Trafiku i klandestinëve, 57 vjet burg e 40 milionë lekë gjobë për 11 të pandehurit
Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi dje fajtorë të pandehurit e grupit kriminal, që akuzohet se hodhi në det 44 klandestinë, që po tentonin nisjen me gomone për në Itali një vit më parë. Prokurori i çështjes kërkoi gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare dënimin me rreth 57 vjet burg për 11 të pandehurit, si dhe 40 milionë lekë gjobë për 6 nga të pandehurit. Masat e dënimit varionin nga 7.4 vjet burg për 6 nga të pandehurit, 3.4 vjet burg për 4 të pandehur dhe 4 muaj burg për të pandehurin Pjetër Fusha, i cili u akuza vetëm për “moskallëzim krimi”. Sipas akuzës, të pandehurit kanë kryer trafik klandestinësh nga Shqipëria drejt Italisë në rrugë tokësore, duke bashkëpunuar me persona që vepronin në disa vende ballkanike në veri të Shqipërisë. Episodi më i rëndë i trafikimit për të cilin akuzohet grupi prej 11 personash, është ai i 10 janarit 2008, kur drejtuesit e gomoneve që po niseshin për në Itali, kuptuan se ishin zbuluar nga policia dhe për të shpëtuar, hodhën në det të hapur 44 klandestinë, nga të cilët 35 u shpëtuan falë ndërhyrjes së mjeteve të policisë shqiptare. Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen me 11 persona të akuzuar, se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar klandestinë nga Shqipëria në Itali, në rrugë detare dhe tokësore. Sipas hetimeve, grupi drejtohej nga të dyshuarit Ardian Corri dhe Gëzim Tafaj, të cilët fillimisht trafikonin klandestinë drejt Italisë në rrugë tokësore nga Mali i Zi dhe Sllovenia për në qytetin italian të Udines. Por, pas zbulimit dhe goditjes së kësaj linje nga policia italiane, grupi kriminal akuzohet nga prokuroria se ka ndryshuar linjën e trafikut, duke u përqendruar në rrugët detare. Krerët e grupit kanë bashkëpunuar me 9 persona, të cilët gjetën 44 klandestinë, i grumbulluan ata te "Zogu i Zi" në Tiranë e më pas me makinat e tyre i transportuan drejt plazhit të Patokut, ku ishte organizuar të bëhej nisja e skafeve, mbrëmjen e vonë të 10 janarit 2008. Hetimet zbuluan se çdo person që donte të shkonte në Itali me gomonet e siguruara nga grupi kriminal ka paguar 390 euro. Të pandehuri e këtij procesi janë Ardian Corri, Gëzim Tafaj, Rexhep Cuku, Aleksandër Malaj, Dilaver Hajdini, Altin Gjeloshaj, Ardian Marku, Lek Frroku, Ndrek Preçi dhe Pjetër Tusha.