E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezervuari i Banjës prek periferinë e Gramshit

Elbasan Drejtuesit e kantierit të hidrocentralit thonë se kanë shtuar monitorimin

“Hidrocentrali i Banjës mbahet nën masa të forta sigurie. Jap garanci të plotë se nuk mund të ketë asnjë avari për përmbytje”, ka deklaruar mëngjesin e djeshëm për gazetën “Shqip”, drejtori i kësaj vepre të papërfunduar, Julian Marku. Sipas tij, janë shtuar rojet e sigurisë, të cilët punojnë me tre turne. Ndërkohë që tri herë në ditë bëhen matjet për kontrollin e prurjeve të ujit nga lumi Devoll, si dhe ato të shkarkimit. Aktualisht, niveli i ujit në rezervuar ka rënë në tri ditët e fundit me mbi një metër dhe kuota e mbushjes është në nivelin e 110 metrave, ose mbi 70 metra në kuotën maksimale, që emetohet si pika kritike e mbushjes së rezervuarit. Pak ditë më parë janë kontrolluar edhe portat e shkarkimit nga specialistë hidrocentralesh dhe ato funksionojnë normalisht. Vetë kreu i kësaj vepre, Marku, shoqëruar nga dy specialistë, realizon disa kontrolle në ditë përgjatë rrjedhjes së lumit nën bazamentin shkarkues, si dhe përgjatë vijës ujore mbushëse me shpatet e maleve të Banjës. Aktualisht, niveli i ujit “prek” periferinë e qytetit të Gramshit dhe për pasojë ka dalë jashtë funksionit rruga më e shkurtër që lidh Elbasanin me zonat përreth me qytetin e Gramshit e më gjerë, për shkak të mbulimit me ujë të një pjese të gjatë të aksit rrugor, si dhe mbulimit të urës me ujë mbi përroin e Holtës. Një bllokim i tillë mund të zgjasë disa muaj, por zgjidhja e qarkullimit është bërë për këtë shkak nga rruga e vjetër që kalon nga Llixhat e Elbasanit, sado që është dy herë më e gjatë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›