Lëvizja e emigrantëve Shqipëri-Greqi, ja kriteret dhe afatet
“Emigrantët shqiptarë, që punojnë dhe jetojnë në Greqi, kryesisht ata që janë në proces legalizimi, do të mund të lëvizin lirisht në të dyja anët e kufirit nga data 1 prill-31 maj”. Ky afat është përcaktuar në qarkoren e Ministrisë së Brendshme të Greqisë, e cila iu është paraqitur dje autoriteteve në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër. Ky vendim është marrë me rastin e festës së pashkëve ortodokse që do të jetë në muajin e ardhshëm. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullaj, tha dje se, “këtë vit, Ministria e Brendshme Greke ka zgjeruar në maksimum afatin e lëvizjes së lirë në të dyja anët e kufirit, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata në të dyja anët e kufirit.
Kriteret
“Të gjithë emigrantët shqiptarë që disponojnë dokumente të tilla si pasaportë të vlefshme, lejeqëndrimi në Greqi që i ka skaduar afati, vërtetim ngjyrë blu, kanë të drejtë të lëvizin lirshëm në të dyja anët e kufirit nga data 1 prill deri më 31 maj”. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, kanë hartuar një plan masash të përbashkëta për të parandaluar çdo ngjarje në pikat kufitare të rajonit jugor, por dhe në akset rrugore. Në këtë kuadër, autoritetet e policisë në jug të vendit do të zhvillojnë takime të herëpashershme me homologët e tyre grekë me qëllim shmangien e radhëve dhe përpunimin në një kohë sa më të shpejtë të mjeteve dhe të emigrantëve.
Situata
Gjatë këtyre ditëve, fluksi i lëvizjeve është kryer pa probleme nga stafet e pikave kufitare të Shqipërisë dhe të Greqisë. Por pak ditë më parë, me rastin e festës kombëtare të shtetit fqinj, u bllokua puna për disa orë në pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës, gjë që solli radhë të gjata emigrantësh. Por, më pas, u vendosën disa sportele në anën greke, që gjë shmangu rëndimin e situatës. Gjatë fundvitit apo në raste festash të tjera, pikat kufitare që ndajnë dy vendet kanë patur probleme të mëdha. Por në dy vitet e fundit, falë bashkëpunimit mes strukturave policore të të dy vendeve, është bërë e mundur që të përmirësohet ndjeshëm shërbimi në postat kufitare.
31 Mars 2008