E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënat shtatzëna me probleme, konsultë virtuale edhe me specialistë të huaj

Mjekët shqiptarë do të marrin asistencë nga specialistët e huaj me më shumë përvojë për sa u takon problemeve specifike te nënat shtatzëna apo foshnjat e sapolindura. Nëpërmjet një metode të re, të një teknologjie të avancuar, mjekët e qendrës universitare obstetrike "Koço Glozheni", do të mund të marrin këshilla të drejtpërdrejta nga mjekët italianë. Dje është inauguruar një sistem i ri konsultash i quajtur telemjekësia. Nëpërmjet kësaj metode, mjekët shqiptarë komunikojnë me homologët e tyre për të gjitha problemet specifike që mund të kenë gratë shtatzëna apo fëmijët e sapolindur. Specialistët e huaj do të sugjerojnë duke u bazuar edhe në përvojën e tyre për specialitete që Shqipëria ende nuk i ka zhvilluar. Një grup mjekësh italianë, miq të Shqipërisë, që shumë herë kanë ofruar asistencë, sidomos për fëmijët e vegjël kanë "inauguruar" dje në maternitetin "Koço Glozheni" konsultën e parë nëpërmjet telemjekësisë. Kjo, në kuadër të bashkëpunimit me rajonin e Toskanës për zbatimin e projektit "Cuore Balcani, Albania".

Demonstrimi i kryer në dhomën e ekografisë te "Koço Glozheni" është pikënisja e një procesi të ri që po aplikohet, i cili do t‘ju vijë në ndihmë mjekëve shqiptarë në të gjitha ato raste specifike kur konsulta do të jetë e nevojshme. Me anë të këtij instalimi, për herë të parë në vendin tonë mundësohet konsultimi i drejtpërdrejtë me mjekët italianë për diagnostikimin e nënave shtatzëna dhe të anomalive të lindura te fëmijët neonatalë të lidhura veçanërisht me sëmundjet e zemrës. "Çdo element i ri që futet në teknologjinë mjekësore, por edhe në komunikimin shkencor, është me të vërtet pozitiv dhe ndikon në një diagnostikim sa më të mirë të pacientëve", sqaroi ministri Petrit Vasili. Sipas tij, nëpërmjet kësaj metode pacienti e merr përgjigjen për diagnozën e tij në kohë reale, ndaj dhe kjo praktikë do të shtrihet edhe në shërbime të tjera të mëdha kombëtare.

L.Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›