Mes liderit e lidershipit
Fushata elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit provokoi edhe njëherë debatin klasik midis rolit të liderit dhe të lidershipit në politikë.
Retorika elektorale e PD-së dhe koalicionit drejtues rreth saj është përqendruar tek lideri - kryetar i partisë, aftësia e tij për qeverisje, aftësia oratorike, ajo për mbajtjen e premtimeve, për lidhje ndërkombëtare dhe për kontributet gjatë periudhës së tranzicionit.
Funksionarët në parti, kandidatët në lista, media besnike dhe aleatët e tij politikë janë në garë për të prodhuar argumente mbi aftësinë e liderit të tyre dhe domosdoshmërisë për një mandat tjetër drejtimi.
Madje teza se gjithçka e mirë e bërë në këto vite, përfshirë edhe rrugën Durrës - Kukës duhet ta identifikojmë me një emër, sado arkaike, praktikisht është bërë tezë e pranishme në të gjitha fjalimet elektorale të eksponentëve të kësaj partie.
I njëjti zhvillim po ndodh edhe në PS. Fushata e saj paraelektorale dhe ajo elektorale është përqendruar tek aftësia personale e kryetarit të saj për ndryshimet në krye të Bashkisë Tiranë, në aftësitë e tij retorike, në aftësitë intelektuale, negociuese, përfaqësuese dhe deri në ato muzikore.
Aleatët e tij elektoralë, stafi i kandidatëve dhe ai pjesëmarrës në debate televizive, media pro dhe bashkëpunëtorët e afërt janë gjithashtu në unison në mbrojtje të liderit dhe nxjerrjes në pah të cilësive të tij më pozitive.
Në miniaturë, e njëjta metodë e fushatës elektorale, pra e fokusimit të fushatës tek lideri i partisë, po ndodh edhe në koalicionin e drejtuar nga LSI-ja, koalicioni Poli i Lirisë, por edhe tek PR-ja dhe çdo forcë tjetër më të vogël politike, përfshirë edhe G99-ën apo PAA-në. Spotet elektorale janë dëshmia më e mirë për këtë.
Në këtë mënyrë, fushata elektorale është shndërruar në fushatë presidenciale, ku votohen e konkurrojnë liderit kryesorë të koalicioneve dhe partive politike. Në kontrast deri në kundërvënie me këtë zhvillim, është vetë sistemi ynë elektoral dhe qeverisës, i cili në formë e përmbajtje kërkon më shumë se një lider, kërkon ekip dhe bashkëqeverisje.
Përvoja moderne e politikëbërjes praktikisht ofron gjithashtu shumë argumente kundër identifikimit politik të partive, koalicioneve dhe fushatave elektorale me emra të veçantë.
Nëse shohim në retrospektivë se nevoja për lider të fortë dhe drejtim nominal ka qenë model i preferuar në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore ose pas rënies së regjimeve komuniste.
Pra, në ndryshime të mëdha historike, kur ndryshohen sistemet politike e qeverisëse, qytetarët mund të kenë nevojë për drejtim të fortë e të qëndrueshëm dhe, në këto raste, roli i individit është konsideruar zgjidhja më e mirë.
Në periudhat e tjera të zhvillimeve historike, edhe në rastet e sistemeve presidenciale, modeli i liderit të fortë dhe të vetëm, të distancuar nga ekipet dhe stafet qeverisëse, ia ka lënë vendin modelit modern të lidershipit politik.
Lider do të thotë të drejtosh i vetëm, lidership do të thotë të drejtosh në ekip, të kesh vizion për drejtim dhe menaxhim të të gjitha burimeve njerëzore, financiare dhe materiale.
Sot ende nuk janë shuar kujtimet e ndryshimit historik në SHBA me ardhjen e B. Obamës në krye të shtetit, por rasti Obama, është gjithashtu modeli i një Presidenti që zgjedh staf, punon me ta, u beson përgjegjësi dhe edhe ose i votuar nominalisht, drejton si lidership, jo si individ.
Vetë fakti se ai i besoi departamentin më të rëndësishëm rivales elektorale në garën e brendshme presidenciale është dëshmi e këtij vizioni modern. E njëjta praktikë ndodh edhe në vendet më demokratike të Europës.
Në Gjermani, kancelarja Merkel bashkëdrejton CDU-në me figura të rëndësishme të jetës politike, kryeministra landesh dhe drejtuesit e CDU-së. Në Itali Bersluskoni bashkëdrejton me Finin dhe politikanë të tjerë, një mozaik karakteresh që plotësojnë njëri-tjetrin.
Në Francë Sarkozi e përdori mandatin për të krijuar ekip drejtimi, jo staf personal dhe vetë prania e ish-rivalit politik Kushner është dëshmi e saj.
Në Shqipëri, tradita e pakët demokratike e qeverisëse ka lënë pasojat e saj në krijimin e mitit të liderit, mitit të udhëheqësit, sidomos me periudhën e Mbretit Zog dhe të diktaturës së Hoxhës.
Pavarësisht kësaj tradite, zgjedhësit, kanë arritur me mekanizmin e vetëm në dispozicion, votën e lirë, të japin leksione demokracie, të cilat sot, duken se janë lexuar në formë të gabuar nga klasa politike.
Kështu, më 1992-shin PD-ja, më 1997-ën PS-ja dhe përsëri më 2005-ën PD-ja, fituan zgjedhjet dhe sollën rotacion politik jo përmes fushatës personale mbi liderin dhe cilësitë e tij, por mbi bazën e fushatës për ndryshim, ndryshim sistemi, ndryshim qeverisjeje, ndryshim mentaliteti.
