Invalidët në protestë dy muaj pa pension, paga u ka kaluar në bankë
Lushnjë
Vonesat në marrjen e pensioneve të invaliditetit kanë nxjerrë në protesta më shumë se 100 paraplegjikë dhe tetraplegjikë të qytetit të Lushnjës. Ata kanë më shumë se dy muaj që nuk marrin pensionet. Pasi i janë drejtuar bashkisë së qytetit, në departamentin e punëve sociale, ku kanë tërhequr më parë paratë, invalidët janë njoftuar se këtej e tutje pagesat do të bëhen në një nga bankat e nivelit të dytë të qytetit. Ky njoftim ka drejtuar invalidët nga bashkia te banka e zgjedhur për këtë shërbim, por atje nuk kanë marrë dot asnjë përgjigje. Në bashkinë e qytetit shpjegojnë se kalimi i pagesave në banka është caktuar me një vendim qeverie që mban datën 16 shkurt të një viti më parë. Zyrtarë të bashkisë pohojnë se problemi qëndron te bankat. “Vonesa është e bankave. Ne i kemi përfunduar të gjitha procedurat e urdhërxhirimeve. Kemi kaluar edhe fondin për ndihmën ekonomike edhe atë për invalidët”, tha një zyrtar i Bashkisë së Lushnjës. Ndërkaq, krahas invalidëve protestues gjenden me dhjetëra persona që u përkasin familjeve të varfra, të cilat kanë dy muaj pa marrë ndihmën ekonomike.
#