E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Arsimit shpall tre fituesit e Olimpiadës Kombëtare të Fizikës



TIRANË - Ministria e Arsimit shpalli dje tre fituesit e Olimpiadës Kombëtare të Fizikës për nxënësit e shkollave të mesme të zhvilluar në datën 22 mars 2008. Komisioni shkencor, pasi shqyrtoi punimet e nxënësve, shpalli fitues tre nxënës. Përkatësisht vendin e parë e ka fituar Navin Asimi, shkolla “Ismail Qemali”, Tiranë, në vendin e dytë ka dalë fitues Rafael Shehu, shkolla “Qemal Stafa”, Tiranë, ndërsa vendin e tretë e ka fituar Enis Agaj, shkolla “28 Nëntori”, Shkodër. MASH pas shpalljes së fituesve ka sqaruar se nxënësit që kërkojnë të ankimojnë rezultatet mund të paraqiten pranë Katedrës së Fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, deri në datën 5 prill 2008 dhe të kontaktojnë me profesorët Bejo Duka, Zemin Mula dhe Antoneta Deda. Përveç tre fituesve të kësaj olimpiade janë shquar edhe disa nxënës të tjerë, të cilët MASH-i kërkon t’i inkurajojë nëpër aktivitete të ngjashme. Këta nxënës janë: Klaudia Peqini, shkolla “Aleksandër Moisiu”, Kavajë; Erand Smakaj, shkolla “28 Nëntori”, Shkodër; Julian Gjipali, shkolla “Perla”, Vlorë. MASH organizon çdo vit, nëpërmjet Drejtorive Arsimore Rajonale, pesë olimpiada kombëtare në lëndët: Matematikë, Informatikë, Fizikë, Biologji dhe Letërsi. Çdo vit, nga këto konkurse spikasin dhe nderohen me çmime rreth 150 nxënës të talentuar të moshave nga 14–18 vjeç. Deri sot, Shqipëria ka marrë pjesë në 23 olimpiada ballkanike dhe 7 botërore. Sipas MASH-it, rezultatet pozitive të nxënësve tanë në aktivitetet shkencore jashtë shtetit tashmë janë bërë një realitet i pranueshëm nga juritë ndërkombëtare.
J. Tashi

Testimi i mësuesve, fituesit ngritje në kategori dhe pagë
Rreth 238 mësues të arsimit parauniversitar i janë nënshtruar dje provimit të kualifikimit. Ndërkohë ata mësues që do të kualifikohen fitues do të sigurojnë ngritjen në kategori dhe shtesën përkatëse në pagë. Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Tiranë, Arjana Bekteshi, tha se testimi me shkrim i zhvilluar në shkollën “Pjetër Budi” u mbikëqyr nga administratorë dhe punonjës arsimorë të trajnuar. Bekteshi sqaroi se nga 247 mësues që duhet të kryenin dje provimin, vetëm 9 prej tyre nuk morën pjesë në testim. Por ata, sipas Bekteshit, mund t’i nënshtrohen këtij provimi vitin e ardhshëm. Korrigjimi i testeve do të kryhet nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve (AVA).

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›