E Hënë, 2 Nëntor 2026

Invalidët “pushtojnë” Bashkinë e Shkodrës

22/03/2005  “Ping-pong” mes strukturave shtetërore për pensionet

SHKODËR - Përsëri invalidët e punës nuk arrijnë të marrin paratë shtesë të premtuara që nga muaji nëntor. Pas deklarimit në media të kryetarit të shoqatës së invalidëve, Kadri Kastrati, se çeku tashmë ka ardhur dhe paratë do të fillojnë të shpërndahen së shpejti, invalidët po rropaten përreth 5 ditë sa në Prefekturë e sa në Bashkinë e Shkodrës, por pa arritur të marrin paratë që u takojnë atyre sipas vendimit të qeverisë. Gjatë paradites së djeshme, invalidët, tej mase të irrituar, i janë drejtuar derës kryesore të Bashkisë për të zgjidhur problemin, madje në irritim e sipër ata janë futur brenda ambienteve të saj. Në lidhje me problemin e invalidëve është prononcuar për gazetën “Metropol” nënkryetari i sindikatës së invalidëve të punës, Ismet Reshit Lekaj, me statusin invalid i plotë i punës.

Si qëndron problemi i parave, për të cilat jeni irrituar kaq shumë?

Acarimi i invalidëve të punës është mëse i arsyeshëm, pavarësisht gabimit të hyrjes me vrull në korridorin e Bashkisë, por kjo erdhi në gjaknxehtësi e sipër. Ka plot 5 muaj, duke filluar nga nëntori i vitit të kaluar, që 2200 invalidët e punës të qytetit Shkodër, nuk po marrin dot shtesat e parave të akorduara nga qeveria për ta. Kemi bërë përpjekje të mëdha deri në arritjen e marrëveshjes me qeverinë për akordimin e një shtese për dy kategoritë e invalidëve, 2000 lekë për invalidët e pjesshëm dhe 3000 lekë për invalidët e plotë dhe tani na del problemi tjetër i mosmarrjes së këtyre parave. Irritimi vjen edhe nga fakti se për kategorinë e invalidëve të gjitha komunat e rrethit Shkodër kanë bërë tërheqjen dhe shpërndarjen e parave dhe për më tepër shpërndarja është bërë edhe në të gjitha Bashkitë dhe komunat e Shqipërisë e vetëm në Bashkinë Shkodër nuk janë bërë.

Pse jeni drejtuar pikërisht te Bashkia?

Sipas mendimit tonë, tani puna ka ngelur te veprimet e Bashkisë Shkodër, sepse ditën e enjte kemi shkuar në Prefekturë për të sqaruar problemin tonë, që tani është bërë shqetësues dhe nga sekretari i prefektit kemi marrë përgjigjen se nga ana e saj Prefektura i ka dhënë rrugë problemit dhe se çeku ka ardhur me urdhër të Ministrisë së Punës dhe të Çështjeve Sociale dhe paratë duhet të shkojnë që t’i tërheqin ditën e hënë pranë Bashkisë. Tani nuk kemi më punë me prefekturën, por me punonjësit e Bashkisë që shprehen se paratë nuk kanë ardhur ende. Dua të theksoj se pas acarimit të turmës ka ardhur dhe policia, e cila ka dashur të ndalojë dy invalidë, por ka qenë ndërhyrja ime, si përfaqësues i tyre, që i ka bërë të largohen, pasi ne kemi të drejtën tonë dhe na mbron ligji.

Si do të veproni në rast se do të vonohen përsëri paratë?

Fillimisht sot do të takojmë patjetër drejtuesit e Bashkisë dhe drejtorin ekonomik, Shkëlzen Mustafaraj, që na ka thënë se paratë nuk kanë ardhur ende, pastaj kemi vendosur që, në qoftë se problemi ynë nuk merr zgjidhje atëherë pas dy ditësh, në orën 08:00, të gjithë invalidët, 2200 vetë, do të dalim në një protestë paqësore para Bashkisë, deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit tonë, sepse janë paratë që na takojnë ne, dhe dua të sqaroj se jemi jashtë ngjyrave politike që përfaqësojnë dy institucione të ndryshme, siç janë Bashkia dhe Prefektura. Ne jemi të interesuar vetëm për marrjen e parave, për të cilat kemi nevojë jetike. Pas këmbënguljes së tyre, invalidët kanë bërë të mundur që një përfaqësi e tyre të futet zyrtarisht në zyrat e Bashkisë dhe kanë kontaktuar me nënkryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi, e cila i ka sqaruar ata se është e vërtetë që nuk janë shpërndarë dhe nuk janë tërhequr paratë dhe ne jemi interesuar vazhdimisht për këtë problem, por puna nuk çalon te Bashkia Shkodër, sepse sikur edhe e ka bërë të ditur në mediat lokale, defekti është te Ministria e Pushtetit Lokal, e cila na ka dërguar vetëm një faks të pavulosur e firmosur, që nuk mund të jetë kurrsesi një shkresë zyrtare që na lejon ne të bëjmë tërheqjen e parave. Duke u bazuar në kërkesat tona nga ministria na është konfirmuar se shkresa zyrtare do të vijë nesër dhe kalvari i mundimshëm i shtresës së invalidëve do të marrë zgjidhjen e duhur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›