E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk paguhet transporti i mësuesve, pa mësim 20 mijë nxënës

23/12/2011  Drejtuesve të autobusëve nuk u janë likuiduar pagesat, në janar mund të bllokohen 800 mësues

ELBASAN- Rreth 20 mijë nxënës në rrethin e Elbasanit rrezikojnë të mbeten pa mësim për shkak se drejtuesit e autobusëve të linjave që transportojnë arsimtarët nuk kanë marrë ende paratë e shërbimit të transportit. Janë rreth 28 linja që transportojnë mësues dhe rrezikojnë që në janar të mbeten të palëvizura nëse nuk bëhen pagesat. Ata thonë se janë në borxhe me karburantet dhe gjendja po bëhet gjithmonë e më e vështirë për shkak se edhe karburantet nuk i japin më veresie për të transportuar mësuesit.

Situata

Ata thonë se kanë shkuar në Drejtorinë Arsimore dhe ajo i ka informuar se me pagesat e tyre merret tashmë Këshilli i Qarkut në bazë të fondit që delegon ministria përkatëse për mësuesit. Drejtuesit e autobusëve thonë se nëse nuk marrin paratë në janar do të ndërpritet tërësisht transporti i mësuesve në zonat rurale. Ata shprehen se nuk duan të ndërmarrin veprime kaq drastike sepse mësimi në shkollat e fshatit varet nga mjetet e tyre, por janë të detyruar pasi nuk kanë para më të paguajnë karburantin pa llogaritur edhe amortizimet e mjeteve. Ndërkohë qarku bën të ditur se situata e pagesave është krijuar nga mungesa e delegimit të fondit. Vetë ky institucion nuk ka fond rezervë për të mbuluar këtë lloj shërbimi, por u ka nisur disa shkresa ministrive përkatëse. Ndërkohë drejtori i Drejtorisë Arsimore, Mati Çela, tha se vonesa e fondeve ka bërë që të rrezikohet transporti i mësuesve. Ai i kërkoi drejtuesve të mjeteve të mos marrin masa drastike për ndërprerjen e mësimit në shkollat e zonave rurale. Ndërkohë vetë ky institucion është duke bërë përpjekje nëpërmjet ministrisë për të bërë të mundur që të likuidohen drejtuesit e mjeteve të transportit të arsimtarëve edhe pse administrimi i tyre nuk bëhet më nga DAR Elbasan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›