E Hënë, 2 Nëntor 2026

Për anti- liberalët e vjetër

22/03/2005  Pas një reflektimi të gjatë mbi “zbrazëtinë” e kolokiumit liberal të organizuar gjatë muajit janar, z.Hysamedin Ferraj shkruajti një artikull te gazeta “Rimëkëmbja”, ku përpiqej të përbaltte gjithçka që lidhej me kolokiumin, përfshi këtu edhe emrat e filozofëve me famë botërore, që u përmendën aty. Në fakt, ishte paradoksale që nga njëra anë z.Ferraj thoshte se kolokiumi nuk kishte ndonje impakt apo ndikim, e nga ana tjetër shkruan pas një muaji një artikull me mbi 15 faqe si reagim ndaj tij.

Z.Ferraj merrte përsipër, me goxha guxim, që të denigronte nobelistin e ekonomisë për vitin 1974, Friedrich von Hayek, duke thënë, mes të tjerash, se ai nuk ishte ndër ekonomistët më të mëdhenj të kohërave. Porse, komisioni në Stokolm nuk e ka menduar kështu. Në fakt, ky pohim tregon se z.Ferraj nuk e njeh hiç Hayekun, gjë që përforcohet kur ai e bashkon atë me monetaristët, ndërkohë që Hayek njihet si një ndër përfaqësuesit kryesorë të shkollës austriake të ekonomisë, e cila u zhvillua goxha përpara monetaristëve të shkollës së Çikagos.

Z.Ferraj i quante punimet si elementare e të cekta që paraqisnin gjëra që dihen. Por mosdija në fushën në fjalë shpaloset nga vetë z.Ferraj, kur ai gabimisht i konsideron merkantilistët si liberalë anti-intervecionistë, ose si ata që ishin për ekonominë e tregut të lirë. Ky gabim vjen nga fakti që fjala “merkantilist” ka lidhje kuptimore me tregun, gjë që e ka shtyrë të mendojë se merkantilistët kanë qenë për tregti të lirë ose për liberalizmin. Megjithatë, një keqkuptim i tillë mund të zgjidhej me një të klikuar të google, ose një të shfletuar të një enciklopedie. Në vijim të “diskutimeve fillestare të kolokiumit” po e vë në dijeni z.Ferraj, si dhe studentët e tij të shumtë që mund ta kenë mësuar keq prej tij, se merkantilizmi është teoria ekonomike që beson se pasuria ekonomike e një vendi varej nga zotërimi i metaleve të rralla si ari apo argjendi (bullion) dhe kërkonte që shteti të ishte intervencionist e të ndërhynte në mënyrë aktive për të inkurajuar eksportet dhe dekurajuar importet, nëpërmjet politikave proteksioniste. Merkantilizmi ka shumë pak të bëjë me liberalizmin, bile edhe vepra pararojë e liberalizmit, ‘Pasuria e Kombeve’ e Adam Smith, ka qenë një pamflet i qartë antimerkantilist.

Po kështu, mua m’u duk i palogjikshëm që të argumentohej se teoritë e Adam Smith nuk qëndrojnë vetëm pse Evropa dhe Amerika sot kanë politika proteksioniste. Kjo bindje është tipike e atyre që kanë një përqasje orientaliste dhe mendojnë se gjithçka që bëhet në perëndim është versioni më i mirë dhe më i përshtatshëm për t’u imituar dhe meqënëse proteksionizmin na e bëkërka perëndimi, atëherë proteksionizmi është pozitiv. Në fakt, nga ana empirike, është vërtetuar bindshëm tashmë që shtetet me ekonomi të kontrolluar kanë më pak prosperitet se ato me ekonomi të lirë, dhe se shtetet me ekonomi krejt të centralizuar, ose kanë dështuar e shkërmoqur prej kohësh dhe kanë ndryshuar sistemin, siç është shteti komunist shqiptar, ose janë duke lënguar grahmat e fundit të jetës së tyre, siç po ndodh me Korenë e Veriut dhe Kubën.

