E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmbyen djalin e policit, 7 persona në gjyq

Prokuroria dërgon për gjykim të akuzuarit për rrëmbimin e një të riu në shkurt. Me autorët dhe një ish- polic


Një nga të akuzuarit kishte provokuar motrën e 19- vjeçarit K.K, me fjalë duke sjellë reagimin e të riut që u mor peng


TIRANË- Prokuroria e Tiranës, përfundoi hetimin dhe dorëzoi në Gjykatën e Tiranës, dosjen penale në ngarkim të shtatë personave të akuzuar për "heqje të paligjshme të lirisë". Për këtë akuzë të pandehurit:


Armand Disha, Armando Durishti, Endrit Qordja, Ernaldo Manxhaku, Florian Teqja, Klodjan Çakmashi dhe ish-polici Robert Luzi, janë hetuar e do të gjykohen në gjendje të lirë, nën masat e sigurisë "detyrim për paraqitje" të dhënë nga Gjykata tre ditë pas arrestimit të tyre.


Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të akuzës. Ndërkaq, kryesekretaria e Gjykatës, pas pranimit të dosjes përkatëse, e ka hedhur në short elektronik, ku kanë caktuar treshen gjykuese të kryesuar nga Arben Micko.


Sipas kërkesës për gjykim që mban numrin 1277, të pandehurit Disha, Durishti, Qordja, Manxhaku, Teqja, Çakmashi dhe ish-polici Luzi kanë rrëmbyer me forcë të riun me inicialet K.K. në qendër të Saukut në të dalë nga Shkolla e Mesme "Sandër Prosi" që ndodhet në zonën e njohur si Sauk i Vjetër. I riu po kthehej nga shkolla në shtëpi bashkë me motrën e tij 16- vjeçare.


Adoleshentja 16- vjeçare, sipas institucionit të akuzës, është bërë "molla e sherrit", mes vëllait të saj dhe të pandehurit Teqja, i cili prej disa ditësh po hidhte batuta provokuese ndaj vajzës që ndiqte vitin e dytë të Shkollës së Mesme.


Nga këto provokime, i vëllai i saj me inicialet K.K. ka shkëmbyer fyerje e sharje me të pandehuritn Teqja, i cili në shenjë hakmarrjeje ka mbledhur gjashtë shokët e tij për t'u sqaruar me të riun K.K.


Mësohet se i pandehuri Teqja, me ndihmën e shokut të tij Endrit Qordja, i cili ia kishte marrë makinën e babait të tij të tipit "Land Rover" me targa TR 3060 M, kishte mbledhur të pandehurit e tjerë duke i kërkuar ndihmë për të sqaruar debatet e nisura një ditë më parë mes tij dhe vëllait të vajzës që ai ngacmonte.


Ka qenë data 6 shkurt 2009, kur makina e tipit "Land Rover" me shtatë të pandehurit në bord, ku mes tyre ishte edhe polici i Patrullës së Përgjithshme Robert Luzi, janë nisur në drejtim të Shkollës së Mesme "Sandër Prosi" në Sauk.


Rrugës në të dalë të shkollës, të pandehurit janë përballur me viktimën K.K. të cilit i është kërkuar me anë të kërcënimit të mbyllte sytë dhe veshët karshi ngacmimit të motrës së tij nga i pandehuri Teqja.


Këtë kërkesë të të pandehurve, 19- vjeçari K.K. i njohur ndryshe si djali i një efektivit të Policisë Rrugorë në Tiranë, nuk e ka pranuar duke iu drejtuar të pandehurve me sharje dhe fyerje që kanë degjeneruar në sherr mes tyre.


Të pandehurit, pas shkëmbimit të disa grushteve e shkelmave mes tyre, kanë rrëmbyer me anë të forcës 19- vjeçarin duke e futur në makinën e tyre dhe janë nisur në drejtim të Kërrabës. Banorët e zonës dhe vetë e motra e 19- vjetarit, duke parë skenën, kanë lajmëruar policinë, e cila është vënë në ndjekje të makinës brenda së cilës ndodhej i riu 19- vjeçar.


Me të mbërritur tek "Ura e Peshkatarit", ku policia kishte ngritur postbllok, është ndaluar makina dhe janë arrestuar të pandehurit, duke liruar 19- vjeçarin vetëm me disa shenja në fytyrë e trup nga dhuna e ushtruar ndaj tij.

Masa e arrestit në Gjykatë


Tre ditë pas arrestimit, të rinjtë dolën para togave të zeza, ku gjyqtari Artan Broci vendosi t'i lirojë nga qelia të 7 të pandehurit, katër prej të cilëve: Ernaldo Manxhakun, Endrit Qordjën, Armando Disha dhe Florian Teqjën i la me masën e sigurisë "detyrim për paraqitje", ndërsa, për të pandehurit: Armand Durishtin, Klodjan Çakmashi dhe ish-policin Robert Luzi vendosi masën e sigurisë "detyrim për paraqitje" kundrejt garancisë pasurore prej 3 milionë lekë të reja, nga një milion për person.

TË PANDEHURIT:


Robert Ferit Luzi, 22 vjeç, ish-polic në Komisariatin nr.4
Armando Hasan Disha, 24 vjeç, banues në Tiranë
Ernaldo Bujar Matraxhi, 18 vjeç, banues në Tiranë
Klodian Skënder Çakmashi, 20 vjeç, banues në Tiranë
Florian Teqja, 17 vjeç, banues në Tiranë
Endrit Qordja, 18 vjeç, banues në Tiranë
Armand Durishti, 17 vjeç, banues në Tiranë

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›