E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet plani italian për Durrësin, KRT-ja jep 64 leje ndërtimi



DURRËS – Më në fund është paraqitur projekti italian për studimin e qendrës historike të Durrësit. Prezantimi i tij është bërë nga ekspertët e Universitetit të Peskaras në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Durrësit. Ky plan do të mbyllë përfundimisht mundësinë e ndërtimeve të pallateve shumëkatëshe në zonat me vlera arkeologjike. Tashmë qyteti është i klasifikuar në disa zona, ku në zemër të qytetit, ku ka qenë Dyrrahu i dikurshëm, do të ndalohet ndërtimi i objekteve të larta. Më pas, KRRT-ja nisi shqyrtimin e kërkesave për 36 leje për sheshe ndërtimi dhe 20 leje ndërtimi, të cilat janë për ndërtesa nga 3-12 kate, kryesisht në lagjen e plazhit dhe atë të Shkozetit, por edhe në disa nga lagjet e periferisë së afërt të tij, si Lagjet Nr.2, 4, 5, 10, 12 dhe 15. Pjesa më e madhe e godinave do të jenë të pajisura me garazhe nëntokë, ndërsa katet e para do të shfrytëzohen si qendra tregtare dhe biznesi. Nuk kanë munguar kërkesat për ndërtime objektesh të tjera si magazina dhe lokale shërbimesh. Mbledhja vazhdoi ditën e premte dhe të shtunën. Dje u shqyrtuan 8 kërkesa për rifreskim të lejeve për sheshe ndërtimesh. Specialistët e arkeologjisë vazhdimisht kanë dhënë alarmin për bllokimin e ndërtimeve të larta në të ashtuquajturën Zona A, ndërsa autoritetet vendore ndodhen përballë fluksit të madh të kërkesave për ndërtim në të gjithë qytetin.

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›