Z.Ferraj në fillim të artikullit të vetë deklaronte se ai ishte thjesht vetëm një shqiptarocentrik, ndërkohë që në vazhdim përqafon haptazi argumente antikapitalist të tipit marksist si: çdo mall në tregun e lirë priret apriori të centralizohet dhe monopolizohet. Çuditërisht, shekuj kanë kaluar që kur kapitalizmi industrialist ka nisur dhe jo vetëm që nuk shohim monopolizim apo centralizim, por krejt të kundërtën. Po të ishte e vërtetë teoria e centralizimit në ekonomitë e tregut, atëherë ekonomia botërore do të kishte qenë prej kohësh më e përqëndruar në pak duarm ndërkohë që sot ne shohim lulëzimin ekonomive të shteteve të Azisë, Evropës Lindore a gjetiu dhe daljen e qindra kompanive të reja dita-ditës.

Po kështu do të ishte mirë të vihej në dukje se ndryshe nga artikullit i z.Ferraj, shumica e zbulimeve sot nuk bëhet nga qeveria amerikane, por nga kompani ose shkolla private dhe arritjet e teknologjisë vihen shpejtë në dobi të njerëzimit. Po qe se, siç thotë z.Ferraj, CIA do t’i mbante për vete arritjet shkencore, atëherë ne sot do të ishim akoma duke përdorur levën e Arkimedit apo duke bërë llogaritjet me goglat e Abakusit. E vërteta është se konkurrenca e tregut të lirë është shtysa më e madhe për përparimin dhe aplikimin e shkencës. Sot shumë prodhues konkurrojnë për pak konsumatorë dhe për të konkurruar më mirë investojnë shumë para në teknologji për të ulur koston e produktit, ose për të shpikur produkte të reja më moderne që të bëjnë për vete konsumatorët. Falë tregut të lirë, ne kemi kompjutera gjithnjë e më të lirë e më të përparuar. Po të ishim akoma në shtetin e ekonomisë së kontrolluar, ne sot do të vazhdonim të kishim me të njëjtin çmim televizorët bardhezi Butrinti apo Adriatiku, që janë prodhuar për herë të parë në vitet ‘70-të e vazhduan të shiten të pandryshuar deri ne rrënien e komunizmit.

Në artikullin e sipërpërmendur, autori largohet akoma më tej nga shqiptaro-centrizmi, nëse një e tillë ekziston dhe përqafon argumente të tjera marksiste antiglobaliste, duke na vënë në dukje “prirjen” për t’u uniformalizuar. Autori e shikon procesin e globalizimit sikur ai të lëvizte vetëm në një kah. Ky duket që është një argument i kapërdirë shabllon nga e majta evropiane, pasi aty përmendet kërcënimi i identitetit shqiptar nga ngrënia e Mc Donalds, ndërkohë që ne ende nuk e kemi një restorant të tillë në Tiranë. Prof. Ferraj harron që falë globalizimit ne mund të lexojmë libra të huaj, komunikojmë me internetin, vishemi ndryshe etj. Neve në realitet na janë pasuruar shijet, pasi sot kemi mundësi të shkojmë në restorante kineze, meksikane apo turke, që nuk i kemi parë më parë. Unë nuk di të them pse tjetërkush ndihet i kërcënuar nga liria për të zgjedhur mes dhjetëra pijesh të reja të shfaqura pas komunizmit, mes të cilave spikat Coca-Cola, por unë për vete jam i ngazëllyer që sot mund të ble lehtësisht verëra italiane apo spanjolle, bile edhe francezem po të jem mirë nga xhepim si dhe mund të shkoj në klub e të gjej dhjetëra pije të reja alkoolike e jo vetëm mundësinë e kufizuar për të zgjedhur mes rakisë e konjakut shqiptarm siç kishin fatin e keq të gjenin prindërit e mi.

