E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet në Gjirokastër projekti për riaktivizimin e aeroportit të qytetit

Aeroporti i Gjirokastrës në jug të Shqipërisë, me një histori 80 vjeçare, pritet të rivihet në punë në bazë të një projekti strategjik që u prezantua sot në një konferencë ndërkombëtare zhvilluar në këtë qytet. Të pranishmit në konferencë, që u organizua nga strukturat e pushtetit lokal në nivel qarku në bashkëpunim me Universitetin e Padovës (Itali) dhe Ambasadës Italiane në Tiranë, diskutuan mbi impaktin që do të kishte riaktivizimi i aeroportit të Gjirokastrës në zhvillimin e lëvizjes turistike në krejt jugun e vendit. Projekti i terminalit të aeroportit të Gjirokastrës u prezantua nga arkitekti Altin Bici, i diplomuar në Universitetin e Padovës. Projekti vlerëson mundësinë e rifillimit të fluturimeve të rregullta në aeroportin 80 vjeçar të Gjirokastrës, veçanërisht çarterave turistikë, fluturimeve të emergjencave civile etj. I pranishëm në këtë konferencë, Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, u shpreh se "mundësia e riaktivizimit të fluturimeve në aeroportin e Gjirokastrës do t’i jepte një shtysë të rëndësishme zhvillimit social- ekonomik të jugut të vendit". Aeroporti i Gjirokastrës shtrihet në fushën e këtij qyteti, në një distancë 0.8 km nga ana lindore e qytetit dhe 0.5 km nga rruga kombëtare, në një lartësi 190 m mbi nivelin e detit. Ai përfshin një sipërfaqe komplekse, rreth 124.000 metra katror, 96.000 metra katror prej së cilës e zë pista e fluturimit, 18.000 metra katror sheshi i rakordimit dhe 10.000 metra katror zona e shërbimit.  Me ngjarjet e vitit 1997, aeroporti i Gjirokastrës pësoi një shkatërrim total. Aparaturat dhe ambientet, si pista, kulla e vëzhgimit, stacioni meteorologjik dhe gjithë infrastruktura që e mbante atë në punë u dëmtua rëndë. Ndërhyrjet e Delegacionit Italian të Eksperteve (DIE), me një fond rreth 100 mijë euro, bënë të mundur rehabilitimin total të aerostacionit të vjetër si dhe montimin e dy stacioneve meteorologjike.  Në fund të vitit të kaluar, Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës aprovoi në KRRT studimin e Zonës së Mbrojtur Aeroportuale të Gjirokastrës. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›