Rrëshqitja e tokës rrezikon dhjetëra banesa
“Dhjetëra shtëpi janë të pabanueshme, të tjera rrezikojnë të shemben nga rrëshqitjet masive të dherave. Alarmi është dhënë nga prefekti i Vlorës, Hasan Halili, i cili tha dje për “Shqip”: “Shumë zona në Vlorë po vuajnë rrezikun e rrëshqitjes së tokës dhe çarjes së shtëpive të tyre. Situata mbetet më problematike në fshatin Trevllazër, ku rreth 30 shtëpi janë të pabanueshme dhe banorët janë larguar duke u zhvendosur në familje të tjera dhe nëpër çadrat që u kemi çuar”. Ndërkohë, sipas prefektit, probleme ka edhe në fshatin Kocul, ku rreth 26 shtëpi rrezikojnë të shemben, nga të cilat 5 janë të pabanueshme. “Në fshatin Treblovë, një pjesë e luginës mbi të cilën është ndërtuar fshati, ka shkarë”, tha prefekti. Ndërkaq, në fshatin Rromës, shkolla ka dalë jashtë funksionit dhe aty nuk zhvillohet mësim, pasi godina ka rrezik të shembet. “Morëm masa që nxënësit dhe mësuesit të zhvendosen në ambiente me qira për të zhvilluar mësimin, pasi në godinën ekzistuese u rrezikohet jeta”, shtoi prefekti. Rruga e fshatit Rromës është problematike, pasi është e vështirë për të kaluar nga rrëshqitjet e dheut. “Probleme ka edhe brenda Vlorës, pasi shkarjet e tokës kanë shkaktuar çarje të tubove të ujësjellësit”, tha prefekti Hasan Halili.
#