E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Bush do të takohet me Topin dhe Berishën



Gjatë Samitit të NATO-s në Bukuresht, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, do të takohet në Kroaci me presidentët e kryeministrat e vendeve që do të paraqiten në Bukuresht për të marrë ftesën e anëtarësimit, midis tyre kryeministrin shqiptar Berisha dhe presidentin Topi. Lajmi është publikuar dje nga Shtëpia e Bardhë. Sipas deklaratës së saj, presidenti Bush do të shkojë në Kroaci, ku do të takohet me presidentin dhe kryeministrin e këtij vendi dhe liderët e vendeve të ftuara në Samitin e Bukureshtit nga 2 deri më 4 prill, për anëtarësim në NATO. Kështu, pritet që presidenti Bush të takohet me homologun e tij shqiptar, Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha si dhe drejtuesit e Republikës së Maqedonisë. Takimi mësohet se do të zhvillohet në Zagreb. Me deklaratën e Shtëpisë së Bardhë lihet të kuptohet së çështja e ftesës për anëtarësim në NATO e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, është paraprakisht një fakt i kryer, pasi thuajse të gjitha vendet janë shprehur se mbështesin zgjerimin e aleancës botërore ushtarake.

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›