Këshilli Bashkiak; Plani rregullues prezantohet në një video, këshilltarët shtyjnë mbledhjen
Në mbledhjen ku pritej të prezantohej plani rregullues i kryeqytetit, Bashkia e Tiranës improvizoi dy ekrane në mes të sallës së Këshillit Bashkiak dhe filloi të paraqiste në gjuhë të huaj një video-dokumentar me materiale për planin. Të habitur dhe njëkohësisht të zhgënjyer, këshilltarët e PD-së dhe LSI-së kanë kërkuar shpjegime për materialin që po u shfaqej para syve. Çështja në fjalë bëri që mbledhja e Këshillit Bashkiak për prezantimin e planit rregullues, që u zhvillua paraditen e djeshme, të ndërpritej dhe të shtyhej për një ditë tjetër.
Nënkryetarja e bashkisë, Albana Dhimitri, u ka kërkuar anëtarëve që të vënë kufjet për të dëgjuar prezantimin në shqip, por këshilltarët të revoltuar kanë kërkuar me këmbëngulje praninë e kreut të bashkisë dhe njëkohësisht kryetar i KRRT-së, Edi Rama, si dhe të ekspertëve të kompanisë “Urban Plan” që kanë asistuar në hartimin e tij për shpjegimin e Planit Rregullues të Tiranës.
Prezantimi i Planit Rregullues të Tiranës ishte pika e dytë e vendimeve që do të diskutoheshin në mbledhje. Në tavolinën e secilit prej anëtarëve ndodheshin kufjet, por asnjëri prej tyre nuk e kishte kuptuar përse në deri sa në dy ekrane të improvizuara në sallën e këshillit filloi të transmetohej në gjuhë të huaj një video e regjistruar me materiale shpjeguese për Planin Rregullues të Tiranës.
Ka mjaftuar kaq që atmosfera të ndizej dhe të fillonin debatet. Anëtarët e PD-së dhe LSI-së e kanë quajtur të papranueshëm prezantimin e këtij plani historik përmes një videoje. “Këtë plan kemi kohë që e presim”, - u shpreh kryetar i grupit të këshilltarëve të PD-së, Ferdinand Poni. Sipas tij, duhej të ishte i pranishëm vetë kryetari Edi Rama që ta paraqiste me detaje ose vetë presidenti i kompanisë. “Është e pavend të dëgjojmë një dokumentar. Kjo që po bën bashkia nuk është serioze, pasi kujt do t’i drejtojmë pyetje”, - argumentoi Poni. Edhe profesor doktor Dhori Kule, anëtar i PD-së në Këshill Bashkiak, është shprehur se “këshilli duhet të mbajë përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe karrigia e kryetarit të mos rrijë bosh”. Ndërkohë, të njëjtin mendim ndanë edhe anëtarët socialistë të këshillit.
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, tha: “Prisnim një prezantim më dinjitoz. Kjo nuk ndodhi. Bashkia kishte përgatitur një film, a thua se jemi dokumentar”. “Marrëdhënia nuk është mes kompanisë kontraktuese, por me institucionin. Prandaj dhe prezantimi duhej të ishte bërë nga Rama ose njëri prej drejtuesve të lartë (meqë Rama merret me garën brenda PS-së) që është marrë me problematikën e planit. Në këtë mënyrë do të njiheshim qartë me prezantimin dhe problematikën e këtij plani”, - vazhdoi më tej Dervishaj. Vetëm pak minuta pas debatit, me vendim unanim, u vendos shtyrja e mbledhjes në një datë jo shumë të largët.
Si asnjëherë tjetër, dje në sallë nuk mungonte asnjë prej anëtarëve të këshillit. Një vëmendje të veçantë kësaj mbledhjeje i ka kushtuar edhe media. Të gjithë “të rreshtuar” prisnin nga momenti në moment fillimin e mbledhjes, ku çështja e parë që u diskutua, ishte konstituimi i 10 anëtarëve të rinj. Kjo, për shkak se 5 anëtarë nga PD-ja dhe 5 nga PS-ja kanë fituar post në Parlamentin e ri.