Investime të munguara
Si paraqitet gjendja e real estatit në pronësi të shtetit shqiptar sot në botë? Duket se nga 46 përfaqësi diplomatike që ka Shqipëria nëpër botë, vetëm gjashtë ambasada janë të blera si godina, të tjerat janë të gjitha me qira.
Vetëm ambasadat në Athinë, Uashington, Nju Jork, Bruksel, Romë dhe Stokholm, rezultojnë në pronësi të shtetit shqiptar. Për ambasadat e tjera, shtetit, shpeshherë i duhet të paguajë shuma marramendëse qiraje, që duket se do vazhdojë dhe për mjaft dekada në vijim.
Zgjedhja e vetme dhe racionale do ishte blerja e godinave me kredi të buta të negociueshme nga shteti shqiptar në banka të huaja, ku interesi i pagueshëm nuk mund të ishte më shumë nga vlera nominale e qirasë dhe, qoftë edhe pas disa dekadash, godina do ngelej në pronësi të shtetit shqiptar dhe, në terma afatgjatë, kjo do ulte shpenzimet e dala nga buxheti i shtetit.
Për të marrë vetëm një shembull, shteti paguan një qira mujore prej 7500 euro në muaj për një kat të një godine për ambasadën tonë në Hungari. Me një kalkulim të thjeshtë, vetëm në një vit i thonë 90.000 euro të paguara vetëm për rezidencën zyrtare, pra ambasadën, në një vit të vetëm.
Po t`i shtohen kësaj pagesat për përballimin e qirave të stafit, të cilat gjithashtu mund të blihen nëpërmjet skemave të kredisë, gjithkush mund të marrë me mend shumat marramendëse në shpenzime operative, të cilat mund të shkojnë drejt përballimit të kredive për pasuri të patundshme që, në fund, normalisht duhet t'i ngeleshin shtetit tonë.
Me deduksion logjik mund të merret me mend fare kollaj sesa i kushtojnë shtetit në buxhetin e përvitshëm qiraja dhe mirëmbajtja e qindra ambasadave dhe konsullatave së bashku me rezidencat private të nëpunësve të këtyre ambasadave dhe konsullatave anembanë botës, aq më tepër kur hapja e tyre po njeh veç rritje dhe kjo natyrshëm do vazhdojë në të ardhmen.
Sa më multipolare bëhet bota dhe sa më tepër shtohen qendrat rajonale, aq më shumë shtohet nevojshmëria e përfaqësimit dhe aq më diverse bëhet gjeografia e shpërndarjes.
Për shembull, para disa kohësh, në një takim të Kryeministrit të vendit me Presidentin brazilian, u ngrit nevoja e përfaqësimit të Shqipërisë në këtë vend që është pjesë e G-20-ës dhe qartësisht një superfuqi në rajonin respektiv, i cili është një realitet që nuk mund të neglizhohet.
Rritja e paevitueshme e këtyre kostove në diplomaci, e shoqëruar me rritjen e kostove në zëra të tjerë të buxhetit të shtetit, si p.sh., pas hyrjes në NATO, buxheti kërkon pjesën e tij gjithnjë e më në rritje edhe për mbrojtjen, po ashtu me një sistem arsimor dhe shëndetësor përtokë, gjithnjë e më shumë zëra në buxhetet përkatëse apo me bujqësi ende primitive, ku kërkesat për subvencionim normalisht duhet të reflektohen në rritje të buxhetit përkatës dhe qershia mbi tortë, infrastruktura rrugore, portuale apo energjetike që, pavarësisht investimit të huaj direkt, kërkojnë gjithnjë e më tepër reflektim në buxhetin ekzistues.
Pra, me gjithë këto kosto përherë e në rritje dhe që kërkojnë vëmendje gjithnjë e më të madhe, natyrisht duhen gjetur rrugët alternative që, në terma afatgjatë, të mundin të çlirojnë shtetin nga disa prej këtyre detyrimeve dhe të bëhet një ndarje më efikase e fondeve.
Normalisht, këto reflektime nuk kërkojnë medoemos të jesh ekonomist që të arrish në konkluzione të tilla dhe mungesa e vizionit nga pushtetmbajtësit, si këta ekzistuesit, si ata të mëparshmit, qartësisht manifestohet në mungesën e investimeve afatgjata që të sjellin më pak kosto nesër dhe më tepër vëmendje për sektorë deri tani të neglizhuar, si investimet në bujqësi, turizëm, ruajtjen e ambientit dhe parametrave ekologjikë, etj.
Kjo kërkon vetëm që mos të mendohet sot për sot dhe se cila taktikë elektorale e shoqëruar me disbursimin përkatës të fondeve të garanton më tepër jetëgjatësi në pushtet, por edhe për të nesërmen.