, me vlerë 50 milionë lekë të reja, rruga e nënkalimit Sukth-Lapidar–Katundi Ri, me vlerë 63 milionë lekë të reja, rikonstruksioni ujërave të zeza Bisht-Kamës me vlerë 6 milionë lekë të reja, ujësjellësi 3 fshatrave të komunës me vlerë 6.5 milionë lekë të reja, ngritja e dy qendrave shëndetësore në fshatin Rinia me vlerë 1.5 milion lekë të reja. Investimet e të ardhurave nga buxheti i shtetit padyshim zënë vendin kryesor, por ne kemi edhe të tjera investime nga të ardhurat e buxhetit të komunës. Kështu përmend rikonstruksionin e ujësjellësit të Komunës Katundi Ri, me vlerën 6 milionë lekë të reja, shtrimi rrugës Sukth-Erzen-Qerret, me vlerë 10 milionë lekë të reja, ndërtimi i bazamentit të urës Jubës me vlerë 6.4 milionë lekë të reja, sipas kontratës edhe me Ministrinë e Mbrojtjes. Kemi investuar në ndërtim-asfaltimin e rrugës Shahinëve fshati Sukth me vlerë 10 milionë lekë të reja, ndërtimi rrugës së “Cokëve” me vlerë 10 milionë lekëve, ndërtimi i avllive të shkollave Qerret me vlerë 1.8 milion leke të reja. Gjithashtu nga të ardhurat e Komunës sonë, në kemi ndërhyrë edhe në furnizimin me energji elektrike të fshatrave, duke vendosur 5 transformatorë të rinj në Katund Ri, e Qerret, si dhe në fshatin Rinia. Jemi të angazhuar që popullata jonë të mos vuajë për ujin e pijshëm dhe energjinë elektrike.
Cili mbetet angazhimi juaj si kryetar komune në sektorin e arsimit?
Interesimi im mbetet padyshim i madh dhe përparësor në fushën e arsimimit të fëmijëve të 9 fshatrave të komunës sonë. Ai ka nisur me sistemimin e sistemeve të ngrohjes në të gjitha shkollat, si asnjëherë më parë, duke siguruar soba, kaldaja dhe dru zjarri për fshatrat e largëta, ne kemi aktualisht 7 shkolla, kurse kemi gati 3 projekte gjigande për ndërtimin e shkollave në Katundi Ri, Bisht-Kamës, Vllazërim e Fllakë, Jubë. Kemi projekte madhore në infrastrukturën rrugore duke pasur mbështetjen e madhe nga deputeti zonës Osman Metalla dhe ministri i Transporteve Sokol Olldashi, të cilët jo vetëm unë, por edhe banorët e zonës i falënderojnë nga zemra për interesimin dhe zbatimin e projekteve të investimeve. Në projekt mbetet rruga e Jubës me vlerë 76 milionë lekë të reja, rruga Katundi Ri-Qerret me vlerë 70 milionë lekë të reja, rruga Xhafzotaj-Bregdet me vlerë 200 milionë lekë, ky projekt i fundit financohet nga fondet e Komunitetit Evropian.
Si mendoni, sa do të ndikojnë zbatimi i projekteve të investimeve në zonën tuaj bregdetare?
KRRT e Komunës Katundi Ri mbetet e angazhuar totalisht në zbatimin e vendimeve të qeverisë dhe KRRTRSH, lidhur me zbatimin e akt-marrëveshjeve të qeverisë me donatorët e huaj lidhur me investimet e pritshme. Ato do të sjellin veç rritjes së numrit të personave kryefamiljarë të punësuar, edhe rritjen e të ardhurave në arkën e komunës. Padyshim gjithë puna ka nisur të përqendrohet në zbatimin e VKM me nr. 306, dhe VKM me nr. 413, në bashkëpunim edhe me prefektin e qarkut, Pajuni, po bëhet e mundur edhe hipotekimi i trojeve të investimeve. Prioritet tjetër mbetet zbatimi i ligjit, krijimi i kushteve të mira për popullatën, kjo pasi ne kemi ndërtuar së fundi një objekt të Gjendjes Civile, dhe kemi rritur numrin e punonjësve duke krijuar shërbime cilësore. Parimi im dhe stafit tim mbetet “Zbatimi i ligjit, lufta ndaj çdo fenomeni korruptiv”. Ky parim ka vlerë edhe tek organizimi i tenderimeve, të cilat bëhen të hapura edhe për median dhe popullatën e zonës, duke qenë dhe duke kryer njëherësh transparencën e investimeve, kjo padyshim 3 vjet më parë as që ekzistonte.