E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta institucionale brenda shumicës qeverisëse

Mark Marku 

Jeta politike e vendit ka marrë një kthesë të rëndësishme javën e fundit, kur më parë kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zj. Topalli dhe më pas Kryeministri i Shqipërisë, z. Berisha, u deklaruan kundër kandidaturave të paraqitura nga Presidenti i Republikës, z. Topi në Kuvendin e Shqipërisë. Para se t’i hynte konfliktit me institucionin e Presidencës, Kryetarja e Kuvendit ishte angazhuar në një marrëdhënie konfliktuale me Prokurorinë e Përgjithshme për shkak të imunitetit të Mediut.  Pasi ia kishte kthyer kërkesën e parë për numër të pakët faqesh Prokurores së Përgjithshme zj. Ina Rama, Kryetarja e Kuvendit ia refuzoi për të dytën herë dosjen Prokurores së Përgjithshme, këtë radhë me argumentin se kishte sjellë më shumë faqe se ç’duhej (800 faqe). Është e çuditshme se si në një kohë rekord u gjendën në konflikt institucionet kryesore të vendit ose titullarët e tyre dhe konkretisht: Presidenca, Këshilli i Ministrave, Kuvendi i Shqipërisë dhe Prokuroria. Në thelb të konfliktit është përpjekja e disa institucioneve për të ndërhyrë në kompetencat e të tjerëve, gjë që sjell ripërsëritjen e sindromës antidemokratike të formacioneve politike shqiptare për mosrespektimin e ekuilibrit të pushteteve dhe pavarësisë së institucioneve. Problemi i parë në diskutim është pra, shpejtësia dhe aftësia e shumicës për të prodhuar një krizë institucionesh, problemi i dytë fakti se përsëritet një sindromë e vjetër antidemokratike për të cilën Berisha (por edhe kundërshtarët e tij politikë kur ishin në pushtet) janë akuzuar shpesh, problemi i tretë se arsyet e kësaj krize janë të pashpjegueshme me rrethanat politike të momentit dhe se edhe logjika më elementare politike do të sugjeronte të kundërtën e asaj që ndodhi dhe problemi i katërt, se edhe sot pas 18 vjetëve pluralizëm, garanti i demokracisë së brendshme mbetet faktori ndërkombëtar.
Në këtë situatë paradoksale, jo të gjithë kanë të njëjtin faj. Duket qartë se institucionet e sulmuara në këtë rast janë Presidenca dhe Prokuroria e Përgjithshme. Institucionet sulmuese janë Kryeministria dhe Kuvendi i Shqipërisë. Sidomos Kuvendi i Shqipërisë. Më saktë, kryetarja e këtij Kuvendi, zj. Topalli. Agresiviteti dhe cinizmi i saj në këtë konflikt ka tejkaluar çdo kufi. Në të vërtetë ajo prej kohësh përpiqet të luajë shumë role politike që u takojnë institucioneve të tjera dhe këtë e bën pa kurrfarë takti. Kryetarja e Kuvendit ka sulmuar Presidencën, madje ka bërë deklarata publike, ku ka shprehur dëshirën për t’i dhënë këtij institucioni një rol honorifik. Ka gjykuar Prokurorinë e Përgjithshme duke e mësuar atë si të bëjë punën e saj, ka marrë përsipër misione shumë të shpeshta diplomatike, sa të krijohet përshtypja se është ajo ministre e Jashtme dhe jo z. Lulëzim Basha, se është ajo ministre e Integrimit dhe jo zj. Majlinda Bregu. Dhe të gjitha këto veprime kundër institucioneve të tjera i ka bërë duke dhunuar institucionin që drejton: Kuvendi nga një institucion ku votohet në mënyrë demokratike, është shndërruar në një institucion të instrumentalizuar nga kryetarja e saj.
Natyrisht ajo nuk mund t’i ndërmarrë këto veprime pa dijeninë e zotit Berisha. Nuk është e vështirë të shohësh pas gjithë këtyre lëvizjeve dorën e tij. Është e njëjta logjikë e qëndrimit ndaj institucioneve dhe titullarëve të mëparshëm të tyre. Madje, edhe të atyre të zgjedhur nga vetë ai. Ai po sillet me Topin dhe Ramën njëlloj siç është sjellë me Sollakun dhe me Moisiun: pasi i ka zgjedhur, ka hyrë në konflikt me ta, duke i delegjitimuar institucionalisht dhe politikisht. Nga pikëpamja e pragmatizmit politik, ky konflikt është krejt i pamenduar. Kjo për dy arsye. E para se asnjë politikan që do të donte t’i fitonte zgjedhjet, nuk hap konflikte një vit para zhvillimit të tyre, por kërkon t’i mbyllë ato. E dyta, sepse mungesa e institucioneve të pavarura ose sulmi ndaj tyre janë një bilanc negativ që kundërshtari politik e kapitalizon në mënyrë maksimale.
Rezultati i parë negativ i këtij aksioni të pamenduar politik është shënuar dy ditë më parë, kur ambasadori amerikan, z. Withers, ka marrë fare hapur në mbrojtje Prokuroren e Përgjithshme, duke i dhënë një goditje sulmeve të Kryetares së Kuvendit ndaj saj. Dje të njëjtën gjë ka bërë edhe me zotin Topi, të cilin e ka mbështetur fare hapur, duke i dhënë një sinjal të qartë zotit Berisha, që të ndërpresë sulmet ndaj tij. Të njëjtën gjë ka bërë edhe ambasadori i BE-së, z. Lohan. Pra, brenda një kohe shumë të shkurtër faktori ndërkombëtar ka reaguar i shqetësuar, gjë që natyrisht nuk është fare pozitiv as për PD-në, as për qeverinë dhe as për ambiciet integruese të Shqipërisë. Vetëm ky reagim do të mjaftonte për të kuptuar pasojat negative të asaj që ka ndodhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›