E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet, 8 projektet për njësinë bashkiake nr. 10

23/12/2011  Basha për buxhetin: qyteti fillon nga pragu i derës së çdo qytetari

Të pastrehët, funksionimi i banesave sociale nis gjatë vitit të ardhshëm

Njësia bashkiake nr.10 ka qenë ndalesa e radhës që kryebashkiaku Lulëzim Basha ka zgjedhur për të vijuar konsultimet mbi projektbuxhetin e Tiranës për vitin 2012. Tashmë janë detajuar tetë projekte më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore që do të realizohen me fondet e parashikuara në buxhetin e ri, i cili do të kalojë për miratim në mbledhjen e këshillit bashkiak, që do të zhvillohet gatë javës së ardhshme. Basha i ka njohur banorët edhe me parashikimet e projektbuxhetit për gjithë qytetin, duke bërë të ditur se qyteti nuk do të trajtohet pjesë-pjesë, por si një i tërë, duke iu përmbajtur filozofisë se qyteti fillon në pragun e derës së çdo qytetari. “Në njësinë bashkiake nr. 10, e cila është një njësi me vlera historike dhe ndër më të vjetrat e Tiranës, ne kemi parashikuar për vitin e ardhshëm 8 projekte, të cilat kanë të bëjnë me rrugët «Bogdani», «Islam Alla», «Mujo Ulqinaku», «Him Kolli», «Gjon Muzaka», «Mine Peza», «Mihal Duri» dhe «Hajdar Hili». Në projektbuxhet parashikohet rikonstruksioni i pjesshëm, shtesa anësore dhe instalimi i sistemit të ngrohjes në shkollën «Avni Rustemi» dhe rikonstruksioni i plotë dhe shtesa e ambienteve në shkollën e mesme «Qemal Stafa»”, - ka deklaruar Basha para banorëve të zonës. Pjesë e rëndësishme e buxhetit do të jenë edhe programet sociale të strehimit, funksionimi i të cilave do të nisë gjatë 2012-s, me më shumë mundësi për familjet e pastreha të kryeqytetit. Po ashtu investimet në infrastrukturën arsimore zënë një vend të veçante në buxhet, ku është parashikuar ndërtimi i 4 shkollave të reja 9-vjeçare dhe dy të tjera të mesme. Po kështu do të vijohet me rikonstruksionin e plotë të tetë shkollave të tjera, ndërtimin e 3 kopshteve të reja si dhe rikonstruksionin e 11 të tjerave. Pjesë e këtyre zhvillimeve do të jetë edhe ndërtimi i 2 çerdheve të reja si dhe rikonstruksioni i 5 të tjerave. Duke iu përmbajtur përcaktimeve të bëra në buxhet, Basha ka deklaruar: “Janë parashikuar 100 ha rikualifikime urbane, parashikohet ndërtimi i rreth 65.000 metra katrorë rrugë, 33.000 metra katrorë do të jenë rrugë tërësisht të reja dhe rikonstruksioni i rreth 153.000 metra katrorë rrugë ekzistuese, rikonstruksioni i 79.000 metra katrorë trotuareve, ndërtimi i dy urave, rehabilitimi i sinjalistikës së qytetit horizontale dhe vertikale, korsitë e dedikuara.”

Kategoritë që do të përfitojnë vëmendje të veçantë sociale:

• Ngritja e 6 qendrave të reja sociale.

• Përmirësimi dhe zgjerimi i shërbimeve në qendrat ekzistuese.

• Bonusi i qirasë për familjet në nevojë.

• Programi i integrimit të të pastrehëve.

• Më 2012-n do të fillojë funksionimi i banesave sociale.

• Janë parashikuar lehtësi fiskale për kategoritë në nevojë, pensionistët dhe veteranët.

• Studime dhe projektime për ndërtimin e banesave të reja sociale nëpërmjet

partneritetit publik-privat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›