Më 1992-shin PD-ja kishte disa dhjetëra figura të njohura e publike, të gatshme të merrnin përgjegjësi, por edhe të vendosura të mbronin pikëpamjet e tyre profesionale e politike.
Ata u shfaqen të bashkuar dhe kështu fituan mbi një milion vota ndryshimi. Më 1997-ën PS-ja u ndodh në të njëjtat rrethana, me staf të plotë, figura politike, individualitete bashkëpunuese e konkurruese, dhe ndaj fitoren e pati më të lehtë.
Më 2005-ën PD-ja krijoi KOP-in, një strukturë e filozofisë së punës në ekip, individëve të lirë të shprehnin talentin dhe fjalën e tyre, dhe me premtimin se nuk do të ketë më qeverisje të një personi, por të një ekipi, pra qeverisje me lidership, ia doli të largojë nga pushteti PS-në dhe koalicionin e saj.
Më 1991-shin PPSH-ja dhe më 1994-ën e 1996-ën dy partitë e mëdha zhvilluan fushata nominale me portretin e liderit dhe dy palët humbën. Më 2001-shin PS-ja zhvilloi fushatë lidershipi me një Kryeministër jo kryetar partie dhe fitoi me lehtësi mandatin e dytë qeverisës.
Më 2009-ën palët i janë kthyer modelit parti - lider, zgjedhje midis liderësh, pa na dhënë një ide se kush do të jenë ekipet e ardhshme qeverisë, programi politik qeverisës, pa dhënë garanci kush do ta mbrojë qeverisjen e ardhshme nga gabimet e individit - lider, përqendrimi i pushtetit dhe monopolizimi i vendimmarrjes.
Listat elektorale, siç pritej, erdhën si produkte të listave besnike ndaj liderëve, një tregues negativ dhe alarmues se modeli politik po ecën në drejtim të gabuar, të shndërrimit nga sistem konkurrues i vlerave politike, në sistem të vlerave të emëruara, politikanëve të emëruar dhe alternativave të munguara.
Mjaftojnë këto shembuj për të treguar se qytetarët - zgjedhës, pavarësisht problemeve jo të pakta në krijimin e ndërgjegjes demokratike në mënyrën e sjelljes, veprimit, raporteve me politikën dhe vetveten, në tërësi kanë qenë të prirur të largohen nga modeli i qeverisjes nominale, një lideri që drejton, flet dhe vendos në emër të tyre.
Për shkak të mungesës së demokracisë dhe kulturës funksionale vetë militantët brenda partive janë treguar besnikë të liderëve, të majtë e të djathtë, duke i mbrojtur ato nga çdo veprim të tyre sado absurd e antiligjor.
Por, fakti se gjithnjë e më shumë numri i militantëve të partive po bie në minorancë të dukshme nga numri total i qytetarëve - zgjedhës do të thotë se ky fenomen nuk mund të jetë përcaktues në zgjedhje - nuk mund të shndërrohet në tipar i shumicës.
Për më tepër, tradita jonë, dhe sidomos ajo perëndimore, dëshmon se një popull nuk mund të prodhojë lider të shumtë, ata janë të rrallë, ekzistojnë e veprojnë në kohë e rrethana të caktuara, kanë brenda tyre aftësinë e ndjesinë njerëzore, me talentin e rrallë të vendimmarrjes, caktimit të prioriteteve, të drejtimit të moralshëm dhe të frymëzuar nga ideale të mëdha.
Kur Britania e Madhe, përgjatë një shekulli pranon të quajë lider vetëm personalitete të tilla si Cercill, Thecer e Bler, sa qesharake duket mania e jonë për të imponuar e veshur me kostumin e liderit këto që ka apo tenton të marrë postin më të lartë në pushtetin ekzekutiv.
Vetëm në sistemet e mbyllura, kryesisht komuniste dhe parademokratike, postet merren e kërkohen për t'u imponuar mendimet e stilin tënd politik të tjerëve, jo për t'u shërbyer qytetarëve dhe vendit.
Në demokracitë moderne, një politikan - lider, duhet, para së gjithash, të pranojë se nuk është i pazëvendësueshëm, të pranojë humbjen dhe fitoren, të pranojë konkurrimin dhe kritikën, të ndajë përgjegjësinë e qeverisjes edhe me ata që nuk janë në një mendje me të, të hartojnë platforma reformatore e të debatojnë rreth tyre, të jenë transparent dhe të ndershëm me qytetarët.
Mjaftojnë këto kritere dhe një testim i figurave të sotme mbi këto kritere për të kuptuar se ata që na kanë zënë ekranet e televizionit dhe faqet e para të gazetave, nuk janë liderë modernë të një vendi demokratik, por me ndonjë përjashtim, më shumë ngjasojnë me imitime të gabuara të modeleve të huaja, me prijës province, fisesh apo komisarë politikë të periudhës që, falë Zotit, kemi lënë pas.
Aktualisht do të duhet të presim dhe mundësia e vetme është mbrëmja e 28 qershorit kur do të vërtetohet ose jo teza se Shqipëria e shqiptarët kërkojnë lidership dhe jo lider.
Deri atëherë mbetet të shpresojmë se qytetarët jo militantë, do të vendosin për votën e tyre jo nga kostumet, hartimet apo fotografitë e atyre që kërkojnë që me votën tonë të shndërrohen në pronarë të demokracisë, të shtetit, të jetës publike e shoqërore, por nga programet, platformat, vizionet që ata paraqesin për zgjidhjen e problemeve tona të mëdha të varfërisë, papunësisë, korrupsionit zyrtar e publik, standardeve të dyfishta në zbatimin e ligjit, deformimit të vullnetit popullor dhe të integrimit real në familjen e madhe europiane.