Artikulli i z.Ferraj kundërshtonte në mënyrë të pabazuar edhe tezën, që unë kisha paraqitur në kolokium, në lidhje me bindjen liberale se shteti duhet të respektojë vetëm të drejtat natyrore të njeriut dhe se të drejtat social-ekonomike dhe ato të grupit nuk mund të quhen të drejta të individit. Ajo që z.Ferraj nuk kuptonte ishte se unë nisesha nga parakushti që të drejta natyrore mund të quhen vetëm ato të drejta që janë absolute, universale dhe të patjetërsueshme. Duke u nisur nga kjo premisë, unë argumentoja se të drejtat social-ekonomike dhe ato të grupeve, që nuk i kanë të tre këto cilësi, prandaj nuk mund të quhen të drejta natyrore. Ato janë shumë të mjegullta dhe vënia në jetë e tyre do të varej nga standarde apo kritere arbitrare të vendosura nga shteti dhe do cënonte të drejtat themelore të individit. Kushdo mund të mos mendojë si unë, duke thënë se të drejtat natyrore nuk janë vetëm ato që janë absolute, universale dhe e patjetërsueshme, dhe ka të drejtë të ndërtojë tjetër strukturë argumentimi nisur nga premisa të tjera. Psh, mund të thojë se të qenurit shqiptar, mysliman dhe geg është burimi i çdo të drejte dhe të vërtete.

Përpos këtyre çështjeve, unë dua që të shpreh kundërshtimin tim në lidhje me pretendimin e z.Ferraj, i cili thoshte se “populli shqiptar akoma nuk është ndërtuar”. Unë jam i bindur se ne shqiptarët jemi tashme një komb me identitet të veçantë e të kristalizuar. Ideja që ne nuk jemi trup politik i aftë për të ndërtuar një shtet është një teori antishqiptare që i shërben vetëm qarqeve shoviniste serbe e greke. Këto qarqe historikisht kanë pretenduar, po si z.Ferraj, që shqiptarët nuk janë një trup politik, nuk kanë identitet të qartë dhe nuk janë ende të aftë që të ndërtojnë një shtet të hajrit të tyre. Sidomos tani me negociimin e pavarësisë së Kosovës, ky është një ndër argumentet kryesorë më të dëmshëm që përdoren për t’iu mohuar shqiptarëve atje shtetin e pavarur.

Kuptohet që njerëz të tjerë janë të lirë të ëndërrojnë për një komb apo popull politik alternativ, ndryshe nga ai që kemi tani. Porse idetë për ndërtuar e imponuar një këndvështrim të vetëm nëpërmjet inxhinierive sociale janë kërcënuese. Ne, liberalët, ndihemi patriot dhe jemi gjithmonë të shqetësuar për lirinë dhe të drejtat e bashkëkombasve tonë jashtë kufijve. Por ne nuk jemi të shqetësuar për kombin tonë, sepse na kanë dëbuar nga Kosova për kushedi çfarë dhe kemi urrejtje e dëshirë për të marrë hak, por sepse mendojmë se një akti i tillë në parim është i padrejtë e i papranueshëm dhe asnjeri, qoftë, shqiptar, serb, boshnjak apo timorian, nuk meriton një trajtim të tillë çnjerëzor.

Këtu qëndron edhe ndryshimi mes nesh, që jemi idealistë deontologjikë dhe ata që janë konsekuentalistë. Në filozofinë e moralit, qëndrimi deontologjik është ai që pengon ose lejon veprime në bazë të normave të moralit, dhe në rastin tonë norma kryesore është liria. Ndërkohë konsekuentalistët mendojnë se ato që kanë rëndësi në veprimet politike janë pasojat që vijnë dhe jo parimi i veprimeve. Që do të thotë liria dhe respektimi i simboleve etnike është i mirë dhe i justifikueshëm kur aplikohet te shqiptarët, por për hir të çështjes kombëtare nuk duhet aplikuar te minoriteti serb në Kosovë, ose minoriteti grek në Shqipëri.

Nëse mund të konsiderohet që s’ka të bëj me moralin, ajo është ideja e hedhur nga z.Ferraj, i cili ishte i gatshëm që të bëhej me nazizmin e Hitlerit dhe komunizmin e Stalinit për hir të shqiptarocentrizmës së tij. Që do të thotë se ai nuk e ka për gjë të pranoj makabritetet e llahtarshme të Holokaustit, pogromeve dhe gulageve për hir të çështjes kombëtare.

Por, nejse, errare humanum est, dhe në punimin e vetë z.Ferraj e demonstron goxha dendur këtë pohim, por, fatkeqësisht, një artikull është tepër i shkurtër për t’i shqyrtuar të gjitha këto demonstrime të tija.

____________

Autori është drejtor i insitutit Liberal Shqiptar, bashkorganizator i COLLOQUIUM-it LIBERAL, organizuar më 18–19 janar 2005 në Tiranë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›