Kapen dy klandestinë, tentuan të kalojnë drejt Malit të Zi
SHKODËR – Kanë tentuar të kalojnë nga Shkodra drejt Malit të Zi në mënyrë klandestine, pasi kishin synimin për të udhëtuar më pas drejt vendeve të zonës Shengen, por janë ndaluar. Burimet zyrtare të policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se “dje, më datë 28.03.2008, u ndaluan shtetasit Mehmet M., 26 vjeç, lindur në Korçë, banues në Vlorë dhe shtetasi Indrit G., 28 vjeç, lindur e banues në fshatin Gjorm, komuna Brataj, në rrethin e Vlorës. “Këta dy shtetas janë kapur nga policia kufitare në Bajzë të premten, rreth orës 14.00, në tentativën për të kaluar kufirin shtetëror me Malin e Zi”, - pohon zëdhënësja e policisë së qarkut. Materialet në ngarkim të dy personave janë dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pasi akuzohen për kundravajtjen penale “Kalim të paligjshëm të kufirit”. Gjatë dy viteve të fundit, linja Shkodër – Mali i Zi është përdorur nga trafikantët për kalimin e klandestinëve drejt vendeve të BE-së.
31 Mars 2008