Rrofshin kartat e identitetit. Romët: Pse nuk e japim votën!
28 qershor 2009. Thuajse mesditë. Kalojmë pranë barakave të romëve të vendosur buzë lumit të Lanës. Shpesh, ndodh të kthesh kokën e t‘i hedhësh një sy fëmijëve që kalojnë pjesën më të madhe të ditës në trotuarin bri rrugës kryesore, (të rrezikuar prej automjeteve, sigurisht), grave që lajnë në mot të ftohtë e të ngrohtë po aty, e ku teshat nderen kaluar atij gardhi të lartë (si për të fshehur pikërisht ato baraka) që rrethon Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit. Zgjasim kokën. Një e moshuar, ulur në gjunjë lan rroba në govatë, një grua pak më tutje pi një cigare... Fëmijët janë të parët që na presin. Janë të qeshur. U prezantohemi. Sot është ditë zgjedhjesh në Shqipëri. Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të votojnë, të vendosin për drejtuesit e shtetit, të vendosin për ata që duan t‘i përfaqësojnë. Komuniteti rom në Shqipëri, gjithashtu e ka këtë të drejtë. E moshuara lë një çast punën. Nuk ka shkuar të votojë e nuk ka ndërmend ta bëjë. "E përse? T‘u japim votat politikanëve që ata të pasurohen? Ne prej vitesh vuajmë të njëjtën gjendje. A jetohet kështu? Kjo e jona nuk është jetë. Shiko, tani i laj rrobat e do bëhen pis sa hap e mbyll sytë, se në të tilla kushte jetojmë. Kjo nuk është jetë", thotë ajo dhe revolta i lexohet ndër sy. Një jetë e kaluar mes vështirësisë e varfërisë, mes diskriminimit dhe paragjykimit e ka bërë të jetë indiferente kësaj here. "Zgjedhjet e kaluara votova, por nuk dua të votoj më. Ju mendoni se neve na pëlqen kjo mënyrë jetese? Pse, ne nuk e duam një shtëpi ku të fusim kokën, apo mendoni se nuk na pëlqen e bukura. Shiu i këtyre ditëve na u fut i gjithi në barakë. Fëmijët i kalova te baraka ngjitur e komshies, se është pak më e mirë. Shikoni lagështirën", dhe ajo bën me kokë për të parë brenda asaj karakatine të sajuar me ç‘kanë mundur. Dyshemeja është ende e lagësht. Njësoj shprehet edhe më e reja, gruaja që jeton karshi saj. Për këto zgjedhje parlamentare, askush nuk ka ardhur t‘u premtojë siç kanë bërë katër vite më parë. Kësaj here, politikanët ua kanë kursyer fjalët e tepërta dhe premtimet e pambajtura. Pak muaj më parë kur qeveria ndërmori nismën për realizimin e kartave të identitetit, në muajin prill Kryeministri Sali Berisha u shpreh se për komunitetin rom, ato do të jepeshin falas. Dhe ata, të devotshëm ndaj urdhrave e rregullave të shtetit, iu përgjigjën thirrjes dhe u pajisën me kartat e identitetit, sepse ndoshta vetëm pak muaj më parë e mendonin ndryshe. Largohemi. Disa metra më tej është një tjetër barakë. Është e lyer e gjitha në të bardhë. Një djalë i ri qëndron në atë që mund të quhet oborr. Del dhe një grua na pret. Edhe një herë përsëritet rituali. Ne prezantohemi dhe i pyesin nëse do të votojnë. Një "po" e thatë, më shumë e detyruar apo për t‘u dukur ndryshe vjen prej djalit, ndërsa gruaja, që është nëna e tij, është e prerë: "Jo! Ne jetojmë në këtë gjendje prej vitesh. Asnjë nuk ka vënë dorën në zemër. Na kanë premtuar strehim dhe ja ku jemi prej më shumë se 20 vjetësh. Nuk na kanë ndihmuar. Djali im mbledh kanoçe që ne të hamë një copë bukë. Fëmijët e mi nuk shkojnë në shkollë, nuk i çojmë dot. A jetohet kështu? Edhe në kohën e Enverit ishim më mirë. Ai na jepte shtëpi dhe punë, ishim të mënjanuar, po jetonim më mirë". Edhe ata janë të pajisur me kartat e identitetit. Por nuk do t‘i shfrytëzojnë kësaj here. Ikim edhe këtej. Pyetja "a jetohet kështu?" të oshtin në kokë. Jo, kështu nuk jetohet! Në "shtëpinë" ngjitur, një çift bashkëshortësh drekon. "Bujrum", thonë dhe na presin të qeshur. Ndryshe nga të tjerët, ata duan të votojnë, por nuk dinë se ku. U mungon informacioni, nuk dinë ku të drejtohen. "Kësaj here nuk ka ardhur asnjë që të na thotë diçka. Asnjë, përveç asaj... si e ka emrin? Meleqja më duket (e ka fjalën për Meleqe Rrënjën, kandidate për deputete nga Partia Demokristiane, shpjegim i redaksisë)!", thotë i zoti i shtëpisë, ndërsa një grua afrohet. Do të dijë pse kemi ardhur. "Ah moj motra, i kemi kartat, po pse të votojmë. Nuk e shikoni ku jetojmë ne? Kemi një tufë me kalamaj, po nuk kemi me çfarë t‘i ushqejmë. Po pse faji i tyre është. Ata janë shumë, po ç‘t‘i bëjmë?", thotë e sapoardhura. "Eh moj çupat e babait në këto kohë që kanë ardhur nuk ka më ndarje, dorë e bardhë, gabel apo jevgj. Jemi të gjithë njerëz. Po na shikoni ne. Edhe qen të ishim do të jetonim më mirë. Na kanë mbushur me premtime...", thotë një i moshuar. Njësoj si të tjerët, edhe ata janë pajisur me karta identiteti, por kanë vendosur t‘i bojkotojnë këto zgjedhje. Por nuk e humbasin shpresën se një ditë, do të jetë më mirë. I përshëndesim dhe i drejtohemi pallateve që ndodhen në anën tjetër të Lanës. Një pjesë e komunitetit rom, jetojnë aty. Këtu ndryshon gjendja. Ata kanë një shtëpi të vërtetë me mure prej tullash e llaçi, jo me kartonë e dërrasa. Ata votojnë. I gjen ngado në qendrat e votimit të njësisë nr. 5. Kërkojnë emrat në listë dhe shkojnë të zgjedhin se kush do t‘i përfaqësojë në Parlament për katër vitet e ardhshme. Janë më të angazhuar në këtë proces. Janë më të vetëdijshëm se meritojnë një trajtim më dinjitoz, për sa i përket punësimit, shërbimit shëndetësor e mbi të gjitha për sa i përket arsimimit. "Sigurisht që kam votuar. Ia dhashë votën kandidatit që më donte shpirti. Ju të bardhët mendoni se ne nuk mund të votojmë? Ne mbase nuk dimë shkrim e këndim, por jemi të zotët e vetes dhe ia kemi dalë mbanë gjithmonë. Jemi pjesë e Komunitetit Rom dhe jemi krenarë për këtë", thotë një tregtare që shet rroba të përdorura tek ai që tashmë njihet si tregu "100 vitrinat". Ka edhe kështu, por ka edhe më keq, si në rastin e protagonistëve të mësipërm. Karta e identitetit, për ta janë thjesht dhe vetëm një detyrim ligjor, pak rëndësi ka nëse për qeverinë, shpërndarja e letërnjoftimeve elektronike përbënte një sfidë, si kusht nga ndërkombëtarët për zgjedhje të lira dhe të ndershme.