Vdes duke riparuar defektin e black out-it elektricisti
Një elektricist nga qyteti i Kukësit ka gjetur vdekjen mëngjesin e së mërkurës, ndërsa punonte për riparimin e një defekti në rrjetin e brendshëm të qytetit. Jonuz Axhami, 46 vjeç, ka qenë duke punuar në një kabinë elektrike të lagjes së re të Kukësit, e cila kishte pësuar defekt gjatë natës së shkuar. Ka qenë ora 07.30 të mëngjesit të djeshëm, kur Axhami, baba i tre fëmijëve, kishte hipur në kabinë për të punuar, pasi kishte lajmëruar operatorin e komandimit të nënstacionit në Rexhepaj dhe për disa minuta ishte ndërprerë energjia elektrike. Ndoshta një gabim i operatorit të nënstacionit i ka kushtuar jetën 46-vjeçarit Axhami, i cili punonte si dispeçer për qytetin e Kukësit.
Ndërkohë, burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se Axhami ka fikur njërin tel që transportonte energji, por duket se ka harruar të shkëpusë telin tjetër, i cili ka qenë në funksion të plotë. Një dëshmitar nga vendi i ngjarjes thotë se Axhami kishte ardhur i vetëm pa asnjë koleg tjetër për ta riparuar linjën, gjë që bie në kundërshtim me rregullat e sigurimit teknik.
“Ne e kishim njoftuar dispeçerin e qytetit se nuk kishim drita, sepse rrufeja goditi shtyllën dhe energjia u ndërpre. Jonuzi sapo u ngjit në shtyllë tha se duhej të shkëputeshin telat përcjellës, sepse nuk i dihet, mund të kishte energji. Nga larg pashë që po telefononte dhe më pas iu përvesh punës, por në moment pashë një shkarkesë elektrike shumë të madhe dhe ai ra përtokë. U munduam me disa shokë ta ndihmonim dhe e dërguam në spital, por mjekët thanë se ai ishte i pajetë”, ka treguar një banor i lagjes ku ndodhi aksidenti. Menjëherë ka udhëtuar në vendngjarje një grup hetimor, i cili po punon për zbardhjen e rrethanave që sollën vdekjen e elektricistit. Sipas burimeve të policisë, aksidenti ka ndodhur për shkak të një gabimi njerëzor. Drejtori i Policisë së Kukësit, Ali Elezi, tha se 46-vjeçari kishte komunikuar me nënstacionin e Rexhepajve, nga ku kishte marrë konfirmimin se pranë kabinës së dëmtuar nuk kishte rrymë elektrike. Deri në mbrëmje ende nuk është marrë vesh nëse do ketë persona të shoqëruar në polici apo arrestime për aksidentin.
#