E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqiptaro - çorientizmi

22/03/2005  Ky do të ishte termi më i përshtatëshëm për të përmbledhur qëndrimin e zotit Ferraj ndaj Kolokiumit Liberal organizuar disa javë më parë. Reagimi i zotit Ferraj, ndonëse herë herë parashtron argumente me interes fillon me një pozicionim inkoherent, vazhdon me një shtjellim tendencioz të argumentave dhe degjeneron në akuza mjerane. Në thelb të këtij qëndrimi zien dëshira e autorit për të provuar se “ai di, kurse ata jo”, pavarësisht se gjithë kjo “dije” ofrohet si këshilla dashamirëse për “fillestarët”. Për të arritur këtë qëllim autori nuk ngurron të prodhojë më shumë citime sesa argumentim.

Është e pamundur që ta analizojmë qëndrimin e zotit Ferraj në tërësinë e tij, pasi numri i argumentave dhe keqinterpretimeve është tepër i madh. Për këtë arësye do të përqendrohemi tek piknisja e tij, apo ajo që mund ta quajmë “doktrina e shqiptarocentrizmit”. Sipas kësaj qasje zoti Ferraj thotë se “në qendër kam vendosur (arbitrarisht) shqiptarët dhe gjithçka tjetër e shoh në varësi të këtij qëllimi, duke përfshi edhe ideologjitë”. Ndryshe kjo qasje do të përmblidhej në fjalët e Vaso Pashës ‘feja e shqiptarit është shqiptaria’, çka do të thotë se ajo e shikon zhvillimin e kombit shqipëtar të mbetur diku rreth një shekull më parë.

Si e tillë ndonëse mund të tingëllojë mjaft ‘patriotike’, një qasje e tillë nuk ofron asgjë në planin ideologjik, plan në të cilin u zhvillua kolokiumi. Të thuash që në qendër të shqetësimeve ke shqiptarët dhe Shqipërinë nuk ke thënë asgjë, pasi këtë e thonë apo e nënkuptojnë pothuajse të gjithë aktorët dhe faktorët politikë ose jo, patriotë ose të shitur, dhe madje këta të fundit më shpesh se të parët. Pikërisht për këtë arsye zhvillohen debate pa fund midis një numëri aktorësh, ku secili përpiqet të argumentojë se çfarë është më e mirë për shqiptarët dhe Shqipërinë. Kështu të majtët argumentojnë se ata dhe qeverisja e tyre me në krye Fatos Nanon është alternativa më e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndërsa të djathtët argumentojnë të kundërtën duke thënë se e mira e Shqipërisë është Berisha, ndërkohë që një pjesë e mirë e analistëve apo e qytetarëve të thjeshtë nuk duan as njërin dhe as tjetrin duke argumentuar se ikja e të dyve e shpëton Shqipërinë.

Debati që nxiti kolokiumi i liberalëve të djathtë ishte pikërisht në kuadrin e ‘çfarë’ dhe ‘pse’ është e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe për këtë u ofruan një sërë idesh me një qasje të qartë ideologjike dhe me implikime konkrete në praktikë, të cilat në një pjesë të mirë janë përfshirë edhe në programin elektoral të Partisë Demokratike, sic është rasti i qeverisë së vogël (small government). Si të tilla ato mund të materializohen si politika të mirëfillta qeverisjeje nëse e djathta vjen në pushtet. Dhe ky ishte pikërisht njëri nga qëllimet themelore të këtij kolokiumi, që sipas zotit Ferraj ‘nuk kishte asgjë të re’; të nxiste një qeverisje të mbështetur mbi parime dhe vlera të qarta liberale të djathta.

Shqiptarocentrizmi nga ana tjetër jo vetëm që nuk kontribuon në debatin politik aktual, por përkundrazi e eliminon atë. Së pari ai i trajton shqiptarët si një kategori homogjene, duke marrë si të mirëqenë që ata kanë që të gjithë të njëjtat interesa, të cilat janë në qendër të shqiptarocentrizmit. Në këtë mënyrë anashkalohet diveristeti dhe interesat e ndryshme dhe shpesh të kundërta midis grupeve të ndryshme shoqërore dhe politike midis shqipëtarëve. Çdo grup shoqëror apo politik, sikurse dhe çdo individ i vecantë në shoqërinë shqiptare ka jo vetëm interesa të ndryshme dhe shpesh të kundërta me grupe apo individë të tjerë por edhe një vizion të vetin mbi atë se çfarë është e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe në një demokraci liberale kjo është një e drejtë themelore e çdo grupimi apo individi. Shumë lehtë një liri e tillë mund të eleminohet në emër të ‘shqiptarocentrizmit’, socializmit, komunizmit, apo ndonjë “izmi” të ngjashëm më këto. Ashtu sikurse shumë popuj janë masakruar “në emër të popullit”. Kështu shqiptarocentrizmi i zotit Ferraj në rastin më të keq mund të na çojë drejt kufizimit të lirisë apo një shoqërie totalitare ndërsa në rastin më të mirë nuk na thotë asgjë mbi çështjet më themelore që e shqetësojnë shoqërinë shqipëtare.

Mundësia e dytë ndonëse me pak e rrezikshme se llogjika totalitare e shqiptarocentrizmit është në fakt më shqetësuesja. Shqiptarocentrizmi i zotit Ferraj, ashtu sikurse ligjërimi steril politik në Shqipëri, që bazohet ekskluzivisht në një sërë kategorish përgjithësuese, është një strehë komode për të ngritur zërin e ‘patriotit’ duke mos thënë asgjë. Duke i sharë të gjitha palët si jo patriote, një qasje e tillë shërben thjesht për të ruajtur status-quonë, pasojat e së cilës mbi Shqipërinë i shohim çdo ditë. Është thjesht ironike që kjo status -quo ruhet në emër të shqiptaro - centrizmit. Diçka e tillë ka vetëm një emër: shqiptaroçorientizëm.

*autori është lektor i jashtëm në departamentin e gazetarisë , Universiteti i Tiranës dhe drejtor i Shkollës Shqiptare të Politikës, si dhe një prej bashkëorganizator i Colokiumit Liberal

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›